Blerja e NBG nga ABI Bank, çfarë do të ndodhë me punonjësit

Blerja e NBG nga ABI Bank, çfarë do të ndodhë me punonjësit


Shkruar nga Monitor.al

Nga data 4 korrik, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) është bërë zyrtarisht pronare e 100% të aksioneve të Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG), pas një kontrate për shitblerjen e aksioneve të nënshkruar mes palëve në datën 2 shkurt 2018.

Sipas rezolutës së përthithjes, ABI Bank do të jetë aksioneri i vetëm i bankës NBG Albania dhe të dyja bankat do të bashkohen me njëra-tjetrën përmes përthithjes së Bankës NBG Albania nga Abi Bank. Pas miratimit paraprak të përthithjes nga Banka e Shqipërisë, të dyja entitetet do të shndërrohen në një të vetëm, të emërtuar Banka Amerikane e Shqipërisë, ndërsa NBG do të pushojë së ekzistuari.

Rezoluta parashikon që Abi Bank do të jetë pasues i NBG në të gjitha licencat, kontratat, marrëveshjet, veprimet dhe marrëdhëniet në të cilat NBG Al është palë, ashtu siç është rënë dakord në marrëveshjen e bashkimit.

Lexoni: NBG Shqipëri blihet nga Banka Amerikane e Investimeve ABI Bank

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, në qershor 2018, asetet e Abi Bank ishin 41.6 miliardë lekë, ose 2.9% e totalit të aseteve në sistemin bankar dhe ato të NBG rezultonin 36,5 miliardë lekë, ose 2.5, e totalit. Pas përthithjes së NBG, pesha e ABI Bank në sistemin bankar arrin në 5.4%, duke e ngjitur atë në bankën e gjashtë më të madhe në vend, pas BKT, Raiffeisen, Credins, IntesaSanpaolo dhe Societe Generale, nga e nënta që ishte më parë.

Çfarë parashikohet për punonjësit

Anëtarët e organeve drejtuese dhe CEO i Bankës NBG do të japin dorëheqjen. Ndërsa organet drejtuese, përbërja e anëtarëve dhe  CEO i ABI Bank do të mbeten të njëjtë.

Lidhur me punonjësit e NBG, parashikohet që ata do të jenë punonjës të Abi bank dhe struktura organizative e ABI Bank do të përfshijë strukturën e NBG, duke zgjeruar strukturën e saj nëpërshtatje me këtë përfshirje.

Të gjitha degët dhe agjencitë e NBG do të bëhen degë të ABI Bank, sipas planit strategjik për zgjerimin dhe shpërndarjen që do tëvendoset nga Abi Bank. Për marrëdhënien me punonjësit, parashikohet që afatet dhe kushtet e parashikuara nga kontratat e punës dhe rregulloret e brendshme do të zbatohen për të gjithë punonjësit e NBG. “Administrimi do të bëjë përpjekjet për të unifikuar, sa më shpejt që të jetë e mundur, afatet dhe kushtet e kontratave të punës për të gjithë personelin e Shoqërisë përthithëse pas Bashkimit”, thuhet në projekt-marrëveshjen e bashkimit.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, në fund të muajit qershor, Abi Bank kishte 18 degë dhe 244 punonjës, ndërsa NBG kishte 26 degë dhe 273 punonjës.

Numri i bankave ulet nga 16 në 14

Krahas përthithjes së NBG nga Abi Bank, Veneto Bank po integrohet si pjesë e Intesa SanPaolo Bank, proces që pritet të përfundojë në shtator.

Kjo do të bëje që numri i bankave të ulet në 14, nga 16 që është aktualisht. Krahas këtyre bashkimeve, sistemi bankar është në një proces intensiv shit-blerjesh dhe ndryshimi pronësie.

Societe Generale Albania, banka e pestë më e madhe në sistemin bankar shqiptar, është drejt finalizimit të shitjes te banka hungareze OTP, në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë për shitjen e degëve të grupit francez Societe Generale në gjithë rajonin.

Banka e Pireut në Greqi ka njoftuar zyrtarisht pak ditë më parë se ka hyrë në një marrëveshje me Grupin Balfin dhe Komercijalna Banka, për shitjen e aksioneve të degës së saj në Shqipëri, Tirana Bank. Shuma totale në konsideratë arrin në 57.3 milionë euro për 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0