Intervistë me Aida Pambuku, themeluese e APA (Albanian Psychosocial Agency)
Cila është sipërmarrja jote. Prej sa kohësh e ke hapur dhe në çfarë konsistojnë shërbimet tuaja?
“APA ose Albanian Psychosocial Agency, është një sipërmarrje e re, vetëm 2 vjeç, por ideja dhe dëshira ka lindur shumë më herët. Madje, është nga ato ëndrrat e fëmijërisë, që kur e shikon që është bërë realitet thua: “Uau u realizua vërtet … po tani? … Tani duhet të arrij të realizoj këtë ëndrrën tjetër”. Kur u” poq” ideja, iniciativa dhe mbështetja për ta zhvilluar, ka qënë po ashtu një moment tjetër shumë i rëndësishëm. Kjo u bë e mundur falë programit të vetëpunësimit për të rinjtë, nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinise (sot Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale) dhe Zbatimi i Programit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), 2016.
Fokusi i shërbimeve tona janë trajnimet, kurset e formimit dhe zhvillimit profesional dhe personal dhe konsulencë. Shërbimet janë të dedikura për profesionistët si: edukatorë, mësues, punonjës sociale, psikologë, profesionistë të shëndetësisë etj. Po ashtu, për vetë fëmijët, të rinjtë dhe prindërit, si dhe institucionet e ndryshme publike dhe jo publike që punojnë me dhe për ta.
Çfarë mendon se ju dallon mes trajnimeve të shumta që zhvillohen?
Ajo që e bën të veçantë ofrimin e shërbimeve trajnuese dhe edukative, është aplikimi i metodologjisë tërësisht praktike “të mësuarit përmes eksperiencës”. Ne përdorim lojën dhe aktivitetet praktike, me synim zhvillimin e kapaciteve dhe procesit të të mësuarit. Pjesëmarrësit përfshihen, ndajnë përvojat me njëri –tjetrin dhe marrin përgjigje profesionale në bazë të nevojave të tyre, çka ndihmon edhe grupin. Stafi zotëron një ekspertizë teknike dhe përvojë profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e trajnimeve, zhvillimit personal dhe profesional. Çdo shërbim është i menduar me shumë kujdes, i dedikuar nevojave dhe shoqërohet me shumë pasion dhe përkushtim.
Lexo: 6 mënyra se si prindërit shkatërrojnë suksesin e fëmijës së tyre
Mund të na flasësh pak për paketat e trajnime që ke zhvilluar dhe ato që parashikon të bësh këtë vit?
Trajnimi për Terapinë e Lojës ka patur interes të lartë për pjesëmarrje, nga psikologë, punojës socialë, terapistë, edukatorë, mësues, pediatër, specialist të shëndetit mendor, vullnetarë, etj si në Shqipëri edhe në Kosovë. Ai synon t’i pajisë pjesëmarrësit më aftësi për të përdorur lojën si një teknikë bazë për të njohur botën e fëmijës, mendimet, ndjenjat dhe përvojat e tyre dhe ndërkohë qe fëmijët luajnë, ata zhvillojë aftësitë për jetën dhe ato tërësore në nivel mendor, psikosocial dhe fizik. Kështu ndikojnë pozitivisht në mirqënien e përgjithshme të tyre dhe kapacitetin e reziliencës”.
Trajnime dhe seminare të ndryshme kanë qënë mbi “Disiplinën Pozitive”, “Menaxhimi i Emocioneve”, “Zhvillimi i komptencave personale dhe sociale në punën me fëmijët”, Trajnim për Trajnerë, “Rezilienca”, “Kursi për Animator Social”, seminaret me prindërit për prindërimin e mirë etj.
Kampi Veror që zhvilluam në verë, po ashtu ishte i organizuar në mënyrë të tillë që përmes argëtimit, lojrave me rregulla dhe kontaktit me natyrën, fëmijët të zhvillonin aftësitë e tyre për jetën.
Përtej aktiviteteve me sipër që do të vazhdojmë, këtë vit kemi shërbimet e reja ose “Paketa Burimore” të konsulencës dhe trajnimit për zhvillimin organizativ të burimeve njerëzore, për çerdhet dhe kopshtet, qendrat e ndryshme që ofrojë programe passhkollore për fëmijet. Kjo përfshin modelimin e shërbimeve, pajisjen me mjete të punës dhe mbështetje teknike për stafin përgjegjës, zbatimin cilësor në praktikë të tyre. Shumë shpejt fillojmë “Life Skills Learning Lab” një risi për fëmijët dhe të rinjtë në Tiranë, dhe ofrimin e kursve profesionale për Animator Social edhe në Kosovë.
Ti ke një përvojë në fushë para sipërmarrjes. Cilat kanë qenë pikat që cilësove si të forta tek vetja, që të bindën të kaloje nga e punësuar në sipërmarrëse?
Përvoja profesionale, ekspertiza dhe aftësitë e fituara në fushën e trajnimeve dhe mbështetjes teknike më bënë të besoj se kjo është ajo që dua…dhe po e ndjek këtë vision me njerëzit me të cilët bashkëpunoj aktualisht.
Cilat janë objektivat e tua në 3-5 vitet e ardhshme?
APA do të jetë edhe në qytetet e tjera me zyrat e saj lokale në Shqipëri, po ashtu dhe jashtë Shqipërisë, duke filluar me Kosovën.
Do të jetë konsolidur si një Platformë edhe online, ku ofrohen trajnimet, kurset online, material burimore, jepen këshilla, aksesohet nga profesionistët, nga prindërit por dhe vetë fëmijët, të cilët do te mund të gjejnë përgjigje rreth çështjeve të ndryshme që lidhet me mirëqenien psikosociale, reziliencën, ta njohin dhe të zbulojnë sa më shumë për veten e tyre dhe ta zhvillojnë në nivelin personal dhe profesional. Në këtë mënyre APA do të jetë duke kontribuar për një shoqëri më të mirë.
Lexo: Dhjetëra ekspertë marketingu trajnohen në Social Media Marketing & Strategy
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.