BIRN: Në Shqipëri, një në pesë “të punësuar” punojnë pa pagesë pranë familjes! - Business Magazine Albania

BIRN: Në Shqipëri, një në pesë “të punësuar” punojnë pa pagesë pranë familjes!

Numri i të punësuarve në Shqipëri arriti në 1.177.245 persona në vitin 2024, me një rritje prej afro 22 mijë vetësh përkundrejt vitit 2023, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave në botimin e përvitshëm mbi tregun e punës.

Por rreth 24% e të gjithë të punësuarve i përkasin një kategorie të njohur si “të punësuar në biznes familjar” dhe që nuk paguhen me pagë, ndërsa mes shtesës së vitit 2024, pjesa e të punësuarve pa pagë ishte 40%.

Instituti i Statistikave përdor metodologjinë e Bashkimit Evropian për përkufizimin se kush është i punësuar dhe kush i papunë, si dhe ata që konsiderohen “enonomikisht joaktivë” siç janë studentët apo personat që thjesht nuk dëshirojnë të punojnë.

Sipas këtij klasifikimi, në Shqipëri pati pothuajse 1,18 milionë të punësuar, ku 537 mijë vetë ishin të punësuar me pagë, 355 mijë të vetëpunësuar dhe 285 mijë, të punësuar pa pagë.

Një në katër qytetarë mes moshës 15 dhe 64 vjeç hyjnë në kategorinë e popullsisë inaktive.

Mes të vetëpunësuarve, përfshihen qytetarët që kanë një aktivitet ekonomik vetë, me apo pa të punësuar të tjerë, si dhe fermerët, të cilët, pavarësisht nivelit të të ardhurave dhe, praktikisht, pavarësisht nëse e punojnë realisht tokën, klasifikohen si të vetëpunësuar. Si rrjedhojë e këtij përkufizimi, qarqet më të varfra të vendit, të cilat në mënyrë tipike kanë shkallën më të ulët të urbanizimit dhe ku pjesa më e madhe e popullsisë jeton në zonat rurale, kanë, në teori, shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në forcat e punës dhe shkallën më të ulët të papunësisë.

Në rang kombëtar, 37% e “të punësuarve” janë në sektorin bujqësor, me një rënie të lehtë përkundrejt vitit 2023. Shqipëria është vendi absolutisht rekord në kontinentin evropian për përqindjen e popullsisë në sektorin bujqësor. Mesatarja evropiane është rreth 4%.

Shifra më tronditëse nga raporti është ajo që i përket numrit të grave të punësuara pa pagesë pranë familjes. Sipas të dhënave të INSTAT, si meshkujt ashtu edhe femrat janë të zënë me punë në masë të konsiderueshme në bizneset familjare, por gratë e kësaj kategorie janë “1,5 herë” më shumë se sa burrat.

Në vitin 2024, 32,2% e të gjitha grave “të punësuara” hynin në këtë kategori, përkundrejt 17,6% të burrave. Kjo do të thotë se pothuajse një në çdo tre gra “të punësuara” nuk merr pagë.

Përveç shkallës më të lartë të të punësuarit pa pagë, gratë janë më të prekura nga papunësia sipas matjes zyrtare si dhe zënë pjesën më të madhe të popullsisë ekonomikisht inaktive.

Rreth 62,4 % e femrave 15-64 vjeç janë të punësuara, 10,0 % janë të papuna dhe 30,7 % janë jashtë forcave të punës, sipas INSTAT. Nga 62,4% të punësuar, një në tre është “e punësuar pa pagesë pranë familjes”. Rrjedhimisht, më pak se 40% e grave kanë të ardhura të vetat nga puna.

BIRN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0