Biografitë e gjenive të biznesit ...të ICT në një libër! Guximi që krijoi të ardhmen - Business Magazine Albania

Biografitë e gjenive të biznesit …të ICT në një libër! Guximi që krijoi të ardhmen

Nga Geron Kamberi*  Biografitë e njerëzve të suksesshëm e të fuqishëm të biznesit e politikës mbartin gjithmonë një lloj kurioziteti për çdokënd , që të shtyn drejt leximit. Libri i prof Adrian Civicit ”Gjenitë e Biznesit (Vol I, II)” është një përshkrim interesant i rrugëtimit që kanë përshkruar gjenitë e botës së biznesit që nga Henry Ford me makinën e tij që na bëri të shkurtojmë hapësirat e deri tek Sam Altman me OpenAI , i cili na tregon se inteligjenca nuk është monopol i njeriut, por edhe i makinave.

Megjithatë pas biografisë apo historisë së çdo gjeniu biznesi qëndrojnë sfidat, vështirësitë dhe dështimet e para. Por gjithmonë është vizioni dhe këmbëngulja, varka dhe rremat me të cilat ata lundrojnë në detin e sfidave për të arritur suksesin.

Në 47 biografi të gjenive të biznesit që përfshijnë pothuajse të gjitha kontinentet nga Amerika , Azia apo Europa kemi një përkthim në formë të thjeshtë të mënyrës sesi këta individë të u bënë të famshëm me idetë e biznesin e tyre. Në Vëllimin e parë secili mund të lexojë me kërshëri biografitë e gjenive të biznesit në fusha të tilla si çeliku, nafta, bankat dhe financat, moda, ushqimi, makinat, media , filmi, argëtimi, veshjet e kozmetika, shërbimet postare dhe tregtia onlin , ku të shpërfaqen historitë e Andrew Carnegie, Joh.P.Morgan, John Rockfeller, Henry Ford, Napeloen Hill, Coco Chanel,Enzo Ferrari, Ferrucio Lamborgini, Walt Disney, Ray Croc(McDonalds), Harland Sanders(KFC), Hans Wilsdorf(Rolex), Soichiro Honda, Amancio Ortega(Zara), Michele Ferrero, Adi&Rudi Dassler (Adidas, Puma), Sam Wallton (Walmart), Ralph Lauren, Ingvar Kamprad(Ikea), Ole Kirk Christiansen( Lego), Jack Ma( Ali Baba) Ren Zhengfei( Huawei), Joanne Katheleen Rouling( Harry Pottter) , Arianna Huffignton( Huffington Media) ,Frederic Smith ( FeEx).

Një pjesë e mbiemrave të tyre tashmë janë të lidhur pazgjidhmërisht me markat që kanë krijuar , të cilat janë shndërruar në ikona të një ”feje moderne” siç është “konsumi” në shoqëritë e tregut të lirë.

Në mënyrë të natyrshme ”Vëllimi i dytë” ndjek sërish rrugëtimin biografik të gjenive të tjerë që kanë shënuar shek XX e XXI me idetë e suksesin e tyre në biznes si: Aristotel Onnassis( Olympyc Airlines), Lee Byung Chul (Samsung), Akio Morita( Sony), Oprah Winfrey( Media), Howard Schultz ( Starbuck), Phlip Night ( Nike), Peter Drucker (Menaxhim), Adriano Olivetti , Hewlet& Packard , Warren Buffet ( Omaha Inc) Mark Zuckerberg ( Facebook, Meta), Sergey Brin & Larry Page (Google), Michael Bloomberg ( Bloomberg Media), Reed Hasting (Netflix), Giorgio Armani , Richard Brenson ( Virgin Airlines), Michalel Dell , Steve Jobs(Apple), Jeff Bezos ( Amazon), Bill Gates( Microsoft), Elon Musk(Space X, Tesla), Sam Altman (OpenAI|).

Ndonëse libri rrëfen dhe përshkruan një rrugetim në të gjitha bizneset që janë të lidhura me jetën tonë të përditshme si: ushqimet, veshjet, makinat, financat etj, ia vlen të ndalesh tek biografitë e atyre gjenive që po formësojnë sot botën tonë në shek XXI me teknologjitë digjitale duke filluar nga interneti, telefonat inteligjentë , rjetet sociale e deri tek inteligjenca artificiale

Teksa përmend këto fjalë në mënyrë të vetvetishme libri të përshfaq mes shumë biografive disa prej atyre që lidhen me to sikundër  janë ato të Sergey Brin Larry Page, Mark Zuckeberg Elon Musk apo Sam Altman.

Bashkohu me Klubin e Librit Bytes& Books. Detajet i gjen këtu

Një rrëfim shumë interesant është biografia e shpikësve të Google e pasqyruar mjaft bukur në faqet e librit. ”Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta shpikësh atë ” – këto fjalë të Alan Kejtt një nga emrat më të njohur në botën e informatikës e nxitën Sergey Brin dhe Larry Page që të shpikin motorin e njohur të kërkimit Google. Ideja e tyre lindi në atë që sot njihet si “lugina e inovacionit “ siç është Sillicon Valley me Universitetin e Stanfordit në qytetin e San Francikso të Kalifornisë (SHBA). Përveç suksesit e rezultateve të larta në universitet ata i bashkonte origjina si “ fëmijë arti …të informatikës” pasi prindërit e tyre ishin informaticienë e matematikanë në qendrat kërkimore të SHBA. Teksa ideja e një teme doktorature për të shkarkuar të gjithë web-et në kompjuter u duk si një mision i pamundur ajo nxiti krijimin e PageRank , algoritmin matematik, që u bë themeli i funksionimit të Google. Interneti funksiononte që nga viti 1991 falë gjenialitetit të Tim Berns Lee dhe Robert Keiliau të Qendrës së Kërkimeve të Fizikës Bërthamore-CERN me qendër në Gjenevë. Në pafundësinë e faqeve web ,motorët e kërkimit u bënë domosdoshmëri në oqeanin e informacionit me iniciativa të tillas si Aliweb, WebCrawler dhe Altavista . Ndërkohë Sergey Brin e Larry Page u përqëndruan në një element që motorët e tjerë të kërkimit nuk e kishin marrë parasysh sa duhet, lidhjen ndërmjet dy faqeve të ndryshme. Kjo ishte një zgjidhje e jashtëzakonshme sepse lidhjet e shndërruan web-in nga një realitet statik në një realitet dinamik. Emri Google gjithmonë zgjon kuriozitet për origjinën e tij, por historia e këtij emri paksa të çuditshëm lidhet me mikun e tyre , studentin e informatikës në Universitetin e Stanfordit Shon Anderson që ua propozoi .I shpikur nga matematikani amerikan Eduard Kasner ai përfaqësonte një numër të shprehur në formën e njëshit të ndjekur nga 100 zero. Sot folja guglloj është bërë një zhargon i zakonshëm mes të rinjve.

Biografia e Mark Zuckerberg-ut, shpikësit të një prej rrjeteve sociale më të njohura në botë, me miliarda ndjekës si Facebook, është vërtet një ngacmim befasues. Përmes saj mund të ndjekësh hapat që ai hodhi prej viteve të studimit në Harvard deri në krijimin e një prej kompanive më të njohura në botë, që e rendit atë ndër pesë njerëzit më të pasur të globit. Gjithçka në biografinë e tij duket sikur i ngjan të zakonshmes dhe pak a shumë jetës së përditshme të secilit prej nesh. Por tek jeta e modelit të njeriut të zakonshëm gjithmonë flenë idetë e guximshme, që shpesh nisin që në fëmijërinë e hershme.

Mes moshës 10–12 vjeç, Zuckerberg krijoi shërbimin e parë të mesazheve, të cilin e quajti ZuckNet, dhe e lejoi babain e tij dentist të komunikonte menjëherë me kolegët e tij dentistë e asistentë. Kurioziteti e ndoqi në shkollë të mesme, kur programoi Synapse, një program kompjuterik që bënte të mundur përcaktimin e shijeve muzikore të përdoruesve dhe krijimin e listave të të dhënave të personalizuara për çdo individ.

Periudha e studimeve në Harvard për shkencat kompjuterike dhe psikologji i shndërroi në ide biznesi një dëshirë që, nëpërmjet internetit, të kishte mundësi që jo vetëm të mbante kontakte me miqtë e hershëm, por të krijonte edhe miq të rinj. Faqja e tij web në Harvard, FaceMash, u bë një program argëtues ku secili vendoste fotot e studentëve, duke realizuar një konkurim online për të zgjedhur studentin apo studenten me pamjen më të bukur. Fotot përzgjidheshin nga librat e universitetit të quajtur Face Book. Këto ishin libra që kishin emrat dhe fotot e çdo studenti në konvikt.

Universiteti i Harvardit kërkoi që websaiti të mbyllej, sepse po mbingarkonte rrjetin dhe fotot përdoroheshin pa leje. Me një ndjesë, Zuckerberg e mbylli faqen web dhe ndërpreu studimet, duke krijuar më pas website-n thefacebook.com. Ashtu, pa kuptuar nga Universiteti i Harvardit, ai mori emrin e një kompanie me të cilin do të hynte në historinë e gjenive të biznesit. Problemi me gjenitë është se ata janë shumë afër nesh, por idetë e tyre duken të çuditshme në fillim. Ngjyra blu, simbol i kompanisë së tij, megjithëse e lidhur me daltonizmin e tij për mosdallimin e ngjyrave, është shndërruar tashmë në një ngjyrë simbol për llogaritë e rreth pesë miliardë njerëzve.

Lexo edhe: Elon Musk dhe qendrat e të dhënave në hapësirë. A mund të presë Europa?

Ndërkohë, biografia e Elon Musk-ut është një mundësi e mirë për të kuptuar një sipërmarrës që të habit e çudit me forcën dhe këmbënguljen e tij për t’i shndërruar idetë në biznese të suksesshme. Pavarësisht se për Elon Musk janë shkruar biografi shumëfaqëshe, në mënyrë të përmbledhur rrugëtimi i tij është i përshkruar qartë dhe thjeshtë: bashkëthemelues i biznesit si PayPal, CEO i kompanive si SpaceX e Tesla, SolarCity dhe nxitës i start-up-eve dhe projekteve Hyperloop, Neuralink dhe The Boring Company. Musk ka aftësinë të gëzojë e të zëmërojë shumë njerëz njëkohësisht.

Me një fëmijëri të trazuar, sa në Afrikën e Jugut ku lindi dhe sa në Kanada, ai hedh syrin nga Amerika në kërkim të “ëndrrës amerikane”, e cila, siç duket, e josh me idetë dhe zgjuarsinë e tij. Teksa ndërpreu studimet për doktoraturë në Stanford, ai nxitet të krijojë diçka origjinale duke përdorur mundësitë e pafundme të internetit. Kompania e tij e parë, Zip2, një lloj start-up për shërbimet online që do ta krijonte bashkë me të vëllanë, e bëri milioner pas shitjes së saj në moshën 27-vjeçare, duke krijuar dhe shitur PayPal, e duke hedhur themelet për kompanitë e tij SpaceX dhe Tesla. SpaceX magjepis botën me kërkimet në hapësirë, duke revolucionarizuar industrinë e raketave, dhe projekti Starlink synon t’u krijojë njerëzve mundësi për internet kudo në botë.

Ndërsa historia e Sam Altman të rikthen sërish në Luginën e Siliconit, zemra e inovacionit të teknologjive digjitale në SHBA, dhe në Universitetin e Stanfordit. Fillimisht, si krijues i start-up-it Loopt, një aplikacion në celular për të gjetur miqtë, dhe pasi e shiti atë te Green Dot Corporation për 43 milionë dollarë, ai kuptoi se ishte gati të bënte diçka më të madhe. Si këshillues për të rritur e zgjeruar bizneset e reja (start-up), me kompaninë Y Combinator në cilësinë e presidentit të kësaj kompanie, ai tregoi se idetë e kapërcejnë gjithmonë pritshmëritë.

Megjithatë, mundësia që ofronte teknologjia e inteligjencës artificiale e shndërroi atë në krijues e bashkëthemelues në 2015, bashkë me Elon Musk e të tjerë të OpenAI, dhe produktet e tij si ChatGPT, i cili prej 30 nëntorit 2022 tashmë po habit këdo dhe po bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme. Idetë e guximshme kanë një çmim për t’u paguar, dhe teksa kërkonte të kuotonte në bursë OpenAI me një vlerë 80 miliardë dollarësh, ndjeu veten të shkarkuar nga bordi, por u rikthye falë këmbënguljes së stafit të tij. Gjithsesi, me OpenAI ai ka shkaktuar gëzim e pështjellim për ndikimin që do të ketë AI në tregun e punës dhe në të ardhmen e profesioneve.

Në 47 biografi të renditura në mënyrë të përmbledhur mund të lexosh sesi arrin të ndërveprojë bota e biznesit, financës dhe akademisë. Në tërësi, nëse ndjek rrugëtimin e tyre, veçanërisht të atyre biznesve që lidhen me teknologjitë e informacionit, mund ta kuptosh se idetë janë si bimët: duan tokë, diell dhe ujë që të mbijnë. Mjedisi akademik, financiar dhe i biznesit në SHBA është treguar i gatshëm t’i ofrojë këto tre elementë jetësorë, ku mbijnë e rriten idetë e biznesit që tashmë kanë ndikim në të gjithë botën.

Biografia, në vetvete, është një histori individuale që mund të ngjajë jetës së gjithsecilit, pavarësisht ndryshimeve. Në rastin e biografive të gjenive të biznesit dhe njerëzve që kanë arritur në jetë, ajo që i tjerët ëndërrojnë është e lidhur ngushtë me guximin. Guximi për të dështuar, për të bërë diçka që të tjerët ngurrojnë, i shtyn drejt suksesit.

Libri është një ftesë për të lexuar sesi ëndrrat u shndërruan në ide dhe më pas suksesi i kthen individët në njerëz që sfidojnë gjithmonë botën me ide të pafundme. Të gjithë fillojnë me një ëndërr, por vetëm ata që guxojnë arrijnë t’i kthejnë pengesat në mundësi. Mesazhi i librit është se një ide pa guxim mbetet ëndërr, ndërsa këmbëngulja e bën atë pjesë të historisë. Biografitë e përshkruara në libër paraqesin individë që kanë jetuar në periudha të ndryshme, por i bashkon frymëzimi për të nesërmen dhe guximi për të ndërmarrë hapin e parë.

 

Biografia

Adrian Civici, doktor në shkencat ekonomike (ENSA, Montpellier, Francë, 2002) dhe doktor në Ekonomi Agrare (Universiteti Bujqësor i Tiranës, 1993). Në 1995 merr titullin “Profesor i Asociuar” dhe nga viti 2011, mban titullin “Profesor” në shkencat ekonomike.

Gjatë karrierës profesionale ka punuar si: Përgjegjës i Departamentit të Ekonomisë dhe Politikave Agrare(1992-1996), Dekan i Fakultetit të Ekonomisë Agrare në UBT (1996-2001); Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Studimeve Rurale dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm (1998-2005); Këshilltar i Ministrit të Financave (2001-2002); Drejtor i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social të Shqipërisë (2002-2006); Këshilltar për Planin Zhvillimor pranë Qeverisë së Kosovës (2006-2007); Për disa vite, ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese në UET; Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (2005-2014).

Anëtar i disa organizatave ndërkombëtare dhe universiteteve europiane: anëtar i Bordit Drejtues të EUROMONTA (Organizata Evropiane e zhvillimit të zonave malore); anëtar i Asamblesë Qendrore të RONGEAD (Institut i specializuar për marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare, Francë); anëtar i Këshillit shkencor të RAFAC (Rrjeti mesdhetar për zhvillimin të qëndrueshëm); Lektor i asociuar në Universitetin e Lyon-it (ISARA), në CIHEAM–IAM Montpellier, Universitetin e Thesalisë, Greqi, Universiteti Valencia, Spanjë, IAM Bari, Itali.

Fushat e ekspertizës të prof Adrian Civicit lidhen me politikat ekonomike për ekonomitë në tranzicion, procesin e transformimit dhe riorganizimit strukturor të ekonomisë shqiptare, teoritë ekonomike dhe modelet e zhvillimit, politikat dhe strategjitë e institucioneve ndërkombëtare, tregjet financiare, politikat monetare dhe bankat. Autor i shum librave e artikujve brenda dhe jashtë vendit, etj. Në 2009, Adrian Civicit i akordohet nga Presidenca Franceze dhe Akademia e Shkencave të Francës titulli “Kalorës i palmës së artë akademike”.

 

*Geron Kamberi është studiues i Asociuar për Politikat Europiane pranë Qendrës për Studimin e Demokracisë e Qeverisjes (CSDG). Që nga viti 2007, ai  është angazhuar si studiues i asociuar pranë disa think tanke shqiptare, të fokusuar në analizën e politikave publike dhe veçanërisht në çështjet e lidhura me integrimin europian.

 

Bashkohu me Klubin e Librit Bytes& Books. Detajet i gjen këtu

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Kurdoherë që shihni një person të suksesshëm, ju shihni vetëm lavditë publike dhe asnjëherë sakrificat private që janë bërë për t’i arritur ato.”
— Vaibvah Shah
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0