Bill Gates: AI do të na çlirojë nga rutina, por ndryshimi po ndodh shumë shpejt! - Business Magazine Albania

Bill Gates: AI do të na çlirojë nga rutina, por ndryshimi po ndodh shumë shpejt!

Bill Gates: AI do të na çlirojë nga rutina, por ndryshimi po ndodh shumë shpejt!

Bill Gates beson se inteligjenca artificiale do ta bëjë punën më kuptimplotë duke reduktuar detyrat rutinë, por paralajmëron se ritmi i shpejtë i zhvillimit të saj mund të sjellë sfida serioze nëse njerëzit dhe sistemet nuk janë të përgatitura.

Në një intervistë për Fareed Zakaria në CNN, bashkëthemeluesi i Microsoft tha se automatizimi i drejtuar nga AI mund të sjellë ndryshime pozitive, duke i lejuar njerëzit të kryejnë punë më të mira ose të kenë më shumë kohë të lirë. “Kur përmirëson produktivitetin, mund të çlirosh njerëzit për të pasur klasa më të vogla, pushime më të gjata apo për të kontribuar më shumë,” u shpreh Gates. Megjithatë, ai shtoi: “Pyetja është: nëse ndodh kaq shpejt sa nuk ke kohë të përshtatesh me të?” Komentet e tij vijnë në një moment kur shqetësimet për ritmin me të cilin po përvetësohen mjetet e AI-së në industri të ndryshme po rriten. Ekspertë të shumtë kanë paralajmëruar se shumë vende pune, veçanërisht ato në nivelin fillestar të sektorit të shërbimeve, mund të zëvendësohen nga AI në vitet në vijim. Edhe pozicionet në punët fizike mund të preken në të ardhmen, kur teknologjitë robotike të avancojnë më tej. Gates theksoi se krahët robotikë ende nuk janë mjaft të avancuar, por kur kjo të ndodhë, ndikimi në fuqinë punëtore mund të jetë shumë më i madh.

Lexo edhe:Më shumë se një startup, historia që fshihet pas perandorisë Canva

Gates foli gjithashtu për inteligjencën artificiale të përgjithshme (AGI), një formë më e avancuar e AI-së që mund të kryejë detyra komplekse si shitjet apo shërbimi ndaj klientit më mirë se njerëzit. Ai vuri në dukje se koncepti i AGI-së ndryshon nga një ekspert në tjetrin, por kur makinat të jenë në gjendje të kryejnë këto role me më pak kosto dhe më shumë saktësi, atëherë do të përballemi me një transformim të vërtetë. Ai pranoi se shpejtësia me të cilën po përparon AI e ka befasuar edhe atë vetë. Gates ndau se përdor mjetet e AI-së për të kuptuar tema të ndërlikuara dhe shpesh verifikon saktësinë e tyre me ekspertë të fushës. “Shumicën e rasteve ata më thonë, ‘nuk kishe nevojë për ndihmën time’,” tregoi ai. Përtej aspektit të punës dhe produktivitetit, Gates është i angazhuar edhe në projekte që synojnë të sjellin teknologjitë e AI-së në vendet me të ardhura të ulëta. Ai deklaroi se po punon me Microsoft dhe OpenAI për të siguruar që këto teknologji të arrijnë në zona ku mund të kenë ndikim konkret në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe bujqësisë. Kur u pyet se çfarë këshille do t’u jepte të rinjve që po përgatiten për një të ardhme të drejtuar nga AI, Gates i nxiti të mbeten kuriozë dhe të mësojnë si të përdorin këto mjete. “Aftësia për t’i përdorur këto mjete është njëkohësisht argëtuese dhe fuqizuese,” tha ai, duke shtuar se mbajtja e ritmit me zhvillimet në AI do të jetë thelbësore, edhe pse rruga do të ketë sfida.

IT

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0