Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka publikuar Indeksin e fundit të Biznesit, i njohur edhe si Perceptimi i Klimës së Biznesit (2020-2021).
Sipas këtij vrojtimi, besimi i biznesit në Shqipëri ra me 0.5% në 2021. Ai zbriti në 37.6, nga 38.1 që ishte një vit më parë. Në publikimin e 9-të të Dhomës, pjesëmarrja e të anketuarve vlerësohet të ketë qenë në nivelet më të larta se më parë, me 71% të anëtarëve.
Sipas rezultateve, në ndryshimet e këtij indeksi, ndikimin më të madh e kanë dhënë efektet e pandemisë COVID 19 dhe progresi më i ulët se pritjet për treguesit kryesorë të ekonomisë.
Pavarësisht rënies së ulët të besimit, vlen të theksohet se besimi u paraqit në nivelet e tij më të ulëta, për shkak edhe të tendencës rënëse në më shumë se një vit.
Efektet e pandemisë nuk tregojnë optimizëm tek sipërmarrjet ndërsa kërkohet të ndryshojnë/përmirësohen politikat dhe reforma në klimën e investimeve.
Klima e përgjithshme e biznesit vlerësohet të jetë e pafavorshme, pavarësisht se disa tregues të matur janë pozitivë, si: klima e brendshme politike, niveli i korrupsionit, rendi dhe siguria në vend, monopoli dhe konkurrenca e padrejtë, burokracia dhe zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve.
Uljen më të madhe të vlerësimit e merr “Ecuria e Ekonomisë Shqiptare”, gati -6%. Rreth 80% e sipërmarrësve të anketuar thanë se performanca e ekonomisë shqiptare ra gjatë vitit 2020. Perceptim të ulët ka për disa elementë të rëndësishëm të ekonomisë si punësimi, eksportet. Niveli i përgjithshëm tatimor i aplikuar shihet me shqetësim nga rreth 60% e të anketuarve, duke e cilësuar si jokonkurrues krahasuar me vendet e rajonit. Edhe më shqetësuese është gjetja e stafit të kualifikuar. 64% e të anketuarve e cilësojnë sfidë gjetjen e stafit të kualifikuar.
Për sa u përket marrëdhënieve me institucionet vlerësohet të ketë përmirësim, si me tatimet, doganat, apo edhe institucionet vendore.
Ndërsa kërkesa e vazhdueshme e sipërmarrjeve anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë është ajo e reformave, si një mënyrë bazë për të siguruar progres.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto