Sot në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, në prani të të gjithë kryeministrave rajonalë, Bashkimi Evropian ka konfirmuar synimin e saj për të siguruar një grant prej 12 milionë eurosh për të mbështetur ndërtimin e interkonjeksionit të parë të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë si dhe përmirësimin e rrjetit me infrastrukturën e MEPSO, operatori i sistemit të transmesionit të energjisë elektrike të Maqedonisë.
Lajmi u bë e ditur përmes një njoftimi për shtyp të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Projekti është pjesë e agjendës së nderlidhjes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me fonde të siguruara nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA) përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
BERZH ka akorduar tashmë një kredi 37 milionë euro për projektin për të rritur integrimin rajonal të tregjeve të energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i BERZH, Sir Suma Chakrabarti tha se mbështetja e projekteve të rëndësishme infrastrukturore rajonale dhe krijimi i tregjeve të integruara të energjisë rrit sigurinë energjitike. “Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë elektrike. Ne jemi të kënaqur që do të ketë një kontribut nga BE në këtë projekt shumë të rëndësishëm”, tha Chakrabarti.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, shtoi se ky projekt është pjesë e përpjekjeve të Komisionit Evropian për të mbështetur axhendën e lidhjes së Ballkanit Perëndimor.
“Ndërtimi i kësaj linje të transmetimit do të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin e sistemeve të energjisë të të dy vendeve. Kjo gjithashtu do të ndihmojë në zhvillimin e një tregu rajonal të energjisë elektrike në të cilin prodhimi dhe kapaciteti i transmetimit mund të menaxhohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Ky projekt është pjesë e iniciativës së Komisionit Evropian për të krijuar një korridor Lindje-Perëndim të transmetimit të energjisë elektrike midis Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, duke përfshirë kabullin e planifikuar nënujor nga Mali i Zi në Itali, një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë elektrike. Komponentët e efikasitetit të rrjetit të zbatuar nga MEPSO do të sigurojnë gjithashtu që transmetimi i energjisë të jetë efiçent dhe do të përdoren teknologjitë më të mira në dispozicion.
Projekti ka marrë asistencë teknike nga WBIF për të financuar studimin e fizibilitetit, vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social dhe përgatitjen për hartimin kryesor të projektit. Bashkimi Evropian është donatori më i madh i vetëm i BERZH-it. Në vitin 2015 ajo vuri në dispozicion 179 milionë euro, rreth gjysmën e totalit të fondeve të donatorëve BERZH.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.