Bekim Kajtazi dhe rrugëtimi nga realiteti i pasluftës në Kosovë te inovacioni në GIS! - Business Magazine Albania

Bekim Kajtazi dhe rrugëtimi nga realiteti i pasluftës në Kosovë te inovacioni në GIS!

Bekim Kajtazi dhe rrugëtimi nga realiteti i pasluftës në Kosovë te inovacioni në GIS!

Nga Eni Muça- Bekim Kajtazi është një nga profesionistët shqiptarë që ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare në fushën e gjeoinformacionit, duke lidhur teknologjinë hapësinore me zhvillimin urban, punën humanitare dhe sipërmarrjen. Në një intervistë për BusinessMag, ai ndalet tek fëmijëria në Kosovë, përvojat me UNHCR dhe motivimin për të krijuar platforma të reja.

“Dija nuk mund të ndalet nga asnjë pengesë”

“I kam kaluar vitet e para të shkollimit tim në një realitet të vështirë, ku shpesh mësimi bëhej në të ashtuquajturat ‘shtëpi-shkolla’. Kjo përvojë jo vetëm që na sfidoi si gjeneratë, por më mësoi se dija dhe përkushtimi nuk mund të ndalen nga asnjë pengesë,” tregon Kajtazi. Shkollën e mesme e përfundoi në Shkollën Teknike në Prishtinë dhe më pas u diplomua për Arkitekturë. “Periudha e shkollimit tim ishte nën regjimin e Slobodan Milosheviçit. Ishte kohë e okupimit, por pikërisht aty kuptova sa e vlefshme është shkolla dhe dija.” Pas luftës, eksperienca e parë me Kombet e Bashkuara për Veprim Kundër Minave i hapi një drejtim të ri: “Ishte hera e parë që përdora GIS-in për hartëzimin e fushave të minuara. Atëherë kuptova qartë se teknologjia hapësinore nuk është thjesht teori, por një mjet jetik që shpëton jetë, ndihmon komunitetet dhe rindërton shoqëri.”

“GIS-i nuk është vetëm teknologji, është mision”

Rrugëtimi i tij në GIS nuk u ndal aty. “Në Institutin për Planifikim Hapësinor pata mundësinë të institucionalizoja përdorimin e sistemeve hapësinore për menaxhimin e territorit. Kuptova se gjeoinformacioni orientojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe vendimmarrje më të mençur.” Më pas, specializimi në Universitetin e Twente në Holandë i hapi perspektivë ndërkombëtare. “Masteri në ITC më dha jo vetëm baza akademike të forta, por edhe një vizion më të gjerë për mënyrën se si GIS-i ndihmon qytetet dhe komunitetet të përballen me sfida komplekse.” Eksperiencat në Gjeorgji, Jordani, Irak, Afganistan, Filipine, Myanmar e deri në SHBA e kanë forcuar bindjen e tij. “Kudo që kam punuar, GIS-i ka qenë ura lidhëse ndërmjet teknologjisë dhe nevojave reale të njerëzve, qoftë për menaxhim krize, qoftë për planifikim urban apo rindërtim pas konflikteve.”

Pjesa më e rëndësishme e karrierës së tij lidhet me UNHCR. “Për mua, puna në UNHCR nuk është thjesht një karrierë profesionale,  është një angazhim njerëzor. Fillova në Afganistan, në një nga programet humanitare më sfiduese, ku kuptova se informacioni i saktë dhe i shpejtë mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes.” Në rolin global në Zvicër, thotë: “Çdo projekt dhe çdo hartë që kemi ndërtuar ka qenë një pjesë e vogël e një përpjekjeje shumë më të madhe për të mbrojtur jetë njerëzish dhe për t’i dhënë zë atyre që shpesh mbeten të padukshëm.”

Lexo edhe:Bujtina “Pazari i Vjetër”, kthimi në rrënjët e shijes dhe mikpritjes hasjane!

“Shpirti im sipërmarrës ka lindur nga nevoja”

Përtej organizatave ndërkombëtare, Kajtazi ka krijuar platforma të tijat. “Shpirti im sipërmarrës ka lindur nga nevoja dhe nga bindja se gjithmonë ka hapësirë për të bërë gjërat më mirë. Nuk doja të mbetesha vetëm konsumues i sistemeve ekzistuese, por të krijoja zgjidhje që e bëjnë punën më të lehtë dhe më efikase.” Kështu lindi giskos dhe nisma të tjera të lidhura me përdorimin e GIS-it për planifikim urban dhe emergjenca. “Motivimi im më i madh është të përdor përvojën dhe kreativitetin për të sjellë zgjidhje që ndikojnë realisht tek njerëzit.”

“Kultura është po aq e rëndësishme sa teknologjia”

Edhe pse i përkushtuar ndaj teknologjisë, Bekimi ka një lidhje të fortë me kulturën. “Unë nuk e kam përkthyer personalisht romanin ‘Pse?!’ të Sterjo Spasses, por kam dashur të shpërndaj faktin që tashmë është i përkthyer. Është e rëndësishme që letërsia jonë të mos mbetet vetëm brenda kufijve tanë.” Sipas tij, “kultura na formon si njerëz, na jep identitet dhe na lidh me rrënjët. Në fund, qoftë përmes një platforme teknologjike apo një libri të shpërndarë, qëllimi im është i njëjtë,  të ndërtoj ura komunikimi mes njerëzve.”

Njohja në Marquis Who’s Who

“Publikimi i profilit tim në Marquis Who’s Who nuk është thjesht nderim personal, por pasqyrim i viteve të punës sime në terren, në institucione dhe në projekte ku teknologjia shërben për ndryshim real. Shpresoj që kjo të frymëzojë edhe të rinjtë shqiptarë e kosovarë,  të kuptojnë se puna e tyre mund të vlerësohet globalisht.”

Në fund, Bekim Kajtazi ka një mesazh për brezin e ri: “Besoni tek vetja dhe tek rrënjët tuaja. Mos e shihni faktin që vini nga një vend i vogël si pengesë, por si forcë,  sepse ju ka mësuar qëndrueshmëri dhe kreativitet. Ëndërroni globalisht, por ecni me krenari me kulturën tuaj.”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0