Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi është shprehur se BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Shqipërisë edhe pse nuk është akoma pjesë e saj. Shqipëria do të përfitojë nga një paketë prej 103.3 milionë eurosh grante të cilat u miratuan së fundmi nga Komisioni Evropian. Lajmi u bë me dije përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë në Twitter nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
https://twitter.com/LSorecaEU/status/1326893154486939649
“Për të ndihmuar me COVID-19, i kemi bërë disa ndreqje fondit aktual për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e sprovave sociale dhe ekonomike aktuale dhe të së ardhmes. Paralelisht, fondet e BE-së synojnë mbështetjen e reformave kyçe që nevojiten nga Shqipëria për të implementuar dhe vijuar përpara në rrugën e saj drejt BE-së,” – shkroi në Twitter Soreca duke cituar fjalët e Komisionerti të BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Ndërkohë, Komisioneri i Bashkimit Europian theksoi gjithashtu se fondet që BE-ja i caktoi vendit tonë do të mbështesin edhe reformat kryesore që Shqipëria duhet të zbatoj që të integrohet në familjen e madhe Evropiane.
“Bashkimi Evropian vazhdon të qëndrojë pranë Shqipërisë. Përballë krizës COVID-19, ne kemi bërë rregullime të fondeve ekzistuese për të ndihmuar Shqipërinë t’i rezistojë sfidave aktuale sociale dhe ekonomike. Në të njëjtën kohë, fondet e BE synojnë të mbështesin reformat kryesore që Shqipëria duhet të zbatojë për të ecur përpara në rrugën e saj Evropiane”, tha ai.
LEXO: BE: 400 mln euro për vaksinën Covid në vendet në zhvillim
Programi i miratuar nga KE përqendrohet në çështje të tilla si shteti i së drejtës, të drejtat themelore dhe qeverisja e mirë. Përmes tij ofrohet edhe ndihmë për të trajtuar më tej pasojat e krizës së COVID-19. Një pjesë e fondeve parashikohen për përmirësimin e kapacitetit të Strukturës së Posaçme Anti-korrupsionin (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe institucioneve të tjera të drejtësisë. Përmes këtyre fondeve parashikohen gjithashtu financime për programe ekzistuese si Erasmus+ dhe Horizon2020, apo dhe për zhvillimin dhe përparimin e çështjeve të pronësisë.
Më konkretisht programi ndahet në:
- BE për Qeverisje të Mirë (€48.1 milionë)
- Mbështetja e BE-së për pjesëmarrjen në Programet e Bashkimit Evropian (€1.5 milionë)
- Struktura e Integrimit në BE (€8.3 milionë)
- BE për Shtetin e së Drejtës (€5 milionë)
- BE për të Drejtat e Pronësisë (€5.7 milionë)
- Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) Faza II (€8.7 milionë)
- BE për Rimëkëmbjen Ekonomike (€26 milionë)
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.