Shqipëria do të përballet sot me një nga ekipet favorite për të fituar Euro 2024, Spanjën. BBC është ndalur tek kombëtarja kuqezi që thotë se ata mbeten “ambiciozë” për të siguruar një vend në fazën me eliminim direkt për herë të parë në historinë e tyre.
Media britanike shkruan se Spanja është kualifikuar ndërkohë si fituese në grupin B, ndërsa Shqipëria ndodhet e treta me një pikë.
“Shqipëria humbi me Italinë pavarësisht se shënoi golin më të shpejtë në historinë e Europianëve, si dhe u ringrit për të barazuar me Kroacinë 2-2 në minutat e fundit”, shkruan BBC.
Tashmë trajneri Silvinjo thotë se ekipi i tij do të luftojë për kualifikimin kundër Spanjës.
Ata janë një skuadër e fortë dhe do të jetë një lojë e fortë. Ne do të përpiqemi. Kemi lojtarë të zotë që janë ambiciozë dhe do të shikojmë të luajmë mirë kundër Spanjës”, tha ai.
BBC është ndalur edhe tek ato që ka thënë sulmuesi Arbër Hoxha. “Spanja është ekipi më i mirë i këtij grupi dhe jo vetëm i këtij grupi, por i të gjithë turneut”, tha ai.
Skuadra e Silvinjos është në një pozitë të vështirë, por trajneri brazilian tha se ekipi është krenar për paraqitjet në Gjermani deri më tani dhe se tani duan që të hedhin një hap më tej.
“Ka tre milionë shqiptarë në Shqipëri dhe më shumë se nëntë ose dhjetë milionë të tjerë nëpër botë. Ka një gjeneratë që nuk e ka parë ekipin në një kampionat europian. Të gjithë po bëjmë një punë të mirë. Jemi në lojë, krenarë dhe ambiciozë. Spanja është e fortë, por ne do të luftojmë për 90 minuta. Do të ishim të kënaqur nëse luanim në 1/16, por duhet të prodhojmë performancën më të mirë”, tha trajneri.
Kualifikimi i Spanjës është arritur, por për trajnerin Luis de la Fuente loja me Shqipërinë do të jetë e vështirë.
“Shqipëria ka tifozë fantastikë dhe tashmë e kanë krijuar një surprizë këtu. Do t’i qasemi lojës si të gjithë ndeshjeve të tjera, sikur të jetë e fundit. Kemi një strategji për lojtarët që mendojmë se janë gati për ndeshje. Po fokusohemi vetëm në fitore sepse duam të fitojmë në çdo ndeshje”, tha trajneri spanjoll.
Më tej media britanike rendit shanset e Shqipërisë.
“Shqipëria mund të dalë e dyta nëse mund Spanjën dhe Kroacia mund Italinë. Megjithatë nëse Kroacia fiton me dy gola më shumë se Shqipëria mund t’ua marrin pozitën kuqezinjve”, shkruan BBC.
Por prapë se prapë edhe nëse Shqipëria nuk arin të dalë e dyta ka shanse të përparojë në fazën tjetër si një nga katër skuadrat e tjera më të mira.
Më tej britanikja ndalet edhe tek vendimi i fundit i pezullimit me dy ndeshje të Mirlind Dakut. Sa i përket pjesës tjetër, e gjithë skuadra kuqezi është gati. Ndërsa trajneri i Spanjës flet për një rotacion në formacion duke u shprehur se, “gjëja e fundit që duan janë dëmtimet”.
Por çfarë thonë statistikat?
Sigurisht nuk flasin aspak mirë. Në 8 ndeshje, Shqipëria nuk ka fituar asnjë. Spanjollët përveçse i kanë fituar të gjitha, kanë shënuar 31 gola dhe kanë pësuar vetëm 3 nga Shqipëria. Ky është rekord i Spanjës në fakt ndaj Shqipërisë pasi si ndaj kuqezinjve, Lihtenshtejnit dhe Maltës njohin 100% fitore.
Shqipëria ka pësuar të paktën dy gola në tetë ndeshjet me Spanjën. Humbja 9-0 mbetet më e thella që kanë pësuar në një kualifikuese europiani në Dhjetor të vitit 1990.
Kuqezinjtë kanë shënuar golin e parë në të dy ndeshjet në Euro 2024 pavarësisht se nuk kanë arritur të fitojnë.
Nëse Spanja fiton ndeshjen ndaj Shqipërisë do të jetë hera e dytë në histori që i fiton tre ndeshjet e para në një Europian të gjitha. Herën e fundit, e bënë në 2008 kur fituan edhe kampionatin.
Nëse në ndeshje luan Pedri atëherë ai do të vendosë një rekord të ri, duke ia kaluar edhe Cristiano Ronaldos në lidhje me paraqitjet në një Europian.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.