BB: Rritje e qëndrueshme ekonomike në Ballkan, përkundër pasigurive - Business Magazine Albania

BB: Rritje e qëndrueshme ekonomike në Ballkan, përkundër pasigurive

rritje të moderuar ekonomike

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet me ritëm të moderuar në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike të krijuar si rezultat i ndryshimeve që po ndodhin në politikat tregtare globale, të cilat mund të ndikojnë në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve, thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar ditën e djeshme.

Banka Botërore parashikon se norma e përbashkët e rritjes ekonomike për Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.2% në vitin 2025, që përbën një rishikim me 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i mëparshëm. Rritja parashikohet të përshpejtohet në 3.5% në vitin 2026.

“Ne po vërejmë disa tendenca pozitive ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të cilat nxjerrin në pah qëndrueshmërinë e rajonit dhe mund të mbështesin rritjen solide të tij. Inflacioni i ulët dhe rritja e pagave mbështesin konsumin, ndërsa investimet publike po rriten,” thotë Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Nga ana tjetër, po vërejmë rritje të pasigurisë së brendshme në disa nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Bashkimin Europian dhe pasiguritë në rritje në tregtinë globale mundet gjithashtu të ndikojnë negativisht perspektivën e rritjes ekonomike të rajonit.”

Pasiguria në tregtinë globale ka gjasë të prekë Ballkanin Perëndimor, kryesisht si rrjedhojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në zonën e euros. Ky ngadalësim mund të pakësojë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat.

Raporti sugjeron se strategjitë më efikase për ruajtjen e stabilitetit ekonomik gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike janë diversifikimi i burimeve të rritjes dhe rinovimi i agjendës së reformave strukturore.

Lexo edhe: Ledia Bregu: Si SEPA dhe Open Banking po transformojnë pagesat dhe tregtinë elektronike në Shqipëri

Masat kryesore përfshijnë eliminimin e barrierave në tregun e punës – përfshirë ato që prekin gratë – forcimin e integrimit ekonomik rajonal, përmirësimin e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e konkurrencës në treg për të nxitur produktivitetin dhe mbështetur rritjen afatgjatë.

Veç kësaj, përshpejtimi i zbatimit të reformave të anëtarësimit në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor –siç janë anëtarësimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe futja e “korsive të gjelbra” për të përmirësuar tregtinë ndërkufitare – mund të nxisin rritjen e mëtejshme të besimit të biznesit, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.

Raporti thekson gjithashtu, se si rritja e temperaturave dhe ngjarjet ekstreme të motit, shoqëruar me kalimin drejt një ekonomie me nivele të ulëta karboni, po riformësojnë modelet sektoriale të punësimit në rajon, që kërkon përshtatje të konsiderueshme të forcës së punës. Reformimi i sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve të punësimit duhet të jetë prioritet për të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Kjo do t’i ndihmonte forcat e punës në këto vende të përballojnë ndikimet negative të shkaktuara nga ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet, thatësirat dhe zjarret, si dhe për të qenë të përgatitura për mundësi të reja punësimi si rezultat i tranzicionit të gjelbër.

Forcimi i sistemeve të mbrojtjes së të ardhurave nga puna për t’iu përgjigjur goditjeve ndaj punësimit dhe përmirësimi i fleksibilitetit të sistemeve të mbrojtjes sociale do të ndihmonte në parandalimin e rënies së individëve në varfëri.

Gjithashtu, rikualifikimi i punëtorëve për punë të gjelbra do të ndihmonte për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për aftësi, duke nxitur produktivitetin dhe rritjen ekonomike.

Burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0