Nga Fatima Gorezi – Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm në integrimin e saj në sistemin financiar ndërkombëtar, duke u bërë pjesë e zonës SEPA, një zhvillim që pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në pagesat dhe transfertat ndërkombëtare. Ledia Bregu, Drejtoreshë e Departamentit të Sistemeve të Pagesave dhe i Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë për Business Magazine, thekson se ky anëtarësim sjell përfitime të jashtëzakonshme për bizneset dhe qytetarët shqiptarë, si dhe mundësi për zhvillimin e tregtisë elektronike dhe hapjen e tregut të ri përmes open banking. Në këtë intervistë, ajo shpjegoi rëndësinë e skemave SEPA dhe mundësitë që ato ofrojnë për uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit të pagesave. Po ashtu, ajo diskutoi edhe sfidat dhe hapësirat për inovacion në sektorin financiar, si dhe rolin e fintech dhe open banking në përmirësimin e shërbimeve financiare për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në zonën SEPA. Çfarë do të thotë kjo në terma praktikë për qytetarët dhe bizneset shqiptare?
Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën SEPA është domethënëse në shumë dimensione. Krahas rëndësisë në kuadër të integrimit evropian, ajo sjell përfitime direkte për bizneset dhe qytetarët shqiptarë. Skemat SEPA konsiderohen si etaloni i pagesave me vlerë të vogël në terma të sigurisë, eficiencës dhe administrimit, çka nënkupton se qytetarët tanë do të kenë akses në praktikat më të mira ekzistuese të shërbimeve të pagesave, njësoj si të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian.
Thjeshtësia, shpejtësia dhe efikasiteti janë tre nga përfitimet kryesore të këtij anëtarësimi për bizneset dhe qytetarët shqiptarë, pasi ata do të kryenin pagesa dhe transferta sikur të ishin qytetarë evropian në vendet e BE dhe anasjelltas. Aktualisht transfertat dhe pagesat me vendet e BE dhe anasjelltas kryen nëpërmjet bankave korrespondente, një kanal i kushtueshëm dhe jo efikas në terma të kohës së ekzekutimit të transaksionit, monitorimin e finalizimit të tij, transparencës së kushteve të punës dhe mbrojtjes së konsumatorit. Nëpërmjet eliminimit të këtyre hallkave ndërmjetëse dhe pjesëmarrjes së bankave tona në skemat e pagesave SEPA, ulet kosto e transfertave, ulet koha e realizimit të tyre, rritet transparenca, por rritet edhe mundësia për mbrojtjen e konsumatorit final. Ligji për Shërbimet e Pagesave ofron rrjeta mbrojtëse për konsumatorin e shërbimeve të pagesave, të cilat në rastin e transfertave kur banka është pjesëmarrëse në skemë, funksionojnë në mënyrë më transparente dhe të sigurt.
Nga ana tjetër, anëtarësimi në SEPA mundëson realizimin e tregtisë elektronike duke krijuar potencialin e hapjes së bizneseve shqiptare në tregun e madh, atë evropian. Duke lehtësuar kryerjen e transaksioneve, bizneset shqiptare kanë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës, duke i siguruar partnerët evropianë se po marrin të njëjtin trajtim si brenda Unionit.
Transfertat ndërkufitare me Bashkimin Evropian nëpërmjet skemave SEPA kanë kosto më të ulët sesa ato aktuale, realizohen më shpejt dhe rrisin konkurrencën nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta. Gjithashtu, ato nxisin përfshirjen financiare, reduktojnë përdorimin e cash-it, nxisin zhvillimin e teknologjisë financiare.
Si pritet të ndikojë përfshirja në SEPA në kostot dhe shpejtësinë e transfertave ndërbankare për klientët shqiptarë?
Sikurse përmenda, skemat SEPA ofrojnë pagesa ndërkufitare në euro më të lira, më të shpejta dhe më të sigurta me vendet e Bashkimit Evropian. Sikurse është e njohur tashmë, marrëdhëniet tregtare të bizneseve shqiptare janë kryesisht me vende të Bashkimit Evropian, si për importe ashtu edhe për eksporte. Gjithashtu, pjesa më e madhe e remitancave për familjet shqiptare (rreth 80% e tyre) vjen nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila gjithashtu është pjesë e SEPA-s. Duke qenë se deri tani, transfertat ndërkufitare bëhen nëpërmjet bankave korrespondente, pra me disa lojtarë midis dërguesit dhe pranuesit të transfertës, komisionet e ndërmjetme janë të shumëfishta dhe të larta. Sipas një studimi të OECD, dërgimi i transfertave për remitancat në Ballkanin Perëndimor kushton deri në 6% të vlerës së transaksionit, një marzh ky i konsiderueshëm. Gjithashtu, për shkak të ndërmjetësve, koha e transfertës mund të zgjasë mesatarisht dy ditë pune, gjë që për bizneset nuk është komode në shumë raste. Në trasfertat me skemat SEPA, këta ndërmjetës eliminohen. Përcaktimi i çmimit të transfertave me këto skema mbështetet në faktin se ato nuk duhet të jenë më të shtrenjta sesa transfertat brenda vendit. Rrjedhimisht, vendosja e çmimit të transfertave në euro me vendet e BE-së do t’i referohet çmimeve që aplikohen për transferta në euro brenda vendit, të cilat janë disa fish me të lira sesa çmimet aktuale të transfertave ndërkufitare. Gjithashtu, ekzekutimi i transfertave SEPA bëhet në harkun e një dite.
Banka e Shqipërisë po shikon hapësirat për reduktimin e mëtejshëm të kostove për transfertat e brendshme në monedhën euro, gjë që potencialisht do të reflektohet edhe në kostot e transfertave ndërkufitare në euro, në skemat SEPA.
A ka patur sfida të veçanta gjatë procesit të anëtarësimit dhe cilat janë hapat e mbetur për një integrim të plotë?
Procesi sigurisht që ka qenë plot sfida, por kemi arritur t’i tejkalojmë ato falë dedikimit dhe bashkëpunimit me autoritete të tjera publike dhe me sistemin bankar shqiptar. Në këtë prizëm do ishte me vlerë të jepnim një kontekst të kërkesave për t’u anëtarësuar në SEPA dhe përgatitjeve tona që e mundësuan këtë akses.
Kriteret e vendosura nga Këshilli Evropian i Pagesave për vendet që kërkojnë të bëhen anëtare të SEPA përqendrohen në dy drejtime. Së pari, vendi aplikant duhet të tregojë lidhje të ngushta ekonomike me Bashkimin Evropian, dhe së dyti duhet të tregojë përputhjen e legjislacionit me Bashkimin Evropian në fushën e pagesave, por jo vetëm. Kjo e fundit zë dhe vëllimin më të madh në aplikim. Duke patur parasysh këto kërkesa, puna e Bankës së Shqipërisë për anëtarësimin në SEPA ka nisur që në vitin 2020, kur u bëmë pjesë e projektit ndërrajonal për Modernizimin e Pagesave dhe përshpejtuam procesin e përafrimit të legjislacionit tonë me acquis. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, u bë një vlerësim për përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me kriteret e pranimit në SEPA, nga e cila rezultoi se kishim arritur një nivel të lartë përputhshmërie. Në veçanti, u vlerësua se Shqipëria kishte përparuar dukshëm në përafrimin e legjislacionit të pagesave me atë evropian. Kështu, ishim vendi i parë në rajon që hartuam dhe miratuam Ligjin “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e këtij ligji, i cili transpozon Direktivën e BE-së për Shërbimet e Pagesave, të njohur si PSD2. Me qëllim përafrimin e plotë të kuadrit rregullator të pagesave me kriteret e SEPA, Banka e Shqipërisë përgatiti dhe miratoi edhe një rregullore të re, e cila transpozon të ashtuquajturën “rregullore e SEPA”, disa muaj para dorëzimit të aplikimit.
Një nga pikat delikate gjatë aplikimit ishte vlerësimi i pajtueshmërisë ligjore në drejtim të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit. Dalja e Shqipërisë nga lista gri në vitin 2023 hoqi një barrierë që pengonte plotësimin e kritereve për aplikim. Megjithëse legjislacioni jonë në fushën e pastrimit të parave vlerësohej përgjithësisht në përputhje me acquis, komunikime paraprake me Komisionin Evropian konkluduan se nevojiteshin ende disa ndryshime rregullatore. Pas një sërë diskutimesh intensive dhe me bashkëpunimin e Agjencinë e Inteligjencës Financiare, u hartua dhe u miratua rregullorja “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve”, e cili adresoi disa nga mangësitë e identifikuara. Krahas AIF-së, përgatitja e aplikimit kërkoi kontributin edhe të institucioneve të tjera, si Ministrisë së Drejtësisë, Autoritetit të Konkurrencës, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Jashtme, etj… pra shumë palë me të cilët drejtuam dhe koordinuam punën në një kohë relativisht shumë të shkurtër. Kjo ishte ndoshta dhe sfida jonë më e madhe. Banka e Shqipërisë ishte banka e parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor e cila në 12 qershor 2024 dorëzoi aplikimin pranë EPC, duke marrë një përgjigje pozitive vetëm gjashtë muaj më pas.
Lexo edhe: Bankat shqiptare pranohen në skemën SEPA
Në momentin që flasim, jemi në hapat e fundit të integrimit të plotë teknik. Me miratimin e përfshirjes së Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA, institucionet tona të pagesave përgatitën aplikimet individuale për të qenë pjesëmarrëse në skemën e transfertave të kreditit SEPA. Edhe ky proces u koordinua dhe u drejtua plotësisht nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave. Aplikimet e të gjitha bankave (11) janë pranuar e miratuar dhe shumë shpejt të gjitha bankat do të regjistrohen si palë të akesueshme në skemën SEPA CT. Këshilli Evropian i Pagesave ka vendosur që subjektet nga Shqipëria të nisin transaksionet e pagesave në skemë jo më herët se data 6 tetor. Ky është një vendim që u mor për të gjitha vendet e Ballkanit dhe Moldavinë të cilat u pranuan në zonën gjeografike SEPA. Bankat tona janë angazhuar të nisin kryerjen e transaksioneve të para ndërkufitare në euro me BE-në prej datës 7 tetor, që përkon dhe me datën e parë më të hershme që një entitet i ri mund të jetë live në sistemet e pagesave evropiane.
Praktikisht Shqipëria shënon vendin e parë në Ballkan që të gjitha Bankat aplikojnë e pranohen në skemën SEPA duke treguar kështu një zhvillim e maturitet në avantazh, për t’i ofruar qytetarëve e bizneseve shqiptare shërbime të njëvlershme pagesash me ato të qytetarëve e bizneseve evropiane.
Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka licencuar disa operatorë fintech për open banking. Çfarë kriteresh duhet të plotësojnë këta operatorë për të marrë licencën?
Po, Banka e Shqipërisë ka licensuar deri tani dy Institucione Pagesash të cilat mund të shfrytëzojnë Open Banking dhe të ofrojnë shërbime të Inicimit të Pagesave apo shërbime të Informimit të Llogarisë së Pagesave, gjithashtu tashmë janë bërë dhe transaksionet e para live në kanalet Open Banking midis këtyre institucioneve dhe bankave.
Në open-banking, roli i fintech, pra i ofruesve të shërbimeve për inicimin e pagesave dhe informimit të llogarive, mund të ofrohet nga të gjithë ofruesit e shërbimeve të pagesave ku përfshihen bankat, institucionet e parasë elektronike dhe institucionet e pagesave të licencuar nga ligji “Për shërbimet e pagesave”, transpozim i direktivës evropiane PSD2, e cila ka prezantuar konceptin e open-banking në Evropë.
Në praktikë këtë lloj veprimtarish vërehet se lulëzojnë kryesisht nga aktorë të rinj të cilët kanë një ekspertizë apo profil më të theksuar në Tekonologjinë e Informacionit dhe licencohen si institucione të Parasë Elektronike ose Institucione të Pagesave me qëllim që t’i ofrojnë klientëve të bankave mundësi për të kryer pagesa alternative elektronike ose të kenë një informacion të konsoliduar të të gjithë llogarive që mund të zotërojnë klientët në institucione të ndryshme.
Në këtë këndvështrim, kërkesat për këto lloje veprimtarish janë të njëjta me ato të institucioneve të parasë elektronike dhe të pagesave, ose potencialisht Bankave por duke iu përshtatur veprimtarisë specifike, kriteret dhe dokumentacioni përkatës i kërkuar sipas modelit të biznesit, gjenden në legjislacionin dhe rregulloret e publikuara në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, praktikisht në Ligjin “Për Sherbimet e Pagesave” dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij që lidhen me licensimin.
Open banking pritet të sjellë më shumë konkurrencë në sektorin financiar. A e shihni këtë si një sfidë për bankat tradicionale dhe si mund të përfitojnë ato nga ky trend?
Arsyeja kryesore e hartimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave” ka qenë pikërisht nxitja e konkurrencës dhe e inovacionit nëpërmjet hyrjes së aktorëve të rinj dhe shërbimeve inovative që përmendëm më parë. Padyshim që open-banking dhe hyrja e aktorëve të rinj është një sfidë për bankat tradicionale, por njëkohësisht ne vlerësojmë se është edhe një mundësi e madhe për transformimin e tyre dhe zgjerimin e aktivitetit.
Në këndvështrimin tonë sfida kryesore lidhet me eliminimin e rolit “monopolistik” që kanë pasur bankat në fushën e pagesave dhe kryesisht atyre elektronike. Në këto kushte rritja e konkurrencës dhe në një farë mënyre nevoja e imponuar për inovacion përbën një sfidë për bankat dhe njëkohësisht ushtron presion edhe në komisionet e aplikuara dhe si rrjedhojë edhe në të ardhurat e tyre nga kjo veprimtari.
Megjithatë, këto sfida mund të kthehen edhe në oportunitete nëse bankat përqafojnë politika strategjike. Më konkretisht, prezantimi i fintech mund të zgjerojë aktivitetin e bankave nëse do të trajtohen si partnerë. Ata mund t’i ndihmojnë të prezantojnë shërbime të reja si p.sh., përdorimi i aplikacioneve të palëve të treta për buxhetim, kredi, analiza shpenzimesh, etj.
Nga ana tjetër të tilla platforma dhe shërbime mund të ndihmojnë bankat të zgjerojnë bazën e tyre të klientëve duke nxitur në përfshirjen financiare të popullsisë nëpërmjet inovacionit dhe dixhitalizimit.
Së fundi por jo më pak e rëndësishme, hapja e të dhënave nga të gjitha palët, sjell përfitime edhe për bankat. Më konkretisht, informacionet e gjeneruara nga openbanking të shoqëruara dhe me investime në teknologji krijojnë potencial për bankat që të krijojnë produkte më të personalizuara dhe tërheqëse për klientët e tyre nga një njohje më e mirë e profilit dhe sjelljes konsumatorë të klientit. Nga ana tjetër investimet e ndërmarra në kuadër të openbanking mund të shërbejnë për të ofruar dhe produkte të tjera në platformat online të tilla si kredia dhe investimet duke u drejtuar kështu drejt konceptit të open-finance.
Lexo edhe: Shqipëria hyn në epokën e Bankingut të Hapur – Transaksioni i parë i suksesshëm!
Çfarë masash sigurie janë vendosur për të mbrojtur të dhënat e konsumatorëve në një mjedis ku bankat dhe palët e treta ndajnë informacione financiare?
Pa diskutim që në një treg ku është implementuar open-banking në të cilin ndarja e informacionit për klientin përbën bazën, është shumë e nevojshme të ndërmerren masa në disa dimensione. Banka e Shqipërisë bazuar në praktikat e BE ka ndërmarrë një sërë mashash.
Si hallkë e parë dhe rëndësishme vlerësohet nevoja e licencimit dhe e mbikëqyrjes së vazhdueshme të subjekteve pjesëmarrëse në openbanking. Praktikisht këto të dhëna mund të përdoren vetëm nga subjekte të mirërregulluara dhe të mbikëqyrura për zbatimin e rregullave të vendosura.
Nga pikëpamja e sigurisë, ofruesve të shërbimeve të pagesave u kërkohet Autentifikimi i Thelluar i klientit (SCA – Strong Customer Authentication) i cili kërkon përdorimin e dy ose më shumë faktorëve të pavarur për të vërtetuar identitetin e përdoruesit dhe zbatimi është i detyrueshëm për të gjitha transaksionet elektronike.
Nga ana tjetër kuadri ligjor e rregullativ kërkon enkriptimin e të dhënave si në transmetimin e tyre ashtu edhe në ruajtjen në bazat e të dhënave. Nga ana tjetër, ligji parashikon masa të qarta në zbatim të standardeve evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale (në përputhje me GDPR). Më konkretisht, klienti duhet të japë pëlqim të qartë dhe të informuar për ndarjen e të dhënave me një palë të tretë. Nga ana tjetër, palët e treta nuk mund të aksesojnë më shumë informacion se sa është e nevojshme për shërbimin e kërkuar. Së fundmi në ligj parashikohet dhe të drejtën e klientëve për të “tërhequr pëlqimin” në çdo kohë.
Krahas këtyre masave legjislacioni parashikon se bankat duhet të ofrojnë API të dedikuara, që lejojnë palët e treta të kenë akses të kontrolluar dhe të sigurt në të dhënat e konsumatorëve, dhe për këtë qëllim është përcaktuar të jetë standardi i implementuar në BE i njohur si Berlin Group standard. Për këtë qëllim subjektet kanë marrë edhe certifikatat përkatëse të sigurisë nga AKSHI dhe entitet e licencuara në BE.
A ka një strategji afatgjatë Banka e Shqipërisë për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të fintech-ve dhe inovacionit financiar në vend?
Përtej strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023) e cila ishte themeli kryesor i promovimit të inovacionit në bazë të të cilës u prezantua PSD2 dhe open banking, po punohet për implementimin e Instant Payments. Këto zhvillime nga njëra anë janë duke suportuar me një strategji për Edukimin Financiar të miratuar nga Banka e Shqipërisë si dhe po punojmë për një strategji të re e cila do të synojë nxitjen e mëtejshme të përdorimit të pagesave elektronike. Krahas këtyre zhvillimeve, sigurisht nëpërmjet procesit të integrimit, do të ndjekim hap pas hapi strategjinë përkatëse të Bashkimit Evropian për dixhitalizimin e shërbimeve bankare.
Si do të ndikojë hyrja në SEPA dhe zhvillimi i open banking në rritjen e përfshirjes financiare, sidomos për bizneset e vogla dhe qytetarët që nuk përdorin ende shërbime bankare? Kam parasysh këtu që ne vijmë nga një mentalitet paksa mosbesues ndaj parasë elektronike, jemi një popull që e duam paranë cash?
Është e vërtetë që vijmë nga një mentalitet ku përdorimi i cash-it është ende i rrënjosur thellë dhe lidhet sigurisht me besimin. Jemi dëshmitarë që një pjesë e konsiderueshme e marrëdhënieve kryhen me cash, por jemi gjithashtu dëshmitarë se ky mentalitet po ndryshon gradualisht. Kjo është më tepër e dukshme tek gjeneratat më të reja të cilat po përqafojnë risitë teknologjike të reflektuara në dixhitalizimin e shërbimeve të pagesave. Një nga pengesat për përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave, veçanërisht për transfertat ndërkufitare, ka qenë kosto e lartë e tyre. Sikurse e përmendëm, SEPA e adreson më së miri këtë pengesë. Duke patur parasysh se instrumentet e pagesave elektronike ofrojnë edhe dy elemente superiore krahasuar me përdorimin e cash-it në rastin e veprimeve ndërkufitare – siguri dhe shpejtësi – është racionale të presim që pjesëmarrja në SEPA do të nxisë përfshirjen në shërbimet bankare, edhe të atyre shtresave të cilat sot qëndrojnë larg bankave. Gjithashtu, ne kontekstin e zgjerimit të marrëdhënieve tregtare me vendet e Bashkimit Evropian, rritjes së turizmit me këto vende dhe rritjes të konkurrencës së produkteve tona në tregun evropian, presim që edhe kompanitë dhe qytetarët shqiptarë të adoptojnë ndryshime pozitive në qasjen ndaj kryerjes së pagesave, duke shmangur përdorimin e cash-it dhe duke preferuar instrumentet elektronike të pagesave. Në këtë mënyrë, SEPA shërben, pse jo edhe si instrument edukues për përdorimin e pagesave elektronike, dhe mbështet zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës.
Open banking shkon përtej kuptimit të ngushtë të përfshirjes financiare – disponimit të një llogarie për shërbime pagesash. Ai hap rrugën për më shumë konkurrencë dhe inovacion në sektorin financiar, duke e bërë më të thjeshtë qasjen ndaj shërbimeve financiare. Disa shembuj të përdorimit të open banking i përmendëm pak më parë. Për shkak të konkurrencës së shtuar midis bankave tradicionale dhe fintech-eve, open banking nxit uljen e tarifave, dhe i mundëson përdoruesve të kenë akses në një gamë më të gjerë shërbimesh që më parë mund të mos i kishin. Duke analizuar të dhënat e përdoruesit në kohë reale, ofruesit e shërbimeve financiare mund të krijojnë produkte të personalizuara. Në këtë mënyrë, open banking i jep mundësi njerëzve që nuk kanë një marrëdhënie tradicionale me bankat (si emigrantë, apo njerëz me histori të kufizuar financiare) të qasen në produkte financiare përmes vlerësimeve alternative. E thënë ndryshe, open banking ofron një mori alternativash për të lidhur konsumatorët me shërbimet financiare dhe për të siguruar që më shumë individë të përfshihen në sistemin financiar në mënyrë të barabartë.
A mund të presim hapa të mëtejshëm për harmonizimin e rregullave të tregut financiar shqiptar me ato të Bashkimit Europian, si pjesë e procesit të integrimit? Çfarë vjen pas SEPA dhe OpenBanking?
Patjetër që përpjekjet tona do të vijojnë në kuadër të dixhitalizimit dhe inovacionit nga njëra anë si një objektiv kombëtar në tregun e pagesave por edhe në kuadër të integrimit evropian.
Kështu, procesi i harmonizimit me BE-në në të ardhmen mund të konsiderohet tepër dinamik. Shqipëria tashmë ka hedhur hapat e parë me PSD 2 dhe kuadrit rregullativ të SEPA, ndërsa në horizont shfaqen rregullorja e instant payment e cila ndryshon PSD2, PSD3 dhe rregulloja e shërbimeve të pagesave. Nga ana tjetër BE po implementon dhe aktin DORA me qëllim nxitjen e sigurisë ë kibernetike të shërbimeve financiare.
PSD 3 dhe Rregullorja për shërbimet e pagesave
Më konkretisht kjo rregullore vlerësohet se do të ndikojë:
Parandalimin e mashtrimit dhe përmirësimet e sigurisë nga:
- Përmirësimi i Autentifikimit të Fortë të Klientit (SCA): Zbatim më konsistent dhe sqarim i përjashtimeve.
- Qasja në të dhënat e mashtrimit: Bankat dhe ofruesit e pagesave duhet të ndajnë të dhëna të lidhura me mashtrimin midis tyre.
- Të drejtat e kompensimit të mashtrimit: Konsumatorët marrin të drejta më të forta për kompensim për mashtrim, madje edhe në sulme komplekse inxhinierike sociale.
- Përmirësime të openbanking:
- Parashikime për operimin e API-të: AISP-të dhe PISP-të duhet të kenë akses në API-të që funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase; mekanizmat fallback duhet të plotësojnë standardet minimale.
- Akses më i mirë në të dhëna: Të drejta më të gjera dhe më të qarta për AISP-të për të aksesuar informacionin e llogarisë dhe ndalimi i bankave që bllokojnë aksesin sipas justifikimeve të paqarta të sigurisë.
- Thjeshtimi i përdorimit të openbanking : Hyrja më e lehtë e klientit dhe flukset më të thjeshta të dhënies së pëlqimeve.
Rregullorja e Instant payment
Banka e Shqipërisë është duke punuar gjithashtu për zbatimin një sistemi instant payment në Shqipëri. Në këtë drejtim, rregullorja dhe rregullat e skemës së instant payment publikuar rishtazi nga BE vlerësojmë se do të ndihmojë ndjeshëm në zbatimin me sukses të këtij projekti.
Risitë kryesore të kësaj rregulloreje
- Pagesa të menjëhershme të detyrueshme për të gjitha bankat
- Pagesat duhet të përpunohen 24/7/365, brenda 10 sekondave.
- Tarifat për pagesat instant nuk duhet të jenë më të larta se ato për transfertat aktuale
- Verifikimi i përputhshmërisë së IBAN-it me emrin e përfituesit
- Kontrolli i sanksioneve në kohë reale;
- Akses i jobankave në Sistemet e Pagesave me Vlerë të madhe.
DORA – Digital Operational Resilience Act
Kjo rregullore ka për qëllim të forcojë qëndrueshmërinë operacionale dixhitale të subjekteve financiare në BE dhe të sigurojë që ato të jenë të afta të përballojnë, të reagojnë dhe të rikuperohen nga incidente teknologjike dhe kibernetike.
Risitë kryesore:
- Standardizon rregullat për sigurinë kibernetike dhe teknologjinë për të gjitha institucionet financiare si dhe përcakton qëndrueshmërinë dixhitale si pjesë e detyrueshme të menaxhimit të rrezikut të këtyre institucioneve.
- Përcakton si detyrim për institucionet financiare të mbikëqyrin dhe menaxhojnë rrezikun që vjen nga kontraktorët e jashtëm, sidomos ofruesit e teknologjisë (p.sh., shërbimet cloud). Në këtë kuadër parashikohet dhe krijimi i një regjistër i detajuar për të gjithë ofruesit palë të treta, dhe detyrime të reja kontraktuale për transparencë, auditim dhe sigurinë e tyre.
- Raportimi i incidenteve. Subjektet janë të detyruara të identifikojnë, klasifikojnë dhe raportojnë incidentet brenda afateve të caktuara me qëllim rritjen e transparencës dhe reagimin në kohë ndaj sulmeve apo ndërprerjeve teknologjike.
- Testimi i rregullt i qëndrueshmërisë (Threat-led Penetration Testing – TLPT) për institucionet më të mëdha financiare.
Cili është vizioni juaj për të ardhmen e sistemit të pagesave në Shqipëri?
Banka e Shqipërisë e ka shprehur qartazi strategjinë se saj në fushën e sistemeve të pagesave që prej vitit 2018. Vizioni ynë në këtë segment të tregut është krijimi i një tregu bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël. Për këtë qëllim ne do vijojmë të zhvillojmë infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe të promovojmë zhvillimin dhe përdorimin e një gamë sa më të gjerë të instrumenteve dhe shërbimeve të pagesave në përmbushje të nevojave e qytetareve. Gjithashtu, për të nxitur zhvillimin e tregut ne do të promovojmë bashkëpunimin dhe ndëveprueshmërinë me vendet e Ballkanit Perëndimor me fokus kryesor krijimin e një tregu të integruar me atë evropian dhe i përshtatur me standardet më bashkëkohore në terma të kohës (në kohe reale), të eficiencës (me kosto të ulëta/pa kosto dhe të thjeshta), të sigurisë (me standardet më të mira të autentikimit dhe sigurisë) dhe të aksesueshme për të gjitha shtresat.
Në këtë drejtim, përtej ndërhyrjeve ligjore e rregullative të cilat do ndërmarrim në kuadër të integrimit evropian dhe që përmenda pak me parë, ne do të vijojmë punën për krijimin e një ekosistemi modern, gjithëpërfshirës dhe efikas, që mbështet zhvillimin ekonomik dhe përmirëson përvojën e qytetarëve dhe bizneseve. Disa nga shtyllat kryesore në këtë drejtim do të jenë:
- Digjitalizim i plotë i pagesave nëpërmjet operacionalizimit të sistemit instant payment dhe promovimin e mëtejshëm të openbanking duke synuar që këto mjete të bëhen normaliteti dhe mentaliteti i ri i qytetarëve shqiptarë, në zëvendësim të cash-it.
- Nxitja e mëtejshme e përfshirjes financiare duke synuar nivelet e Bashkimit Evropian.
- Interoperabilitet midis tregjeve të Rajonit dhe Bashkimit Evropian
- Siguri dhe besueshmëri – Investime të vazhdueshme në teknologji për të garantuar mbrojtjen e të dhënave dhe parandalimin e mashtrimeve.
- Zhvillimi i një kulture të re pagese – Edukimi i qytetarëve dhe bizneseve për përfitimet e pagesave digjitale dhe inkurajimi i bizneseve për të pranuar mënyra moderne pagese.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.