Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, përdor prej vitesh kartëmonedha të personalizuara prej 2 dollarësh - Business Magazine Albania

Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, përdor prej vitesh kartëmonedha të personalizuara prej 2 dollarësh

Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, përdor prej vitesh kartëmonedha të personalizuara prej 2 dollarësh

Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, ka përdorur për dekada me radhë kartëmonedha të personalizuara prej 2 dollarësh, një shaka e ligjshme që është kthyer në një nga historitë më të çuditshme dhe argëtuese të botës së teknologjisë.

Wozniak, sot 75 vjeç, e rrëfeu këtë zakon të pazakontë në një intervistë të vitit 2011 për Engadget, e cila së fundmi është rishfaqur online. Gjatë intervistës, ai doli në skenë me një bllok kartëmonedhash të personalizuara për t’ia treguar publikut. “Kam gjetur një shtypshkronjë në qytetin tim të lindjes, Los Gatos, Kaliforni, për të më prodhuar këto blloqe,” tregonte Wozniak. “I solla materialet nga një shtypshkronjë me cilësi më të lartë dhe kartëmonedhat janë të perforuara, që t’i shkëpusësh si pullat Green Stamps.”

Në pamje të parë, këto nuk janë kartëmonedha tipike prej 2 dollarësh, të cilat zakonisht mbajnë portretin e Thomas Jefferson-it dhe prodhohen nga përzierja e pambukut me lirin. Kartëmonedhat e Wozniak kanë një detaj të pazakontë: mbi to është stampuar emri i tij, “WOZ”. “Nuk jam i sigurt nëse është presidenti i duhur. Numrat serialë duken shumë të dyshimtë, por ende mund ta nuhasësh bojën. Prandaj mos e prek, se është pak e njomë,” bënte shaka ai.

Wozniak theksonte se nuk i ka printuar vetë kartëmonedhat, pasi kjo do të ishte e paligjshme dhe një krim federal. Në vend të kësaj, ai porosiste fletë origjinale, të paprerë, nga U.S. Bureau of Engraving and Printing dhe më pas bashkëpunonte me një shtypshkronjë në Kaliforni për t’i lidhur në blloqe dhe për t’u shtuar perforime. “Ato përmbushin standardet e qeverisë amerikane. Me ligj, janë para të ligjshme dhe unë i kam përdorur për të paguar,” shpjegonte ai, duke shtuar me humor: “Mund të arrestohesh për to, por nuk mund të dënohesh, sepse ligjërisht je në rregull.”

Lexo edhe: Sa miliona fiton Mariah Carey nga “All I Want for Christmas Is You”?!

Në një postim të vjetër në faqen e tij personale, të cituar nga Snopes, Wozniak shkruante se kartëmonedhat ishin “thjesht për humor”. Ai shpjegonte se Byroja e Shtypjes dhe Gdhendjes shet fletë kartëmonedhash të paprerë prej 1, 2 dhe 5 dollarësh, në madhësi me 4, 16 ose 32 kartëmonedha për fletë. “Unë blej këto fletë me kartëmonedha prej 2 dollarësh,” shkruante ai. “I mbaj fletët e mëdha të palosura në xhep dhe ndonjëherë nxjerr gërshërët për të prerë disa copë e për të paguar në dyqan. Është thjesht për humor, sidomos kur mendon se një kartëmonedhë prej 2 dollarësh më kushton pothuajse 3 dollarë.” Sipas Wozniak, ai pothuajse ka pasur probleme edhe me Shërbimin Sekret amerikan. Gjatë një ndalese, ai u përgjigj me një tjetër dokument “shaka”, duke dorëzuar një ID të printuar vetë, ku shfaqej me një fashë në sy dhe ku titulli i tij ishte “oficer sigurie lazeri” në “Departamentin e Sfidës”.

Megjithatë, ai pretendon se Shërbimi Sekret i ka aprovuar kartëmonedhat e tij tri herë dhe kjo nuk e ka ndalur aspak që t’i përdorë ato në jetën e përditshme. Edhe pse disa biznese – si një In-N-Out Burger në Kaliforni – kanë refuzuar t’i pranojnë, shumë prej këtyre kartëmonedhave kanë qarkulluar ndër vite. “Shumë prej tyre janë ende në qarkullim,” tregonte Wozniak në intervistën e vitit 2011. “I kam përdorur në Los Gatos për më shumë se 20 vjet.” Wozniak, i cili bashkëthemeloi Apple në vitin 1976 së bashku me Steve Jobs, ka zbuluar gjithashtu se u ka shitur miqve fletë kartëmonedhash, duke u marrë 5 dollarë për katër kartëmonedha prej 2 dollarësh. “Po ju them,” bënte shaka ai. “Ajo që po blini vlen 50 dollarë — do të ishit budallenj të mos e merrnit për pesë.”

people

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0