Australia do të ndalojë edhe YouTube për fëmijët nën 16 vjeç - Business Magazine Albania

Australia do të ndalojë edhe YouTube për fëmijët nën 16 vjeç

Australia ka vendosur të përfshijë platformën YouTube në ndalimin historik të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke hequr përjashtimin e mëparshëm që kishte planifikuar për këtë platformë.

Ky ndalim, i pari në llojin e tij në nivel global, pritet të hyjë në fuqi në dhjetor dhe do të kufizojë aksesin në platformat TikTok, Instagram, Facebook, X dhe Snapchat për të miturit. Fillimisht, YouTube nuk ishte përfshirë në listë, por pas shqyrtimit të rekomandimeve nga autoritetet përkatëse, qeveria vendosi ta shtojë edhe këtë platformë. Sipas vendimit të ri, adoleshentët do të mund të shikojnë video në YouTube pa qenë të regjistruar, por nuk do të kenë mundësi të hapin llogari, çka i pengon të postojnë përmbajtje apo të ndërveprojnë me përmbajtjen ekzistuese. YouTube, që është në pronësi të kompanisë Google, ka argumentuar se nuk duhet të konsiderohet si rrjet social, duke theksuar se “platforma ofron përfitime dhe vlera për të rinjtë australianë”. “YouTube nuk është rrjet social,” thuhet në deklaratën e saj të publikuar të mërkurën.

Ndërkohë, iniciativa e Australisë po ndiqet me vëmendje nga vende të tjera: Norvegjia ka shpallur një nismë të ngjashme, ndërsa Mbretëria e Bashkuar është në proces vlerësimi për të ndjekur të njëjtin shembull. “Rrjetet sociale po shkaktojnë dëm social për fëmijët tanë dhe dua që prindërit australianë ta dinë se qeveria është në krah të tyre,” deklaroi Kryeministri Anthony Albanese për mediat. Ai shtoi se, ndonëse ndalimi nuk është një zgjidhje përfundimtare, “do të bëjë një ndryshim domethënës”.

Lexo edhe:Themeluesi i YouTube ngre alarmin: Videot e shkurtra dëmtojnë fëmijët

Komisionerja për Sigurinë Dixhitale të Australisë, Julie Inman Grant, muajin e kaluar rekomandoi përfshirjen e YouTube në ndalim, pasi platforma u identifikua si “më e përmendura nga fëmijët e moshës 10 deri në 15 vjeç”, për ekspozim ndaj përmbajtjeve të dëmshme. Pas vendimit të fundit, një zëdhënës i YouTube deklaroi se kompania do të “vlerësojë hapat e mëtejshëm” dhe do të “vazhdojë të angazhohet me qeverinë”. Mediat australiane raportuan javën e kaluar se Google kishte kërcënuar me veprime ligjore nëse YouTube përfshihej në ndalim, duke argumentuar se kjo do të cenonte lirinë e shprehjes, përfshirë atë politike.

Ministrja Federale e Komunikimeve, Anika Wells, deklaroi se ndonëse rrjetet sociale kanë vendin e tyre, “nuk kanë vend për algoritme grabitqare që synojnë fëmijët”. Ajo e krahasoi sfidën me përpjekjen për të mësuar fëmijët të notojnë “në një oqean të hapur me rryma të forta dhe peshkaqenë, krahasuar me një pishinë të mbikëqyrur në komunitet”. “Nuk mund të kontrollojmë oqeanin, por mund të patrullojmë peshkaqenët – dhe për këtë arsye nuk do të intimidohemi nga kërcënimet ligjore. Ky është një betejë e vërtetë për mirëqenien e fëmijëve tanë,” u shpreh Wells. Përjashtimet nga ndalimi do të përfshijnë aplikacione të lojërave online, mesazheve, edukimit dhe shëndetit, të cilat, sipas qeverisë, “shkaktojnë më pak rreziqe për të miturit”. Sipas legjislacionit të ri, kompanitë teknologjike që nuk zbatojnë kufizimet e reja të moshës mund të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 32.5 milionë dollarë amerikanë). Ato do të jenë të detyruara të çaktivizojnë llogaritë ekzistuese të përdoruesve nën 16 vjeç dhe të ndalojnë krijimin e llogarive të reja, si dhe të pengojnë çdo përpjekje për të anashkaluar rregullat.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0