Nga Eni Muça – Të ndërmarrësh rrugën jashtë vendit, larg familjes, miqve dhe rrjetit profesional që ke ndërtuar me mund, është një sfidë që kërkon guxim. Për Aurrel Kondin, ky ishte fillimi i një kapitulli të ri në Berlin, një qytet ku duhej të ndërtonte gjithçka nga e para. Mes pengesave të gjuhës, kulturës dhe një tregu pune konkurrues, ai zgjodhi të mos dorëzohej. Përkundrazi, sfidat i shndërroi në mundësi për të zbuluar veten dhe për të ndërtuar ura të reja lidhjeje. Sot, si një nga figurat kyçe në rrjetin global Illyrian Brains dhe si anëtar bordi në Business Network Albania, Aurrel Kondi është kthyer në një zë të rëndësishëm për diasporën shqiptare. Me përkushtimin e tij për të lidhur profesionistët shqiptarë kudo në botë me atdheun, ai është shembull i fuqisë së komunitetit dhe vizionit që shkon përtej kufijve.
Kemi zhvilluar një intervistë me Aurrelin, për të na treguar më shumë rreth sfidave, vizionit dhe nismave që ai drejton.
1-Cili ka qenë momenti më sfidues gjatë ndërtimit të karrierës tënde jashtë vendit, dhe si e ke transformuar atë në një pikë kthese për zhvillimin tënd profesional e personal?
Pa dyshim, momenti më sfidues gjatë ndërtimit të karrierës sime jashtë vendit ishte fillimi në Berlin. Lashë pas jo vetëm familjen dhe miqtë, por edhe gjithë rrjetin profesional dhe komoditetin që kisha ndërtuar në Shqipëri. U përballa me një realitet krejt ndryshe: një gjuhë që nuk e flisja mirë, një kulturë që duhej ta kuptoja nga fillimi, dhe një treg pune tepër konkurrues. Fillimisht punova në disa pozicione jashtë fushës time, por ajo që e bëri këtë periudhë një pikë kthese ishte se në vend që ta shihja si dështim, e mora si një mundësi për të kuptuar më thellë veten. Kjo më ndihmoi të zbuloja se forcat e mia nuk ishin thjesht teknike, por qëndronin me shume tek komunikimi, krijimtaria dhe aftësia për të lidhur njerëzit. Kjo e çoi rrugën time drejt marketingut dixhital, industrisë së real estate, dhe krijimit të përmbajtjes në rrjete sociale, fusha ku mund të shpreh veten dhe të jap vlerë në mënyrë autentike. Pra, ajo që fillimisht ishte një krizë identiteti profesional, u shndërrua në momentin kur kuptova çfarë dua vërtet të bëj. Dhe kjo më ka formuar jo vetëm si profesionist, por edhe si njeri më i vetëdijshëm për vlerat dhe qëllimin tim.
2- Si nisi rrugëtimi juaj me “Ilyrian Brains”? Çfarë ju motivoi të bëheni pjesë e kësaj nisme?
Rrugëtimi im me Illyrian Brains nisi në fillim të vitit 2023, në një kohë kur rrjeti ishte ende larg përmasave që ka marrë sot dhe i pranishëm vetëm në disa qytete të diasporës. Ajo që më shtyu të bëhem pjesë e kësaj nisme ishte dëshira ime e natyrshme për t’u angazhuar në organizime me vlerë dhe për të kontribuar në ndërtimin e një komuniteti të fortë mes profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Duke qenë vetë emigrante në Berlin, e ndjeja fort nevojën për një rrjet mbështetës, jo vetëm për rritjen profesionale, por edhe për të ruajtur identitetin, për të ndjerë përkatësi dhe për të ndarë eksperienca që na bashkojnë si shqiptarë. Kisha një dëshirë të madhe që shqiptarët në diasporë të mos mbeteshin të izoluar, por të kishin hapësira ku të njiheshin, të ndihmonin njëri-tjetrin dhe të rriteshin së bashku. Illyrian Brains më dha pikërisht këtë mundësi, të angazhohem në një rrjet profesionistësh që ndajnë të njëjtin vizion dhe të kontribuoj në mënyrë aktive për zgjerimin dhe forcimin e komunitetit tonë. Që nga ajo kohë, rrjeti është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe sot është i pranishëm në më shumë se 40 qytete në të gjithë botën. Të shohësh këtë zhvillim dhe të dish se ke qenë pjesë e tij që në fillim, është një ndjenjë shumë e veçantë dhe një motivim i vazhdueshëm për të dhënë më shumë.
Lexo edhe:SPECIALE/ Nga spektakli tek memet, kur fushata bëhet narrativë për klikime
- Si ndikon rrjeti i “Ilyrian Brains” në ndërtimin e urave mes diasporës dhe Shqipërisë? A shihni rezultate konkrete në këtë drejtim?
Rrjeti i Illyrian Brains luan një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e urave mes diasporës dhe Shqipërisë, sepse funksionon si një platformë ku shqiptarët jashtë vendit mund të lidhen jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me profesionistë, institucione dhe nisma që veprojnë brenda Shqipërisë. Përmes Happy Hour, bashkëpunimeve dhe rrjetëzimit të vazhdueshëm, IB ka arritur të krijojë ura reale të komunikimit dhe bashkëpunimit dypalësh. Nga ana tjetër, komuniteti është gjithnjë e më shumë një burim frymëzimi për të rinjtë në Shqipëri, të cilët përmes rrjetit tonë shohin modele suksesi, qasje të reja, dhe ndihen më të afërt me realitetin ndërkombëtar. Dhe kjo ka një vlerë të jashtëzakonshme, sepse tregon se diaspora nuk është e shkëputur nga Shqipëria, përkundrazi, është një vazhdim i saj, në një dimension tjetër. Po, shohim rezultate konkrete çdo ditë: në lidhjet profesionale që krijohen, në nismat që marrin jetë, në ndihmën që i japim shqiptarëve të sapoardhur për të orientuar veten, dhe në bashkëpunimet që i sjellin Shqipërisë njohuri, përvojë dhe perspektiva të reja.
4- Si anëtar bordi i një nisme të re të quajtur Business Network Albania (BNA), cilat janë disa nga iniciativat ose projektet më të rëndësishme që kjo organizatë ka ndërmarrë për të mbështetur zhvillimin ekonomik në Shqipëri?
Business Network Albania do të luajë një rol kyç në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë përmes disa iniciativave strategjike. Një nga prioritetet kryesore do të jetë përdorimi i platformës për networking strategjik, duke ndihmuar investitorët dhe sipërmarrësit shqiptarë të ndërtojnë marrëdhënie të forta me partnerë vendas dhe shqiptarë në diasporë. Këto lidhje do të hapin mundësi për bashkëpunime dhe investime që do të kontribuojnë në rritjen e bizneseve shqiptare. Gjithashtu, Business Network Albania do të organizojë evente të kuruara që do të sjellin së bashku liderë të industrisë, inovatorë dhe investitorë, duke promovuar ide të reja dhe nisma të rëndësishme për ekonominë vendase. Përmes këtyre aktiviteteve, komuniteti do të bëhet një katalizator për zhvillimin e ekosistemit të biznesit në Shqipëri. Një tjetër objektiv do të jetë mbështetja e bizneseve të reja dhe të vogla përmes mentorimit dhe qasjes në burime strategjike, duke i ndihmuar ato të rriten dhe të zgjerohen në tregje ndërkombëtare. Business Network Albania do të integrojë strategji të avancuara për t’u mundësuar anëtarëve të kuptojnë më mirë sjelljen e konsumatorëve dhe të optimizojnë komunikimin e tyre tregtar.
5-Cilat janë avantazhet kryesore që anëtarët e Business Network Albania përfitojnë nga ky komunitet në krahasim me komunitetet e tjera?
Business Network Albania ofron një avantazh të veçantë për anëtarët , duke u fokusuar në krijimin e një komuniteti biznesi që nuk është thjesht profesional, por edhe strategjik dhe me ndikim. Ky komunitet ndihmon investitorët dhe sipërmarrësit shqiptarë të krijojnë lidhje të vlefshme, të ndërtojnë partneritete dhe të kenë qasje në mundësi ekskluzive për zhvillimin e bizneseve të tyre. Një nga përfitimet kryesore është mundësia për të ndërtuar marrëdhënie me investitorë të nivelit të lartë dhe sipërmarrës vizionarë. Business Network Albania nuk është thjesht një grup networking-u, por një platformë ku individët me ambicie mund të bashkëpunojnë me ata që ndikojnë në ekosistemin ekonomik shqiptar dhe ndërkombëtar. Kjo krijon një mjedis ku ndarja e eksperiencave dhe mentorimi janë pjesë e natyrshme e rrjetit. Një aspekt tjetër që e diferencon këtë komunitet është fokusi në ndërkombëtarizim. Ndryshe nga shumë rrjete lokale, Business Network Albania ndihmon anëtarët e tij të zgjerohen në tregjet globale. Përmes partneriteteve strategjike dhe qasjes në kontakte ndërkombëtare, anëtarët mund të gjejnë mundësi për ekspansion, investime dhe bashkëpunime të reja jashtë Shqipërisë, kryesisht me shqiptarë në diasporë por jo vetëm.
6-Cilat janë disa nga këshillat më të rëndësishme që do t’u jepnit të rinjve shqiptarë, veçanërisht atyre që ëndërrojnë të ndërtojnë karrierën e tyre jashtë vendit dhe të krijojnë markën e tyre personale e profesionale?
Këshilla ime e parë është: mos kini frikë të filloni nga e para dhe mos e nënvlerësoni asnjë hap, sado i vogël të duket. Ndërtimi i një karriere jashtë vendit kërkon durim, fleksibilitet dhe shumë punë me veten. Duhet të jeni të hapur për të mësuar, për të dështuar dhe për t’u përshtatur me kultura të reja. Së dyti, investoni në krijimin e një marke personale që reflekton vlerat tuaja, autenticitetin dhe qëndrueshmërinë. Mos u përpiqni të kopjoni të tjerët, origjinaliteti është forca më e madhe që keni. Dhe së fundmi: kërkoni komunitet. Mos ecni vetëm. Lidhuni me rrjete profesionale, merrni pjesë në evente, dhe kërkoni mbështetje. Sepse suksesi është më i qëndrueshëm kur ndahet dhe ndërtohet bashkë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.