Një zbulim i ri shkencor po revolucionarizon mënyrën se si funksionojnë vaksinat mRNA. Studiuesit nga Universiteti i Pensilvanisë kanë përdorur një truk kimik mbi 100-vjeçar për të modifikuar një molekulë të vetme në strukturën e flluskave të vogla të yndyrës (lipideve) që transportojnë mRNA-në në organizëm. Rezultati? Vaksina më të sigurta, më të efektshme dhe me më pak efekte anësore.
Shumë njerëz janë tashmë të njohur me efektet anësore të zakonshme të vaksinave mRNA, si dhimbja apo skuqja në vendin e injektimit dhe ndjesia e lodhjes për një ditë apo dy. Këto simptoma janë pasojë e inflamacionit që ndodh si reagim i trupit ndaj vaksinës. Por çfarë ndodh nëse kjo përgjigje inflamatore mund të shmanget? Një studim i publikuar në revistën Nature Biomedical Engineering zbulon se duke ndryshuar strukturën e një molekule specifike, lipidi jonizues , shkencëtarët arritën të reduktojnë ndjeshëm inflamacionin dhe njëkohësisht të përmirësojnë efektivitetin e vaksinës. Lipidet jonizuese janë një përbërës kyç i nanopartikulave lipidike (LNP), të cilat transportojnë mRNA-në drejt qelizave. Ky përmirësim premton zbatime të gjera në fushën e vaksinave kundër COVID-19, kancerit dhe terapive gjenetike.
Çelësi i këtij përmirësimi është shtimi i grupeve fenolike, përbërje kimike me efekt anti-inflamator të njohur, të pranishme natyrshëm edhe në vajin e ullirit. “Duke ndryshuar formulën e lipideve, arritëm të krijojmë një përbërës që funksionon më mirë dhe me më pak efekte anësore,” shpjegon profesori Michael J. Mitchell, autor kryesor i studimit. Për krijimin e lipideve të reja, ekipi i studiuesve përdori një metodë të vjetër të quajtur “reaksioni Mannich”, që përfshin kombinimin e tre përbërësve kimikë për të krijuar struktura të reja molekulare. Në këtë mënyrë, ata arritën të prodhojnë qindra lipide të reja. Duke analizuar këtë “bibliotekë” molekulash, ata identifikuan një përbërës me grup fenolik që redukton ndjeshëm inflamacionin dhe rrit efikasitetin e vaksinës. “Ky është si përbërësi sekret,” thotë Ninqiang Gong, bashkautor i studimit. “Fenolët jo vetëm që reduktojnë efektet anësore, por rrisin edhe fuqinë e vaksinës.”
Lexo edhe:Meta do të ndalojë shitjen e reklamave politike në BE nga tetori
Fenolët ndihmojnë në luftimin e stresit oksidativ duke neutralizuar radikalet e lira – molekula të paqëndrueshme që mund të dëmtojnë ADN-në, proteinat dhe qelizat. Kur studiuesit krahasuan efektet inflamatore të lipideve të zakonshme me ato të prodhuara me grupin fenolik, rezultatet ishin të qarta: më pak inflamacion dhe performancë më e lartë. LNP-të e reja, të emërtuara C-a16, rezultuan më efikase në shpërndarjen e mRNA-së në testet laboratorike. Ato prodhuan efekte më të qëndrueshme në kohë, rritën efikasitetin e teknologjive si CRISPR dhe përforcuan fuqinë e vaksinave eksperimentale kundër kancerit. Në një eksperiment me minj, këto lipide bënë që një gjen shkëlqimi i huazuar nga xixëllonjat të shfaqej 15 herë më ndritshëm sesa me lipidet e përdorura në trajtimin Onpattro, i miratuar nga FDA për një sëmundje të rrallë të mëlçisë. Tek trajtimi i kancerit, vaksina me C-a16 uli masën e tumorit trefish më efektivisht sesa vaksinat mRNA të përdorura më parë. Për më tepër, kjo formulë e re rriti përgjigjen e qelizave T, të cilat janë të domosdoshme në identifikimin dhe shkatërrimin e qelizave kancerogjene. Në testet për COVID-19, vaksina me lipidet C-a16 nxiti një përgjigje imune pesëfish më të fortë në krahasim me formulimet standarde.
Sipas autorëve të studimit, kjo qasje jo vetëm që ul efektet anësore, por rrit ndjeshëm potencialin e vaksinave dhe terapive gjenetike për një gamë të gjerë sëmundjesh. “Duke reduktuar dëmtimin e mekanizmave qelizorë, këto lipide të reja me fenol mund të përmirësojnë ndjeshëm efikasitetin e teknologjive të avancuara si mRNA dhe CRISPR,” thotë studiuesi Dongyoon Kim. Zbulimi i potencialit të fshehur të reaksionit Mannich është vetëm fillimi. Studiuesit besojnë se edhe shumë procese të tjera kimike të harruara mund të ofrojnë zgjidhje për sfida moderne në mjekësi. “Ne përdorëm një reaksion të zbuluar një shekull më parë dhe zbulimi që bëmë mund të përmirësojë ndjeshëm trajtimet më të avancuara të ditëve të sotme,” përfundon profesori Mitchell. “Është emocionuese të mendosh se sa shumë mund të na mësojë ende historia e kimisë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto