Artisti jep mesazhin frymëzues, "Mos krahaso udhëtimin - Business Magazine Albania

Artisti jep mesazhin frymëzues, “Mos krahaso udhëtimin tënd me askënd!”

Me një zë që mund të ngrejë publikun në këmbë dhe një energji që të kujton diellin pas shiut, Sam Ryder është një nga ato figura që duket se jeton në një frekuencë tjetër, më e qetë, më e mençur dhe shumë më e sinqertë. Në një rrëfim për jetën, karrierën dhe mësimet që ka marrë përgjatë rrugës, këngëtari britanik ndalet tek ato momente që e kanë formësuar si artist dhe si njeri.

“Kam mësuar të mos krahasoj më veten me të tjerët,” thotë ai me qetësi. “Udha ime si muzikant nuk ka pse t’i ngjajë askujt tjetër. Dikur më shqetësonte ideja nëse po ecja në të njëjtin ritëm me të tjerët, por tani jam më i qetë. E kuptova që suksesi nuk matet me kohë, por me përmbushje.”

Si fëmijë, Ryder ëndërronte të ishte eksplorues, një Indiana Jones modern që udhëtonte për të zbuluar botën, ose ndoshta edhe hapësirën. “Kam pasur gjithmonë një shpirt aventurieri. Edhe tani, nëse nuk po kërkoj tinguj të rinj, jam diku në det, duke pritur valën perfekte.” Dhe, edhe pse ai e quan veten “një surfer i keq”, deti për të është bërë një metaforë për jetën: “Nëse nuk ka dallgë, mëso të presësh. Gjërat ndodhin në kohën e tyre.”

Një nga mësimet më të mëdha që mban me vete vjen nga gjyshi i tij, që i ka thënë: “Lëro brazdën tënde.” Një kujtesë për të mos parë kurrë se çfarë bëjnë të tjerët, por të punosh në heshtje për ëndrrën tënde. “Ajo këshillë më ka ndihmuar të qëndroj me këmbë në tokë. Sa herë e ndjej veten duke u shpërqendruar, e kujtoj gjyshin.”

Një tjetër vendim i rëndësishëm për të ka qenë heqja dorë nga alkooli, tashmë prej më shumë se një viti e gjysmë. “E kuptova që nuk më jepte asgjë, përkundrazi më merrte shumë. Ishte si një marrëdhënie toksike që të lodh pa kuptim. Që prej atij momenti ndjej qartësi, forcë dhe një liri të vërtetë.”

Ryder e gjen gëzimin te gëzimi i të tjerëve. “Nuk ka asgjë më të bukur se ta shohësh dikë duke qeshur me shpirt. Gëzimi është ngjitës,” thotë ai me buzëqeshje. Për ta ruajtur këtë qetësi, ai lexon shpesh librin Surf Is Where You Find It nga Gerry Lopez, një përzierje perfekte mes filozofisë dhe sportit. “Nuk flet për dallgët, por për jetën. Të mëson të jesh prezent, të jetosh në ‘tashmë të përjetshëm’. Kjo është thelbi i çdo dite.”

Nëse dikur e mbante zemrën plot me inate, sot ka mësuar t’i lërë pas. “Të mbash mllef është si të pish helm e të presësh që të sëmuret tjetri. Të falësh është mënyra e vetme për t’u shëruar.”

Ajo që e mban zgjuar natën? “Frika se mos nuk arrij potencialin që i imponoj vetes. Jetojmë në një kohë ku jemi vazhdimisht të bombarduar nga suksese të tjerëve në rrjete sociale, dhe ndonjëherë harrojmë bekimet që kemi tashmë.” Por në fund të ditës, motivimi i tij më i madh mbetet i thjeshtë: të inkurajojë, jo të impresionojë. “Arrita ëndrrën time për t’u bërë këngëtar në moshën 31-vjeçare, pas shumë vitesh pritjeje. Sot dua të përdor çdo moment në këtë skenë për t’u dhënë të tjerëve besim se edhe ëndrrat e vonuara janë ëndrra që vlejnë.”

Falë prindërve, që e mbështetën që në fëmijëri dhe i mësuan të besojë në vete, Sam Ryder është sot më shumë se një artist, është një njeri që flet për jetën me po aq pasion sa këndon për dashurinë. “Nëse do t’i thoja diçka vetes sime të vogël,” mbyll ai, “do të ishte kjo: mos u përpiq ta kontrollosh çdo gjë. Lëre jetën të bëjë magjinë e vet.”

Positive News

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0