Artistët në alarm: Ligji i BE-së për AI-në nuk i mbron mjaftueshëm të drejtat tona - Business Magazine Albania

Artistët në alarm: Ligji i BE-së për AI-në nuk i mbron mjaftueshëm të drejtat tona

Teksa pjesë të Ligjit Evropian për Inteligjencën Artificiale hyri në fuqi të shtunën që lamë pas, krijuesit artistikë po shprehin shqetësimin se mbrojtja e veprave të tyre të ‘së drejtës së autorit’ mbetet ende e pamjaftueshme kur bëhet fjalë për trajnimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Organizatat artistike paralajmërojnë se ekzistojnë ende shumë boshllëqe ligjore që duhet të mbyllen, në mënyrë që ata të mund të mbijetojnë në një botë kreative gjithnjë e më të dominuar nga AI.

Ligji i BE-së për AI, që konsiderohet si legjislacioni i parë gjithëpërfshirës në botë për rregullimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale, sipas këtyre organizatave, ka ende mangësi serioze.

Grupime si Aleanca Evropiane e Kompozitorëve dhe Autorëve të Këngëve (ECSA) dhe Bashkimi Evropian i Shoqatave të Autorëve dhe Kompozitorëve (GESAC) argumentojnë se ky ligj nuk siguron mbrojtje të plotë për autorët, veprat e të cilëve përdoren për trajnimin e modeleve gjenerative të AI-së.

Pa një mundësi të qartë për të refuzuar, apo për të marrë shpërblim, kur kompanitë teknologjike përdorin muzikën, librat, filmat dhe veprat e tjera artistike për të ushqyer modelet e tyre, puna e artistëve është vazhdimisht e rrezikuar, theksojnë ekspertët.

“Puna e anëtarëve tanë nuk duhet të përdoret pa transparencë, pëlqim dhe kompensim. Dhe zbatimi i ligjit për AI nuk po na e garanton këtë,” deklaroi për Euronews Next Marc du Moulin, Sekretar i Përgjithshëm i ECSA.

Një qasje e gabuar që nga fillimi?
Qëllimi i Ligjit për AI është të garantojë që inteligjenca artificiale të mbetet “e sigurt, transparente, e gjurmueshme, jo-diskriminuese dhe miqësore me mjedisin”, sipas Komisionit Evropian, organit ekzekutiv të BE-së.

Ligji klasifikon kompanitë e AI-së sipas katër niveleve rreziku: minimal, i kufizuar, i lartë dhe i papranueshëm. Aplikimet që konsiderohen si të papranueshme janë tashmë të ndaluara, si për shembull AI që manipulon njerëzit apo krijon sisteme vlerësimi shoqëror bazuar në sjellje apo gjendje ekonomike.

Shumica e modeleve gjenerative të AI-së klasifikohen si me rrezik minimal, sipas Komisionit. Por pronarët e këtyre teknologjive duhet gjithsesi të plotësojnë disa kërkesa, përfshirë publikimin e përmbledhjeve të të dhënave me të drejtë autori që janë përdorur për trajnimin e modeleve të tyre.

Lexo edhe: Reklama që tronditi modën, një modele digjitale në faqet e Vogue

Sipas ligjeve të BE-së për të drejtën e autorit, kompanitë mund të përdorin materiale të mbrojtura për qëllime të analizës së të dhënave dhe tekstit (text and data mining) — veçanërisht gjatë trajnimit të AI-së, përveç nëse autorët kanë rezervuar shprehimisht të drejtat e tyre.

“Është ende e paqartë se si një artist mund të mbrohet kundër përdorimit të veprës së tij nga kompanitë e AI-së,” tha du Moulin.
“E gjithë kjo diskutim është një ‘vënie e karrocës përpara kalit’. Puna jonë është tashmë përdorur, ndërsa ne nuk dimë as si të kundërshtojmë.”

Kërkohet njohje dhe transparencë
Kodi i Sjelljes së BE-së për AI-në me përdorim të përgjithshëm (GPAI), një marrëveshje vullnetare për kompanitë e AI-së, kërkon që ofruesit të angazhohen për politika respektimi të së drejtës së autorit, të vendosin masa parandaluese kundër shkeljeve dhe të caktojnë një njësi përgjegjëse për pranimin dhe trajtimin e ankesave.

Deri tani, disa kompani të mëdha si Amazon, Google, Microsoft dhe OpenAI e kanë nënshkruar këtë kod.

Sipas du Moulin, kërkesat shtesë për transparencë të parashikuara në ligjin për AI japin njëfarë qartësie për artistët, duke bërë të mundur të kuptohet se kush, kur dhe si ka përdorur veprat e tyre. Por kjo, thotë ai, nuk ndihmon për të kërkuar pagesa për përdorimin që ka ndodhur tashmë.

“Edhe nëse ligji për AI ka ndikim ligjor pozitiv, ai nuk është retroaktiv,” thekson ai.
“Gjithçka që është përdorur deri më tani është një ‘vakt falas’ për kompanitë që trajnojnë AI-në, pa paguar asgjë.”

Artistët kërkojnë licenca, por nuk marrin përgjigje
Adriana Moscono, drejtoreshë e përgjithshme e GESAC, thotë se disa anëtarë të organizatës kanë tentuar të refuzojnë pjesëmarrjen duke dërguar letra dhe email-e në adresë të kompanive të AI-së për të negociuar një licencë për përmbajtjen e tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Ka pasur heshtje totale,” tha ajo për Euronews Next.
“Prandaj i bëjmë thirrje Komisionit Evropian të nxisë procesin e licencimit.”

Ndërkohë, Thomas Regnier, zëdhënës i Komisionit, deklaroi për Euronews Next se ofruesit e AI-së duhet të respektojnë ligjet për të drejtën e autorit kur kryejnë analiza të të dhënave, dhe çdo shkelje mund të zgjidhet përmes kanaleve private.

“Ligji për AI nuk prek në asnjë mënyrë ligjet ekzistuese të BE-së për të drejtën e autorit,” shtoi Regnier.

Thirrje për mandatin e negociimit të licencave
Du Moulin dhe Moscono u bëjnë thirrje autoriteteve të BE-së të sqarojnë me urgjencë rregullat për të drejtën e refuzimit dhe mbrojtjen e autorëve.

“Kodi i sjelljes, formatet dhe udhëzimet nuk na ofrojnë mundësinë për të përmirësuar situatën tonë,” theksoi Moscono.
“Ato nuk garantojnë zbatimin e duhur të ligjit për AI-në.”

Sipas përkrahësve të drejtës së autorit, Komisioni mund të vendosë që kompanitë e AI-së të detyrohen të negociojnë marrëveshje për licenca kolektive me organizatat që përfaqësojnë artistët.

Shoqata gjermane për të drejtat e muzikës (GEMA) ka ndërmarrë dy procese gjyqësore kundër kompanive të AI-së: OpenAI, krijuesit e ChatGPT, dhe Suno AI, një aplikacion për krijimin e muzikës me inteligjencë artificiale.

Edhe pse këto çështje ligjore nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ligjin për AI, du Moulin thekson se vendimet për to mund të kenë ndikim të madh në përcaktimin e përgjegjësisë së kompanive të AI-së ndaj ligjeve për të drejtën e autorit.

Komisioni Evropian dhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë kanë sinjalizuar gjithashtu se mund të rishikojnë përjashtimin aktual për analizën e të dhënave dhe tekstit që është përfshirë në ligjin për të drejtën e autorit të vitit 2019.

Ndërkohë, kompanitë e reja që hyjnë në tregun evropian duhet të sigurojnë përputhshmërinë me ligjin për AI deri në vitin 2026, ndërsa kompanitë ekzistuese kanë afat deri në vitin 2027.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0