“Arjola Couture” një pasion që shndërrohet në sukses - Business Magazine Albania

“Arjola Couture” një pasion që shndërrohet në sukses

“Arjola Couture” një pasion që shndërrohet në sukses

Në botën e modës, ku kreativiteti dhe pasioni janë çelësi i suksesit, Arjola Mulleti ka ndërtuar me kujdes një identitet unik përmes brandit të saj Arjola Couture. Në një intervistë ekskluzive ajo ndan udhëtimin e saj frymëzor, nga fillimet e vogla deri te krijimi i një biznesi të suksesshëm në tregun e modës.

1. Kur nisi pasioni yt për të stiluar?

“Mund të them se unë kam lindur me këtë pasion dhe jam ushqyer me edukatën e një aparence të pastër dhe unike,” fillon Arjola. Që në fëmijëri, ajo e ndiente tërheqjen ndaj kreativitetit, duke shprehur veten përmes detajeve të vogla të veshjeve. “Krijoja, ricikloja, luaja me detajet për t’i transformuar në veshje unike që më personifikonin mua. Kënaqësia ishte kur e shijon atë që ke krijuar me aq shumë përpjekje.” Ky pasion nuk u largua kurrë, por përkundrazi, u rrit me kalimin e viteve, duke u shndërruar në një karrierë të plotë.

2. Si lindi ideja për biznes?

“Ishte një ëndërr që u zgjua në kohën e duhur,” thotë Arjola. Ajo gjithmonë kishte synuar të ndërtonte një punë të vetme, por jeta i solli sfida dhe prioritete të ndryshme. Pika kthese erdhi gjatë pandemisë së COVID-19. “Izolimi na ndihmoi të reflektonim dhe të dilnim nga rutina monotone. Atëherë vendosa të zgjoj pasionin tim dhe kështu filloi rrugëtimi im drejt modës.” Për t’u përgatitur si profesioniste, ajo investoi në trajnime, nga kurset bazike deri tek ato më të avancuara, duke përfshirë shkollë dizajni dhe praktikë.

3. Kush të mbështeti në këtë rrugëtim?

“Kam shumë falenderime për njerëzit që në mënyra të ndryshme më kanë ndihmuar,” rrëfen Arjola. Familja e saj ka qenë mbështetja më e madhe. “Pas përfundimit të çdo pune, fotoja e parë i shkon mamit tim, e cila superlativon çdo gjë që bëj. Ajo ka besuar gjithmonë në mua dhe më ka bërë të ndjehem e fortë, pavarësisht sfidave.” Edhe prindërit e bashkëshortit kanë kontribuar duke u kujdesur për fëmijët, por figura kryesore e mbështetjes është bashkëshorti i saj. “Ai është jo vetëm partneri im, por edhe shoku im më i ngushtë dhe forca ime e padiskutueshme. Admiron çdo punë time, më jep besim dhe inkurajim, madje edhe në momentet më të vështira.”

4. Cilat kanë qenë dy punët e tua më të vlerësuara nga klientët?

“Askush nuk del i pakënaqur nga dera jonë,” thekson Arjola, por veçon dy raste të veçanta: Shitja e parë: “Mëngjesi i ditës së parë sapo hapa dyert e atelierit, bëra shitjen e parë nga një kliente që më tha se kishte lindur me këmishë. Atëherë fillova të besoj se isha në rrugën e duhur.” Një fustan feste me kohë rekord: “Klientja erdhi 24 orë para eventit, pa asnjë ide dhe shumë e zhgënjyer. Punuam intensivisht dhe e përfunduam 3 orë para fillimit. Ajo u ndje aq e lumtur sa u çlot në lot dhe përqafime. Kjo na dha emocione të pashpjegueshme.”

5. Çfarë kërkesash kanë klientët më shumë këtë periudhe?

“Nëse dikur shkonim te stilisti për të krijuar diçka unike, tani vijnë me ide të gatshme nga trendet virale,” shpjegon Arjola. Prandaj, ajo i fton klientët në atelier për një konsultim të personalizuar, ku diskutojnë modelin më të përshtatshëm sipas karakterit dhe masave të tyre.

Lexo edhe:Parkimi nuk do të jetë më një problem me LookUP Parking!

6. Sa e vështirë është të rezistosh në një treg me konkurrencë të fortë?

“Është sfiduese, por një mundësi e mirë për tu rritur dhe përmirësuar vazhdimisht,” thotë ajo. “Ky profesion kërkon inovacion. Duhet të jesh gjithmonë një hap përpara me ide të reja dhe produkte cilësore. Nëse punon me duar të kujdesshme dhe zemër plot pasion, arrin të krijosh besimin e klientit.” Një element kyç që klientët e vënë në dukje është korrektësia dhe mirësjellja. “Kur arrin të depërtosh në mendjen e klientit, duke kuptuar çfarë dëshiron, dhe në zemrën e tij me sjellje të mirë, aty është suksesi i vërtetë.” Arjola Mulleti është shembulli i një gruaje që e ka kthyer pasionin në profesion, duke krijuar jo vetëm veshje, por edhe emocione të paharrueshme për klientët e saj. Nëpërmjet Arjola Couture, ajo vazhdon të frymëzojë, duke provuar se me përkushtim dhe dashuri, çdo ëndërr mund të bëhet realitet.

probizz

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0