Apple njofton drejtuesin e ri të Inteligjencës Artificiale - Business Magazine Albania

Apple njofton drejtuesin e ri të Inteligjencës Artificiale

Apple njoftoi të hënën, me një gjuhë të kujdesshme dhe diplomatike, se John Giannandrea, drejtuesi i inteligjencës artificiale në kompani që prej vitit 2018, po largohet nga detyra dhe nuk do të vazhdojë më të punojë në Apple. Ai do të mbetet si këshilltar deri në pranverë. Në vend të tij, Apple ka zgjedhur Amar Subramanya, një ekzekutiv shumë i vlerësuar i Microsoft, i cili më herët ka kaluar 16 vite në Google, ku së fundmi drejtoi inxhinierinë e Gemini Assistant. Përzgjedhja shihet si një lëvizje e zgjuar, duke qenë se Subramanya njeh në detaje konkurrencën direkte të Apple.

Një lëvizje e pritur pas problemeve me Apple Intelligence

Emërimi po përshkruhet gjerësisht si një tronditje e brendshme, ndoshta e pashmangshme, po të shihen ngjarjet e muajve të fundit. Apple Intelligence, përgjigjja e Apple ndaj revolucionit të inteligjencës artificiale, ka hasur probleme të shumta që nga lançimi i saj në tetor 2024, me recensione që variojnë nga “zhgënjyese” deri te “alarmante”. Fillimi i platformës ishte veçanërisht i vështirë. Funksioni i përmbledhjes së njoftimeve, i krijuar për të sintetizuar disa sinjalizime në një format të shkurtër, prodhoi tituj të rremë dhe të turpshëm në fund të 2024-s dhe fillim të 2025-s. Mes gabimeve, BBC protestoi dy herë pasi Apple Intelligence raportoi gabimisht se Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e CEO-së së UnitedHealthcare, Brian Thompson, kishte kryer vetëvrasje (nuk ishte e vërtetë), si dhe se lojtari i dartit, Luke Littler, kishte fituar një kampionat përpara se finalja të niste.

Lexo edhe: 500 shkencëtarë nënshkruajnë Deklaratën e Urgjencës për Klimën

Rikonstruktimi i Siri u shndërrua në një krizë

Një tjetër goditje erdhi nga premtimet për rigjenerimin e Siri-t. Një hetim i Bloomberg në maj zbuloi detaje shqetësuese për vështirësitë e brendshme të Apple. Craig Federighi, shefi i softuerit të Apple, testoi versionin e ri të Siri në telefonin e tij vetëm pak javë përpara lançimit të planifikuar në prill, dhe u zhgënjye kur gjeti se shumë prej veçorive të premtuara nuk funksiononin. Lançimi u shty pa afat, duke shkaktuar edhe padi kolektive nga blerësit e iPhone 16 që kishin pritur një asistent të ri të fuqizuar nga AI.

Sipas Bloomberg, Giannandrea kishte filluar të humbiste ndikimin e tij që më herët. Tim Cook ia kishte hequr kontrollin e Siri që në mars, duke ia kaluar Mike Rockwell, krijuesit të Vision Pro. Edhe divizioni sekret i robotikës iu hoq nga mbikëqyrja. Raporti i Bloomberg portretizoi një organizatë të çorientuar, me komunikim të dobët mes ekipeve të AI dhe marketingut, probleme me buxhetet dhe një krizë lidershipi aq të thellë sa disa punonjës e quanin me ironi grupin e Giannandrea-s “AI/MLess”. Ndërkohë, një valë largimesh të studiuesve të AI drejt OpenAI, Google dhe Meta e dobësoi edhe më shumë situatën.

Apple kërkon ndihmë nga… Google

Në një kthesë surprizuese, dhe për shumë analistë, poshtëruese , Apple raportohet se po mbështetet te Gemini, platforma e AI e Google, për të fuqizuar versionin e ardhshëm të Siri. Një zhvillim i pazakontë, duke pasur parasysh rivalitetin 15-vjeçar të dy kompanive në sisteme operative, shërbime cloud, kërkim, harta, pajisje inteligjente dhe tani AI. Giannandrea u bashkua me Apple nga Google, ku drejtonte Machine Intelligence dhe Search. Në Apple, ai ishte përgjegjës për strategjinë e AI, infrastrukturën e machine learning dhe zhvillimin e Siri-t. Tani këto detyra i kalojnë Amar Subramanya-s, i cili do t’i raportojë Federighi-t dhe ka mandatin e qartë për të ndihmuar Apple të rimarrë terren në garën e inteligjencës artificiale.

A do të funksionojë filozofia e Apple për AI?

Ndërsa rivalët po investojnë miliarda në qendra masive të të dhënave për AI, Apple ka mbajtur një qasje të ndryshme: sa më shumë përpunim të bëhet në vetë pajisjen, falë çipeve të saj Apple Silicon. Qasja bazohet te privatësia dhe shmangja e mbledhjes së të dhënave personale. Për kërkesa më të rënda që kërkojnë serverë, Apple përdor “Private Cloud Compute”, një sistem që premton se i proceson dhe i fshin të dhënat menjëherë. Por kjo filozofi ka kosto. Modelet e AI që funksionojnë në pajisje janë më të vogla dhe më të kufizuara se modelet gjigante të trajnimit që përdorin konkurrentët. Hezitimi i Apple për të mbledhur të dhëna reale ka bërë që kompanisë t’i duhet të trajnojë modelet kryesisht me të dhëna të licencuara dhe sintetike, shumë më pak të pasura se sasitë kolosale që përdorin Google, Meta dhe OpenAI.

A e ka lënë kjo Apple përgjithmonë pas? Apo qasja e saj do të rezultojë një avantazh i vonuar? Kjo mbetet një nga pyetjet më të mëdha të momentit në industrinë e teknologjisë.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0