Gjatë një sesioni ‘ask-me-anything’ në Reddit të premten, CEO i OpenAI, Sam Altman, së bashku me anëtarë kryesorë të ekipit të GPT-5, u përballën me një sërë pyetjesh për modelin e ri dhe kërkesa të shumta për rikthimin e versionit të mëparshëm, GPT-4o. Pjesëmarrësit nuk e kursyen as pyetjen mbi një nga momentet më të sikletshme dhe ndoshta më argëtuese të prezantimit publik: e ashtuquajtura “krim grafik” (chart crime).
Një nga risitë e GPT-5 është përdorimi i një “ruteri” në kohë reale, që vendos automatikisht se cili model duhet përdorur për një kërkesë të caktuar — qoftë për një përgjigje të shpejtë, qoftë për një analizë më të thelluar. Megjithatë, disa përdorues në forumin r/ChatGPT u ankuan se GPT-5 nuk po punonte aq mirë sa GPT-4o. Altman sqaroi se kjo ndodhi për shkak se ruteri nuk funksionoi siç duhej në momentin e lançimit, të enjten.“GPT-5 do të duket më i zgjuar që sot. Dje patëm një problem teknik serioz dhe autoswitcher-i ishte jashtë funksioni për një pjesë të ditës, duke e bërë GPT-5 të dukej shumë më i dobët. Po bëjmë gjithashtu disa ndryshime në mënyrën se si përcaktohet kufiri i vendimmarrjes, që të sigurojmë zgjedhjen më të shpeshtë të modelit të duhur. Do të bëhemi edhe më transparentë për të treguar se cili model po përgjigjet në çdo kërkesë,” premtoi Altman.
Megjithatë, presioni i përdoruesve për rikthimin e GPT-4o për abonentët Plus ishte aq i madh, sa Altman u zotua ta shqyrtojë mundësinë. “Po shohim mundësinë që përdoruesit Plus të vazhdojnë ta përdorin 4o. Po mbledhim më shumë të dhëna për kompromiset,” shkroi ai.
Ai shtoi gjithashtu se “do të dyfishojmë kufijtë e përdorimit për abonentët Plus pasi të përfundojë lançimi”, për t’i dhënë përdoruesve mundësinë të eksperimentojnë me modelin e ri dhe ta përshtatin atë pa u shqetësuar për numrin e kërkesave mujore.
Lexo edhe: Kryeministri suedez pranon se përdor ChatGPT dhe ndez polemika kombëtare
Siç pritej, nuk mungoi as pyetja mbi grafikun e pasaktë që ekipi prezantoi drejtpërdrejt dhe që u bë objekt talljeje me humor online. Grafiku paraqiste një rezultat më të ulët në një shirit dukshëm më të gjatë.
Altman nuk e komentoi aty, por një ditë më parë e quajti “një gafë të madhe grafiku” në platformën X. Të tjerë vunë re se grafiku në blogun zyrtar ishte korrekt, por dëmi tashmë ishte bërë.
Më pas, nuk munguan shakatë mbi përdorimin e GPT për të krijuar grafikë në prezantime korporative. Simon Willison, një recensues i GPT-5 që kishte pasur akses të hershëm dhe që në përgjithësi e vlerësoi modelin pozitivisht, vuri në dukje se transformimi i të dhënave në tabelë ishte “një shembull i mirë i dështimit të GPT-5”.
Në çdo rast, Altman u zotua se do të adresojë çështjet që shqetësuan më shumë përdoruesit, duke mbyllur AMA-n me këtë premtim: “Do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë modelin sa më të qendrueshëm dhe do të dëgjojmë çdo reagim tuajin.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto