Amazon paralajmëron stafin: Inteligjenca Artificiale do t'ju zëvendësojë shumë shpejt! - Business Magazine Albania

Amazon paralajmëron stafin: Inteligjenca Artificiale do t’ju zëvendësojë shumë shpejt!

Amazon paralajmëron stafin: Inteligjenca Artificiale do t'ju zëvendësojë shumë shpejt!

Drejtori ekzekutiv i Amazon, Andy Jassy, u ka thënë punonjësve të kompanisë se përparimi i Inteligjencës Artificiale do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në strukturën e vendeve të punës, veçanërisht në pozicionet e punonjësve me kualifikim të lartë në sektorin e korporatës.

Në një deklaratë të brendshme dërguar stafit, Jassy deklaroi se përdorimi në rritje i sistemeve të AI-së gjenerative, si chatbot-et dhe agjentët AI që kryejnë detyra në mënyrë të pavarur, do të sjellë nevojën për më pak punonjës në disa sektorë dhe rritjen e kërkesës për profile të reja pune. “Ndërsa zbatojmë gjithnjë e më shumë agjentë të AI-së dhe sisteme gjenerative, mënyra si punohet do të ndryshojë. Do të nevojiten më pak njerëz për të kryer punët që bëhen sot, por më shumë për role të reja që po krijohen,” shkruan Jassy. “Është e vështirë të parashikojmë saktësisht bilancin përfundimtar, por në disa vitet e ardhshme ne presim që kjo të çojë në ulje të fuqisë sonë punëtore në nivel korporate.” Amazon aktualisht punëson rreth 1.5 milionë persona në mbarë botën, nga të cilët 350 mijë janë të punësuar në pozicione korporate si inxhinieri softuerike dhe marketing.

Lexo edhe:CEO i Zoom: “S’ka balancë punë-jetë. Puna është jeta, jeta është punë”

Paralajmërimi i Jassy pason deklaratën e fundjavës së kaluar nga shefi ekzekutiv i kompanisë britanike të telekomunikacionit BT, i cili po ashtu theksoi se përparimi i AI-së mund të sjellë shkurtime të mëdha në stafin e tyre. Ndërkohë, Dario Amodei, CEO i kompanisë së AI-së Anthropic, deklaroi muajin e kaluar se Inteligjenca Artificiale mund të zhdukë gjysmën e vendeve të punës për fillestarët në zyrat e korporatave. Sipas Jassy-t, në të ardhmen e afërt do të ketë miliarda agjentë AI që do të operojnë në kompani dhe në jetën e përditshme të njerëzve.

“Do të ketë miliarda agjentë të tillë, në çdo kompani dhe në çdo fushë të mundshme. Ata do të bëjnë rregullisht detyra për ju jashtë punës, nga blerjet, te udhëtimet dhe detyrat e përditshme. Shumë prej këtyre agjentëve nuk janë ndërtuar ende, por mos keni dyshim, ata po vijnë dhe po vijnë shpejt,” theksoi ai. Në përfundim të mesazhit të tij, Jassy inkurajoi punonjësit që të tregojnë kuriozitet ndaj Inteligjencës Artificiale dhe të ndjekin trajnime për të fituar njohuri mbi këtë teknologji. “Ata që do të përqafojnë këtë ndryshim, që do të bëhen të aftë në fushën e AI-së dhe do të ndihmojnë në ndërtimin dhe përmirësimin e kapaciteteve tona të brendshme, do të jenë të pozicionuar mirë për të pasur ndikim të madh dhe për të kontribuar në transformimin e kompanisë,” përfundoi ai.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka vlerësuar se AI mund të shkaktojë humbje të vendeve të punës në profesione të specializuara si juridiku, mjekësia dhe financat. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka llogaritur se 60% e vendeve të punës në ekonomitë e përparuara, si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar  janë të ekspozuara ndaj AI-së, dhe gjysma e tyre mund të preken negativisht. Megjithatë, Instituti Tony Blair, i cili mbështet përhapjen masive të AI-së në sektorin publik dhe privat, ka vlerësuar se teknologjia mund të zhvendosë deri në 3 milionë vende pune në sektorin privat në Mbretërinë e Bashkuar, por ndikimi neto mund të zbutet nga krijimi i roleve të reja përmes teknologjisë.

the guardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0