Aldona Doku, talenti shqiptar që punon për Donatella Versace - Business Magazine Albania

Aldona Doku, talenti shqiptar që punon për Donatella Versace

Kush është Aldona Doku

Ajo është rritur ne Athinë. Më pas është kthyer në Tiranë për të vazhduar shkollimin dhe studimet e larta në fakultetin e Ekonomisë të nivelit Bachelor dhe Master. Fillimet e saj të karrierës i pati tek Deloitte Albania & Kosovo në Tiranë si audituese e pasqyrave financiare për kompani italiane. Kjo periudhë ishte shumë impenjative për Aldonën derisa në vitin 2018 transferohet përfundimisht për të vijuar rrugëtimin e saj profesional në kompaninë konkurente , PwC Italy (PriceWaterHouseCoopers) në Milano.

Aty ajo u angazhua me auditimin ligjor të disa prej kompanive më të mëdha në Itali si psh Luxottica, ndër kompanitë më të mëdha në rang botëror për dizenjim, prodhim dhe tregtimin e syzeve, Pirelli, lider në industrinë e prodhimit të gomave, Cameron e Shlumberger Italy që janë ndër kompanitë numër 1 në prodhimin e valvulave në industrinë e oil dhe gas. Pas gati tre vitesh eksperiencë profesionale në auditim në Milano, Aldona Doku mori ofertën për të punuar në kompaninë prestigjoze Gianni Versace Srl. Një nga “shtëpitë” e modës më të rëndësishme në industrinë e fashion me një faturim ( të ardhurave vjetore) rreth 1 miliard dhe fitim neto mbi 51 milionë në vit.

Në një intervistë për Probizz.al, Aldon Doku na rrëfen detaje nga përditshmëria e saj në punë përkrah Donatella Versace.

Çfarë do të thotë të punosh për kompaninë Gianni Versace ?

Sigurisht është një përgjegjësi e madhe, një eksperiencë ku çdo dite mëson një gjë të re dhe një privilegj i madh duke qenë se aksesi në kompani nuk është i garantuar për të gjithë dhe politikat e përzgjedhjes së punonjësve janë shumë strikte. Puna në Versace është një ëndërr e bërë realitet. Gjithmonë e apasionuar pas modës dhe tendencave më të fundit dhe sflilatave që më përpara ndiqja vetëm nëpërmjet televizionit. Ndërsa tani gjendem në pozicionin që punoj për realizimin financiar të tyre.

Me çfarë merreni konkretisht aty?

Në kompani kam në përgjegjësi buxhetimin dhe përgatitjen e pasqyrave financiare të konsoliduara për raportimin mujor, trimestral dhe vjetor tek kompanitë mëmë me qendër në New York, Capri Holding Limited . Siç dihet Versace nuk është më një kompani italiane pasi në 2019 është blerë nga kolosi Capri Holding Limited për rreth 2.2 miliardë dollarë, i cili në portofolin e tij zotëron brand si Versace, Jimmy Choo dhe Michael Kors. Së fundmi, Capri Holding është blerë nga Tapestry, brand prestigjoz amerikan, për një shifër rreth 8.5 miliardë dollarë.

Çfarë cilësish duhet të kesh për t’u përzgjedhur si punonjës në këtë kompani prestigjioze?

Të punosh për Versace nuk do të thotë të jesh thjesht një numër më tepër në kompani , por të përçon një ndjesi përkatësie në një botë tek e cila dëshiron ti përkasësh. Është si një familje e madhe ku çdo individ shihet dhe trajtohet si një vlerë e shtuar. Në Milano kam patur fatin të punoj me njerëzit e duhur dhe shumë kompetent në gjërat që bëjnë, të cilët kanë demonstruar gjithmonë shumë besim në punën time. Besimi është çelësi i portave të kyçura, është forca që bën një individ të japë më të mirën nga vetja si në aspektin profesional dhe në atë personal pasi puna në kompani të mëdha si PwC Milano apo Gianni Versace Srl, ana profesionale, socializimin apo soft skills kanë një rendësi po aq sa aspekti teknik apo profesional në bërjen e gjerave.

Lexo edhe:“LikSad e-Bike”: Përvoja e tij në botën e biçikletave elektrike

Çfarë mësimesh ke marrë nga puna jote pranë Donatella Versace ?

Fillimisht nuk ka qenë e lehtë pasi menaxhimi i një grupi gjigantesk siç është Versace kërkon kompetenca dhe përgatitjen që nuk mendoja se e kisha derisa pas dy/tre mujorit të parë u ktheva një nga pikat kyçe të raportimit financiar dhe komunikimit si me kompanitë e grupit Versace ( diku tek 25 kompanitë e lokalizuara në të gjithë botën) ashtu edhe me referentët te Capri Holding Ltd. Ndonjëherë nuk e kuptojmë potencalin që kemi nëse nuk ndërmarrim hapin e parë të dalim nga comfort zona ku ndodhemi. Të punosh me Donatellen është shumë bukur edhe pse jo shumë e lehtë pasi është shumë kërkuese dhe perfeksioniste. Pas shitjes së kompanisë tek Capri Holding Limited, edhe pse ka humbur të drejtat e pushtetit të plotë në Versace, ajo mban akoma rolin e drejtueses artistike kreative. Donatella mund të them me plot bindjen që është pika kyçe në suksesin që ka arritur Versace edhe për shkak të relacioneve që ajo ka me celebrities nga e gjithë bota. Këtu vlen të përmendim shoqërinë e ngushtë që ka me Madonna, Elton John, Paris Hilton, Britney Spears, ose kryeredaktoren e Vogue Anna Wintour. Donatella është një grua rreth të 68-ve e cila është e projektuar drejt së ardhmes dhe ka një energji të pashtershme për të jetuar jetën at the fullest.

Ku e bën diferencën në veshje Versace krahasuar me rivalët?

Në Versace, vëmendje e madhe i kushtohet përsosjes së materialeve dhe kombinimeve të tij të pazakonta. Ndërkohë, koleksionet e Versace-s u bënë gjithnjë e më revolucionare: në vitin 1981 u prezantuan fustanet futuriste me rrjetë metalike, ndërsa në fund të viteve 80’ u prezantua një look në stilin e skllavërisë, koleksion i quajtur Miss S&M (stile bondage), që bëri mediat të “zhurmonin”.

Nga Celebrity qe ka veshur Gianni mund të përmendim: Elton John, Princess Diana, Michael Jackson, Cher, Carla Bruni, Britney Spears që u vesh me fustanin e nusërisë i ideuar e realizuar nga Donatella, apo Jennifer Lawrence e cila veshi një fustan prej kadifeje VersacePreFall18 me kopsa medusa të arta dhe një ndarje të lartë në pjesën e dekoltesë në prezantimin e filmit “Red Sparrow” në Londër, fustan i cili sot gjendet në gardarobën time. Fustani në fjalë nuk është thjesht një veshje por një vepër arti i përpunuar në detajet më të vogla me shumë delikatesë nga personeli ynë i Atelier. Është një copë unike, pasi çdo gjë e prodhuar në Atelie është pjesë unike duke të bërë të ndihesh special për faktin e të paturit këtë vepër arti në garderobën tënde. Së fundmi nuk mund të lëmë pa përmendur bashkëpunimin me Dua Lipa për koleksionin “ La vacanza” sfilatë e zhvilluar në Cannes në Francë, ku ylli shqiptar u bë brand ambasador i Versace në mbarë botën. Më pak fjalë Versace është guxim, personalitet dhe stil.

Pak histori për Versace

Versace ka revolucionuar industrinë e modës duke bërë gjëra ndryshe nga c’bënin firmat e tjera, për shembull përdorimi i elementëve të ndryshëm të të njëjtit fustan, që në fillim të viteve ’70 e ’80 kjo nuk ishte një dukuri komune/ e perhapur. Kjo filozofi qëndron në një mix and match për shembull nga dantella e lekura, tek stufat metalike e kristalet svarovski. Versace ndryshoi botëkuptimin që ekzistonte deri në ato momente duke kthyer modën në diçka vibrante, të zjarrtë e argëtuese. Gianni Versace përqafoi ideologjinë që e gjithë ideja për t’u veshur nuk është aq për t’u mbuluar, sa për të qenë tërheqës. Ai besonte qe duhet të vishemi për të tërhequr vëmendje. (bazuar në filozofinë: “You should dress to attract”).

Të gjithë i mbajmë mend momentet më pikante e mbresëlënëse në historinë e Versaces, ku vlen të përmendim Grammy Awards të 42-të të mbajtur në Staples Center në Los Angeles në shkurt 2000, ku Jennifer Lopez veshi një nga fustanet më të famshem të dizenjuar nga Donatella Versace. Një fustan me print xhungel me byrynxhyk mëndafshi me një dekolte jashtëzakonisht të ulët (të quajtur versace jungle print dress). Në atë periudhë ndodhi nje boom kërkimesh në google : “versace jungle dress”.

Fillimi i një bashkëpunimi të rëndësishëm mes kompanisë dhe fotografit Richard Avedon daton në vitin 1979, i cili do të nënshkruante disa nga fushatat reklamuese më të famshme të markës. Më pas Versace do t’ia besojë punën e tij fotografëve të tjerë të rëndësishëm si Helmut Newton, Bruce Weber, Steven Meisel dhe Herb Ritts.

Megjithatë, në prill 1995, revista Time e quajti Gianni Versace njeriun e momentit. Në vitin 1988, motra më e vogël e Gianni dhe Santo, Donatella, iu bashkua kompanisë dhe iu besua menaxhimi i markës Versus, linja më rinore Versace. Në vitin 1991, lindi marka Versace Signature, Koleksioni Versace Home, i dedikuar dizajnit të brendshëm. Në fillim të viteve ’90 u zhvillua edhe projekti eksperimental laboratorik Atelier për krijimin e koleksioneve të modës së lartë, i prezantuar për herë të parë në janar të vitit 1990 në Paris. Simboli i famshëm i Medusës u zgjodh nga Gianni pasi u magjeps nga zbulimi i një koke të përbindëshit të njohur të mitologjisë greke, gjatë gërmimeve arkeologjike në qytetin e tij të lindjes (Reggio Calabria).

Marrë nga Probizz

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0