Shqipëria, qendër strategjike për zgjerimin e 4iG në rajon
Intervistë me Robert Budafoki, Zëvendëspresident i 4iG International
Investitori hungarez, 4iG, synon t’i japë Shqipërisë një rëndësi strategjike dhe ta bëjë atë qendrën kryesore të operacioneve të saj ndërkombëtare. Në një intervistë median, Robert Budafoki, Zëvendëspresident i 4iG International, thotë se grupi hungarez ka në planet e veta një zgjerim të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor dhe po punon për të ngritur një grup me një strukturë të unifikuar menaxhuese për këto operacione. Sipas tij, 4iG vjen me synimin për të qenë një lojtar lider në të gjithë spektrin e shërbimeve e tekonologjisë së informacionit dhe komunikimit në Shqipëri, mbështetur edhe në përvojën e gjatë të kompanisë në sektorin e IT.
Çfarë sfidash paraqet bashkimi i dy kompanive të mëdha, si ALBtelecom dhe ONE dhe cilat janë rezultatet kryesore që prisni nga ky bashkim?
Sinergjia mes ALBtelecom dhe One do t’i sigurojë tregut kombinimin më ideal të rrjetit më të mirë fiks dhe atij celular. Ky bashkim i mundësive do të krijojë një platformë fantastike për produkte të konverguara, ku klientët mund të gjejnë gjithçka që duan në një dyqan, qofshin shërbime fikse apo celulare. Qëllimi ynë përfundimtar është të shtojmë ofrimin e zgjidhjeve të rëndësishme inovative dhe të krijojmë shërbime të reja si: përmbajtje të pasur, argëtim/lojëra, mikrofinancim, sigurime, transmetim programesh, etj. E dimë se kjo do të arrihet vetëm duke ndërtuar një kompani të re të bashkuar, shumë konkurruese që do të tejkalojë sfidat dhe kërkesat e tregjeve aktualë në fushën e telekomunikacionit me produkte të reja, duke përmbushur më mirë kërkesat e biznesit dhe konsumatorëve. Kompania e bashkuar do të ketë një portofol të plotë, ofruesja e katër produkteve (4P) që do të udhëheqë rrugën e digjitalizimit të Shqipërisë, duke u bërë një aset për të nxitur shërbimet me cilësi të lartë B2B dhe B2C.
Bashkimi mes ONE dhe ALBtelecom do të reduktojë, ndër të tjera, numrin e operatorëve celularë në Shqipëri nga tre që janë aktualisht në dy. Çfarë ndikimet parashikoni të ketë ky reduktim i numrit të operatorëve në tregun e shërbimeve celulare?
Në këndvështrimin tonë, fakti që do të mbeten vetëm dy lojtarë në treg është një përgjegjësi. Qëllimi ynë përfundimtar është t’u shërbejmë konsumatorëve produkte me cilësinë më të lartë, një portofol më të larmishëm dhe oferta më të pasura për nevojat e tyre si në segmentin e biznesit ashtu edhe në atë të konsumatorit. Ne duam të sjellim zgjidhjet tona të IT-së dhe shërbimet e telekomit në vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u bërë pjesë e një të ardhmjeje emocionuese për teknologjinë në rajon. Kjo është arsyeja pse e konsiderojmë investimin në Shqipëri, një objektiv afatgjatë dhe strategjik, që do të kontribuojë në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit. Ne besojmë shumë se prania jonë në Shqipëri do të ndihmojë në zhvillimin më tej të transformimit të industrisë dhe teknologjisë së telekomunikacionit.
Lexo: NASA do të godasë anijen e saj kozmike me një asteroid
Ekonomia po përballet me nivelet më të larta të inflacionit në më shumë se 20 vite. Çfarë ndikimesh mund të ketë kjo situatë në tregun e komunikimeve elektronike?
Situatat ndërkombëtare ekonomike dhe gjeopolitike në mbarë botën, kanë shtuar një presion kostoje mbi teknologjinë dhe burimet energjetike dhe sektori ynë është shumë i ndikuar nga këto ndryshime. Deri tani kemi arritur të mbajmë nën kontroll koston dhe të mos përcjellim asnjë efekt tek abonenti, siç ka ndodhur në sektorë të tjerë të rëndësishëm. Efekti i dytë i kësaj krize është se tendenca botërore për uljen e kostos do të çojë në një përdorim më të lartë të digjitalizimit, i cili në vetvete ka një efekt të fortë në uljen e shkallës së inflacionit. Kjo do të thotë se digjitalizimi i shpejtë në fakt mund të ndihmojë në luftën kundër rritjes së shpejtë të çmimeve.
Sipas jush, sa e rëndësishme është konvergjenca midis shërbimeve celulare dhe atyre fikse për konkurrencën mes operatorëve të komunikimeve elektronike? Çfarë përfitimesh do të ketë ONE nga zotërimi i një infrastrukture rrjeti fiks, pas bashkimit të tij me ALBtelecom?
Ne besojmë se lidhja në të gjitha mënyrat: celulare, fikse apo ëireless (pa tela) është një shërbim themelor që përmirëson jetën dhe lehtëson bizneset. Jemi të bindur se duke sjellë të gjithë avantazhet e mundshme në cilësi dhe një pikë të vetme shërbimi ku i gjen të gjitha, pa humbur kohë, do të krijojmë përfitime që do të pëlqehen dhe përqafohen nga të gjithë abonentët tanë. Më shumë se ONE, ata që do të përfitojnë nga bashkimi i këtyre dy shërbimeve janë abonentët, sepse do të kenë paketa më të përshtatshme dhe më cilësore. Si një ofrues mbarëkombëtar i katër shërbimeve (4P), ne do të jemi në gjendje të plotësojmë një gamë të gjerë kërkesash në telekomunikacion, si dhe në IT, sikundër tani po fokusohemi në krijimin e produkteve që do t’u jepnin lehtësi familjeve dhe SME-ve për të kombinuar atë që u nevojitet për të marrë në paketat “të gjitha në një”.
Pritet që në vitet e ardhshme edhe Shqipëria të kalojë në gjeneratën 5G të komunikimeve celulare. Cilat janë ndryshimet më thelbësore që teknologjia 5G mund të sjellë për operatorët dhe përdoruesit e shërbimeve celulare?
Teknologjia 5G do të bëhet realitet në Shqipëri së shpejti dhe investimet tona 5G do të nxisin një gamë të tërë shërbimesh dhe produktesh që do të jenë të disponueshme falë kësaj gjenerate. Ne jemi të bindur se produktet tona 5G do të mundësojnë dhe stimulojnë sektorin privat dhe atë publik për të shkuar drejt shërbimeve të gjeneratës së ardhshme. Kompania e re e bashkuar, zotëruese e rrjetit fiks më të fortë, si trashëgimi nga ALBtelecom, do të jetë avantazhi më i fortë në treg që do të na diferencojë. Me një historik të fortë në fushën e IT-së që buron nga kompania jonë mëmë, 4iG, së shpejti do të jemi në gjendje të ofrojmë shërbime që mbështesin digjitalizimin në Shqipëri dhe do të prezantojmë shërbime që nuk kanë qenë të disponueshme më parë, për një gamë të gjerë abonentësh. Ne synojmë të ndërtojmë një kompani që do ta çojë Shqipërinë drejt së ardhmes digjitale dhe nëpërmjet 5G mund të përmbushim ambiciet tona për t’u bërë operatori lider në shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), zgjidhjet inteligjente etj.
Përvoja e Grupit 4iG përfshin kryesisht shërbimet e teknologjisë së informacionit. A besoni se hyrja në tregun e komunikimeve elektronike do t’i shërbejë Grupit për të zgjeruar biznesin e tij në Shqipëri, në shërbime të tjera të lidhura me TIK-un?
Objektivi ynë për t’u bërë një lojtar lider i sektorit të TIK-ut në Shqipëri është në përputhje me megatrendin global të kombinimit të shërbimeve telco me IT-në. Grupi 4iG duke realizuar këtë kombinim do të sjellë avantazhe të jashtëzakonshme konkurruese për abonentët tanë të biznesit, krahasuar me kompanitë e tjera, si dhe do të ketë performancë më efektive, mbrojtje më të lartë dhe siguri më të mirë operacionale. Është një trend i natyrshëm dhe një vlerë e shtuar që kompania e bashkuar e telekomit do të ofrojë edhe produkte TIK që vijnë si zgjerim i lidhjes. Përvoja dhe suksesi i 4iG-së do të jetë një pasuri për tregun dhe faktorë diferencues që do të ndihmojë sektorin publik dhe privat shqiptar të ketë akses në projektet e realizuara me sukses të Grupit. Ne kemi plane për zgjerime të ardhshme në tregun shqiptar të TIK-ut me shërbime që plotësojnë nevojat e tregut, duke propozuar gjithashtu produkte që nxisin zgjidhje inovative në vend dhe rajon.
Grupi juaj është tashmë një lojtar lider në tregjet e komunikimeve elektronike në Shqipëri dhe Mal të Zi. A shihni ndonjë perspektivë në të ardhmen e afërt për investime në vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor?
Lajmi i mirë është se ne do ta bëjmë Shqipërinë qendrën kryesore të 4iG International. Ky vendim i investitorëve të 4iG-së flet vetë për rëndësinë strategjike të Shqipërisë në rajon. Po, ka plane zgjerimi në Ballkanin Perëndimor. Duam të krijojmë një grup me një strukturë të unifikuar organizative dhe menaxhuese, i cili do të jetë në gjendje të operojë nën një emër të vetëm në tregun hungarez dhe atë ndërkombëtar. Qendra ndërkombëtare 4iG në Tiranë do të jetë një qendër ekselence për shumicën e zgjidhjeve inovative, për ndërtimin e sinergjisë në rajon në fushën e telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit. Dhe ne jemi shumë të lumtur që kemi zgjedhur Shqipërinë si qendrën tonë në rajon.
Intervistë për revistën “Monitor”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.