Albintech, startupi që po sjell bujqësinë inteligjente në Shqipëri! - Business Magazine Albania

Albintech, startupi që po sjell bujqësinë inteligjente në Shqipëri!

Nga Eni Muça

Pika kyçe nga intervista:

  • Inxhinier bankar që transformon bujqësinë.
  • Vendimmarrje fermerësh pa të dhëna.
  • GNHC monitoron tokën dhe serrat.
  • Risi: matje kimike NPK tokës.
  • Pilotime praktike për ndërtim besimi.
  • AI jep rekomandime në kohë.
  • Zgjerim drejt industrive të tjera.
  • Partneritete të forta me fermerët.
  • “Farmer’s Label” për transparencë.
  • Synim: standard kombëtar digjitalizimi.

Nuk e dëgjon shpesh një inxhinier të sistemeve kritike bankare, njeriun që ka menaxhuar arkitekturën e sofistikuar të sigurisë në Raiffeisen Bank, të flasë me kaq ndjeshmëri për cilësinë e tokës dhe të ardhurat e fermerëve. Genti Gaçe nuk është thjesht një themelues startup-i i entuziazmuar; ai ka një ekspertizë të rrallë, të ndërtuar mbi efikasitetin absolut dhe mungesën e kompromisit në sistemet financiare. Megjithatë, pikërisht ky inxhinier, i specializuar në detajet më të imta të sigurisë informacioni, zgjodhi të drejtojë aftësitë e tij drejt një prej sektorëve më të prapambetur dhe më të vështirë në vend: bujqësisë. Kjo është historia e Albintech, një mision që lindi kur z.Gaçe pa se mungesa e të dhënave mund të ishte po aq katastrofike sa një dështim në sistemin bankar.

Rrugëtimi profesional i Gentit pas diplomimit në Informatikë në vitin 2006, ishte një ndërtim i qëndrueshëm i njohurive: nga zhvillimi komunitar në Dhomën e Tregtisë tek thellimi në sektorët më të ndjeshëm teknologjikisht. Por pika e kthesës, e cila shënoi fundin e thjesht “profesionit” dhe fillimin e “misionit”, erdhi nga vitet në mikrofinancë.

Genti tregon: “Pas studimeve, puna me institucionet dhe bizneset më dha eksperiencën në menaxhim. Por ishte rreth 8 vite në sektorin e mikrofinancës që më ndryshuan perceptimin. Aty pashë se si fermerët, njerëz punëtorë, merrnin vendime vitale vetëm me intuitë dhe përvojë, pa mjete matëse, pa të dhëna.” Kjo mungesë sigurie dhe matjeje ishte një alarm për një inxhinier të trajnuar në sisteme ku çdo parametër duhet të jetë i matur dhe i siguruar. Albintech lindi nga kjo dëshirë për të sjellë efikasitet dhe qartësi aty ku mungonin. “Aty lindi dëshira, që më vonë u kthye në mision, për të sjellë diçka konkrete që u përmirëson punën, prodhimin dhe sigurinë e të ardhurave,” thekson ai.

 

GNHC: Teknologjia që fiton besimin e brezit të vjetër

Sot, Albintech njihet për platformën GNHC (Greenhouse Control), një zgjidhje IoT që monitoron parametrat jetikë të serrës dhe tokës. Por përballja me tregun ishte sfida e vërtetë, ku mosha mesatare e fermerëve është e lartë dhe besimi te teknologjia, i ulët. Z. Gaçe shpjegon strategjinë e tyre: “Ne u përballëm me realitetin e vështirë: fermerë me njohuri të kufizuara teknike, mosha e madhe. Qasja jonë ishte e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: punë në terren, pilotime pa kosto, demonstrime praktike dhe shpjegime të thjeshta. Kjo na lejoi të provonim vlerën e teknologjisë aty ku ka rëndësi.”  Fokusi i tyre në zgjidhje praktike solli arritjen kryesore: futjen e monitorimit të plehrave kimike në tokë (NPK). Kjo ndryshon gjithçka. Fermeri nuk humb kohë dhe para me fertilizim të tepërt apo të gabuar. “Gjatë këtij procesi sollëm një risi të rëndësishme për tregun shqiptar: monitorimin dhe gjurmimin e sasive të plehrave kimike në tokë përmes sensorëve, duke i dhënë fermerit një panoramë të qartë se sa ushqyes po konsumon toka,” thotë ai.

Lexo edhe:OBSH: Shqipëria pa progres në Inteligjencën artificiale për shëndetin

Faza tjetër: AI dhe vizioni shumë-sektorial

Me mbështetjen e programeve si NomadTech, Albintech po hyn në një fazë të re me versionin V2 të GNHC. Ky nuk është thjesht një përmirësim harduerik, por një integrim i fuqishëm i Inteligjencës Artificiale. Genti Gaçe zbulon të rejat: “Gjenerata e re vjen me pajisje më të fuqishme dhe, më e rëndësishmja, me algoritme të avancuara të mbështetura nga AI, e cila gjeneron udhëzime të dedikuara për fermerin. Këto udhëzime nuk mbështeten në informacione të përgjithshme, por në analiza unike të asaj që tregojnë vetë sensorët në kohë reale.”

Ky personalizim i të dhënave e bën Albintech një këshilltar virtual, duke e transformuar vendimmarrjen e bazuar te ndjesia në vendimmarrje të bazuar në të dhëna të forta shkencore. Përtej serave, z. Gaçe e ka vizionin të qartë: Albintech do të jetë një kompani e gjerë teknologjike. “Vizioni ynë afatmesëm është të mos mbetemi vetëm në bujqësi. Synojmë zgjerimin e aktivitetit edhe në sektorë të tjerë industrialë që kanë nevojë kritike për sensorë inteligjent,” shpjegon ai. Kjo përfshin monitorimin e korrozionit në tubacione dhe maturimin e betonit në arkitekturë.

Partneritetet dhe bashkëpunimet e deritanishme janë një pikë shumë e rëndësishme e zhvillimit të këtij startupi, dhe deri më tani përfshijnë:

  • Fermerët dhe serrat pilot, që na kanë hapur dyert për testime reale. Albintech ka pasur disa partneritete me fermerë kryesisht në zonat rurale te Tiranës si Baldushk dhe Kashar dhe aktualisht po kërkojme të shtrihemi dhe në zona të tjera si Divjaka, Roskoveci, Kafaraj (Fier).
  • Agronomët dhe ekspertët lokalë, që na kanë ndihmuar në analizat dhe interpretimin e të dhënave.
  • Gjatë rrugëtimit tonë, një rol të rëndësishëm kanë pasur edhe bashkëpunimet institucionale dhe prezantimet publike, të cilat kanë shërbyer si platforma për të ndarë përvojën tonë dhe për të forcuar ndikimin e teknologjisë në bujqësi. 
  • Sistemi GNHC është prezantuar në konferencën e EBRD dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, në panelin “Digjitalizimi dhe përdorimi i teknologjisë IoT në agrobiznes”, ku u diskutua roli i sensorëve inteligjent si mjet transformues për sektorin bujqësor. 
  • Po ashtu, në Bashkinë Roskovec, në kuadër të projektit SuS_AGRI të organizuar nga H2H Foundation, para fermerëve dhe përfaqësuesve vendorë u prezantuan mënyrat se si teknologjia GNHC ndihmon në përshtatjen e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike. 
  • Një tjetër moment i rëndësishëm ishte prezantimi në takimin tematik të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku u shpjegua funksionimi teknik i sistemit GNHC si një model i qartë inovacioni vendas. 
  • Gjithashtu, sistemi është prezantuar edhe në Zone e Kafaraj, në bashkëpunim me një nga bankat e nivelit të dytë, duke demonstruar rolin e teknologjisë në mbështetjen e fermerëve dhe projekteve të tyre.
  • Kompanitë e specializuara në dizajn prototipesh, që kanë zgjedhur materiale të qendrueshme për kushtet e serrave.
  • Programet e inovacionit dhe mentorimit që na kanë orientuar gjatë fazave të hershme.

Për BusinessMag dhe lexuesit tanë, ky është një sinjal i fortë se inovacioni shqiptar po ecën përpara, duke sjellë zgjidhje të sofistikuara në industritë tradicionale. Albintech po krijon një standard të ri jo vetëm për menaxhimin e tokës, por edhe për transparencën me zhvillimin e konceptit “Farmer’s Label” (etiketa digjitale e fermerit).

Në afatgjatë, Genti Gaçe synon që Albintech të jetë një pikë referimi kombëtare, duke ofruar edhe shërbime konsulence në digjitalizim dhe AI. “Synimi ynë është që Albintech të mbetet një pikë referimi kombëtare për sensorizimin inteligjent dhe transformimin dixhital, një kompani që vendos standarde të reja në mënyrën si mblidhen, interpretohen dhe përdoren të dhënat në sektorë të ndryshëm të ekonomisë drejt së ardhmes digjitale.”

Albintech është dëshmia se ekspertiza e lartë teknologjike, kur bashkohet me ndjeshmërinë ndaj problemit, mund të sjellë ndryshimin e vërtetë, duke modernizuar themelet e ekonomisë shqiptare.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0