Katër ide të reja u prezantuan në puntatën e tetë të “Startop”, projekt i mbështetur nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Paneli këtë të shtunë përbëhej nga sipërmarrësit Shkëlzen Marku e Marjus Bushi, zv. dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Martin Serreqi dhe Besard Kadia, zv. ministër i Ekonomisë dhe Financave. Ndër të tjera panelistët u njohën edhe me projektin e AlbaniaTech, platforma që bën bashkë të gjithë start-upet shqiptare për t’i dhënë jetë ekosistemit.
Projekti i parë që u prezantua ishte “Triple City Incubator and Accelerator”, i cili ka si qëllim ndërtimin e një ekosistemi për sipërmarrjen, kreativitetin dhe inovacionin.
Përfaqësuesja e Universitetit Barleti, Bora Panajoti tha se projekti mbështet start-upe, biznese të vogla apo ekspertë të huaj dhe vendas duke ofruar infrastrukturë moderne, shërbime profesionale dhe platformë virtuale.
Projekti i dytë ishte “Zyra Inovative Bulqizë”, ku të rinjtë kanë mundësinë që të shprehin idetë e tyre të reja dhe çfarë duan nga qytet.
Ramiz Alia, koordinator projektesh në bashkinë Bulqizë u shpreh se me mbështetjen e ministrisë, u ndërmor projekti “Zyra inovative Bulqizë”, ku përfituan shumë të rinj të cilët mund të paraqisnin idetë e tyre.
Morena Çupi është një prej të rinjve që u bë pjesë dhe prezantoi projektin e një blogu që promovon qytetin.
Projekti i tretë që u prezantua në studio përmban emrin “Art dhe zeje në kujtesë”, të cilat janë produkte artizanale që prodhohen nga kromi i Bulqizës.
Suajb Prethi dhe Geralda Gjikola theksuan se tradicionalja nuk humbet nga moda dhe se do të jetë në progres.
“Kromi e identifikon qytetin e Bulqizës dje ne duhet t’i japim një ngjyrim tjetër, duke marrë parasysh që punimi është i vështirë si fillim duhet që të pastrohet, i jepet forma dhe kthehet në formë sfere”, thanë ata.
Projekti i katërt që u prezantua ishte platforma “Albania Tech”, i cili ka për qëllim të bëjë bashkë sipërmarrësit nga i gjithë ekosistemi shqiptar i sipërmarrjes.
I ftuar në studio Gerti Boshnjaku tha se të rinjtë që duan të marrin informacione për startup-et mund të futen në faqe dhe të marrin njohuritë e nevojshme.
“Ne jemi duke u përmirësuar, deri tani janë 170 startape që janë në databazë, ekosistemi ka marrë formë, e gjen të gjithë informacionin këtu, sepse platforma ka një kalendar, çdokush që ka dëshirë të marrë informacion, do të ketë mundësi ta marrë atë. Arritje është pjesa e integrimit me ‘diell room’-in, synimi është të shtojmë ndërveprimin, kemi nisur të bashkëpunojmë si platformë me aktorë të ndryshëm dhe të organizojmë evente të përbashkëta”, tha Boshnjaku.
AlbaniaTech është e para platformë në Shqipëri sa i përket identifikimit të star-upeve dhe informacioneve më të fundit nga fusha e sipërmarrësve të rinj. Nëpërmjet ekosistemit që ka krijuar AlbaniaTech synon të fuqizojë të gjithë sipërmarrëasit e rinj dhe t’i ofrojë atyre një rrjet ku nuk mund të krijojnë lidhje të reja.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.