Në një reagim zyrtar të saj, thuhet se kontrata është lidhur me kompaninë “Albanides Energy”, që është përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa zhvendosja e aksioneve dhe aksionerëve është e drejtë ligjore e saj. MEI thotë se nuk ka asnjë të drejtë ligjore që të vendosë kushte që kufizojnë vendndodhjen e aksionerëve të këtyre shoqërive apo të drejtën e transferimit të aksioneve.
Është fakt i ditur, thuhet në sqarimin e Ministrisë, që pjesa më e madhe e kontratave hidrokarbure në Shqipëri, por edhe jashtë saj janë nënshkruar me shoqëri, aksionerët e të cilave janë të regjistruar në vendet e njohura si “offshore”.
“Diskutimi i hapur ditët e fundit në lidhje me investigimin Panama Papers dhe aludimi që bëhet për këtë marrëveshje janë rastërore për të mos thënë spekulative. Panama Papers është fokusuar te politikanët apo individë të lidhur me ta, si aksionerë të kompanive që mund të kenë përfituar konçesione që lidhen me fonde nga taksat e publikut”, thuhet në reagim.
Në deklaratë, ministria shton se Blloku 8 nuk ka tërhequr asnjëherë vëmendjen nga kompani vendase apo të huaja për kërkim hidrokarburesh për shkak të rrezikut të studimeve sizmike dhe riskut të lartë të kërkimit.
Megjithatë, thotë MEI, nga marrëveshja kompania koncesionare ka disa detyrime ndaj shtetit, pavarësisht nëse gjen ose jo hidrokarbure në atë zonë.
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk shoqërohet me shpenzime financiare për Buxhetin e Shtetit. Përkundrazi, efektet që rrjedhin nga miratimi i këtij projektvendimi konsistojnë në kryerjen e operacioneve hidrokarbure nga ana e Kontraktorit, për kërkimin në këtë vendburim, të cilat në minimum duhet të kapin shumën e investimit prej 5.3 milionë dollarë. Po ashtu, parashikon se shoqëria duhet të paguajë edhe bonuse të tjera ndaj shtetit në fazën e kërkim-zbulimit”, thotë ministria.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.