AKEP miraton bashkimin e Albtelecom me ONE dhe rishpërndarjen e frekuencave mes dy operatorëve të mbetur celularë - Business Magazine Albania

AKEP miraton bashkimin e Albtelecom me ONE dhe rishpërndarjen e frekuencave mes dy operatorëve të mbetur celularë

AKEP

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i ka hapur rrugë bashkimit mes operatorëve ONE dhe Albtelecom, duke filluar nga data 1 janar 2023.

Këshilli Drejtues pranoi kërkesën e paraqitur nga dy operatorët për miratimin e transferimit të të drejtave të përdorimit të frekuencave të dhëna sipas regjimit të autorizimit individual dhe regjimit të autorizimit të përgjithshëm si dhe për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve të caktuara në aktet rregullatore të nxjerra nga AKEP nga sipërmarrësi Albtelecom te sipërmarrësi One Telecommunications.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kompania më e vjetër e telekomunikacioneve në vend, Albtelecom do të shkrihet edhe të gjitha shërbimet fikse dhe të lëvizshme të komunikimit pas bashkimit të shoqërive do të ofrohen nën emrin dhe markën ONE.

Megjithëse ligjërisht të drejtat e përdorimit të Albtelecom i kalojnë ONE prej datës 1 janar 2023, vendimi i AKEP do të hyjë në fuqi në përfundim të procesit ligjor të bashkimit me përthithje dhe pas pasqyrimit të ndryshimeve përkatëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Bashkimi mes Albtelecom dhe ONE do të ketë një ndikim të rëndësishëm sidomos në tregun e komunikimeve celulare, duke e ulur numrin e përgjithshëm të operatorëve nga tre në dy. Ky do të jetë numri më i ulët i operatorëve në tregun celular qysh prej vitit 2008, kur nisi aktivitetin operatorit i tretë celular, Eagle Mobile.

Në vitet e fundit, tregu celular po kalon një fazë konsolidimi dhe përqendrimi.  Konsolidimi është një tendencë që ndeshet shpesh në tregjet e telekomunikacioneve, sepse operatorët e vegjël e kanë të vështirë të jenë eficientë në afatin e gjatë, sidomos në tregje me përmasa të vogla, si Shqipëria.

Grupi hungarez 4iG finalizoi blerjen e kompanive ONE dhe ALBtelecom në mars të këtij viti, ndërsa vlera e transaksioneve nuk u bë publike. Në vijim, 4iG e transferoi të gjithë portofolin e vet të sektorit të telekomunikacioneve tek shoqëria tjetër e kontrolluar prej saj, Antenna Hungária, ku aksioner pakice është edhe qeveria hungareze.

Pas përfundimit të bashkimit ONE do të bëhet operatori më i madh në tregun e shërbimeve ceulare dhe operatori i dytë më i madh në tregun e komunikimeve fikse. Sipas të dhënave më të fundit të AKEP, në mesin e këtij viti ONE dhe Albtelecom zotëronin më shumë se 54% të numrit të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare. Ndërkohë, Albtelecom zotëronte 21.3% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të internetit nga rrjetet fikse, duke humbur për herë të parë kryesimin e tregut, në favor të Vodafone.

Disa prej frekuencave të ONE dhe Albtelecom i kalojnë Vodafone

Paralelisht me dhënien e miratimit për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve të Albtelecom te ONE, Këshilli Drejtues i AKEP ka miratuar edhe një rishpërndarje të re të frekuencave mes tre operatorëve celularë, në ndjekje edhe të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës.

Komisioni i Konkurrencës i rekomandonte ndryshime në “Planin Kombëtar të Frekuencave”, pas ndryshimit të strukturës së tregut të komunikimeve elektronike, me qëllim shpërnarje të drejtë të frekeuncave mes dy operatoreve që do të ngelen në treg.

Rekomandimi synon që zotërimi i të drejtave të përdorimit të frekuencave të reflektojë strukturalisht një spektër të balancuar dhe një treg të telefonisë së lëvizshme të ekuilibruar, të pacenuar nga përqendrimi i autorizuar nga Komisioni i Konkurrencës.

Bazuar mbi këtë parim, AKEP ka kërkuar nga sipërmarrësit e telefonisë së lëvizshme arritjen e një marrëveshjeje të ribalancimit proporcional të spektrit të frekuencave mes operatorëve aktivë.

Në këto kushte, të tre sipërmarrësit e pajisur me të drejta përdorimi të spektrit kërkuan nga AKEP garantimin një raundi bisedimesh mes tyre, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje teknike të përshtatshme e cila do të lehtësonte një marrëveshje përfundimtare për një përpjesëtim të ri të spektrit, duke synuar kështu një vetërregullim sa më optimal të tregut përpara se bashkimi me përthithje i shoqërive One Telecommunications dhe Albtelecom të hynte në fuqi.

Në fillim të këtij muaji, tre operatorët dorëzuan në fillim të këtij muaji në AKEP një marrëveshje, në bazë të së cilës Albtelecom do të transferojë te Vodafone Albania tre blloqe të spektrit të frekuencave, ndërsa ONE dy të tilla. Në përfundim, marrëveshja parashikon një përpjesëtim të ri të spektrit nga 59% (pjesa e përbashkët ONE-ALbtelecom) me 41% (pjesa e Vodafone) që është aktualisht, në rreth 51% me 49%.

Pasi ka marrë në analizë marrëveshjen, AKEP ka gjykuar se përpjesëtimi i ri i spektrit është në përputhje me interesin publik, sepse garanton shmangien e deformimeve në konkurrencë dhe siguron përdorimin efecient të spektrit.

AKEP vlerëson se një rikonfigurim i tillë (51% me 49%), rivendos ekuilibrin e munguar, duke shmangur një detyrim të mëtejshëm të shoqërisë së bashkuar për të hequr dorë nga të drejta përdorimi në mënyrë të njëanshme dhe të detyruar dhe për t’ia rikthyer Shtetit kundrejt një kompensimi financiar proporcional.

Sipas AKEP, marrëveshja adreson edhe shqetësimin e shfaqur në vendimin e Komisionit të Konkurrencës për shmangien e barrierave të larta për hyrjen e një operatori të ri në treg, pasi një sërë brezash të përshtatshëm për zhvillimin e teknologjive 4G dhe 5G mbeten të lirë për t’u dhënë në përdorim./E.Shehu

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0