Inteligjenca artificiale po u jep personave të verbër mundësinë të kuptojnë më shumë për pamjen e tyre, duke ndryshuar mënyrën se si e përjetojnë veten dhe përditshmërinë. Por ekspertët paralajmërojnë se kjo teknologji mund të ketë edhe pasoja psikologjike më komplekse.
Aplikacione si Be My Eyes dhe Envision tashmë u ofrojnë personave të verbër përshkrime të detajuara vizuale të fytyrës dhe trupit përmes njohjes së imazhit dhe inteligjencës artificiale, raporton BBC. Këto mjete mund të përshkruajnë teksturën e lëkurës, tiparet e fytyrës dhe madje të sugjerojnë këshilla për rregullim personal apo grim, duke funksionuar si një lloj “pasqyre digjitale” për njerëzit që nuk e kanë parë kurrë veten.
Lucy Edwards, influencere e verbër, shprehet se feedback-u nga AI i ka ndryshuar mënyrën se si e kupton pamjen e saj, pas vitesh varësie nga përshkrimet e të tjerëve. “Papritur kemi akses në kaq shumë informacion për veten dhe botën përreth. Kjo ta ndryshon jetën,” thotë ajo.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se kjo teknologji mund të përforcojë pa dashje standarde të ngushta bukurie. Helena Lewis-Smith, eksperte e imazhit trupor në Universitetin e Bristolit, thekson se algoritmet e AI shpesh matin njerëzit sipas standardeve perëndimore të bukurisë, gjë që mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor, sidomos për personat që nuk mund ta verifikojnë vizualisht atë që u thuhet.
Lexo edhe: Stresi nga nxehtësia ul prodhimin e qumështit me 25%, ja rekomandimet e ekspertëve
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Envision, Karthik Mahadevan, shpjegon se aplikacionet fillimisht janë ndërtuar për nevoja praktike si leximi apo orientimi në hapësirë, por përdoruesit po i përdorin gjithnjë e më shumë për stilim dhe kujdes personal. “Pyetja e parë që shumëkush bën është: si dukem?” thotë ai.
Ndërsa inteligjenca artificiale po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një asistente personale vizuale, ajo sjell njëkohësisht fuqizim dhe rreziqe. Përdoruesit mund të zgjedhin nëse përshkrimi do të jetë thjesht informues, artistik apo vlerësues, por paragjykimet algoritmike dhe pasaktësitë mbeten sfida reale. Disa platforma, si Aira Explorer, përfshijnë edhe verifikim njerëzor për të rritur besueshmërinë.
Studiuesit theksojnë se imazhi trupor formohet nga konteksti social, krahasimet me të tjerët dhe përvoja personale, dimensione që AI nuk mund t’i kuptojë plotësisht. Megjithatë, për shumë persona të verbër, kjo teknologji po sjell më shumë pavarësi dhe vetë-zbulim. Siç shprehet Edwards: “Edhe pse nuk e përjetojmë bukurinë njësoj si personat që shohin, AI na lejon të përjetojmë pjesë të vetes që mendonim se i kishim humbur.”
Ndërsa AI po bëhet pjesë e jetës së përditshme, ekspertët kërkojnë që të analizohet me kujdes ndikimi emocional dhe psikologjik i saj tek komunitetet e personave të verbër, duke gjetur balancën mes fuqizimit dhe rreziqeve të mundshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto