Në një klasë finlandeze me fëmijë nën gjashtë vjeç, më herët këtë vit, një mësuese propozoi që nxënësit të shkruanin së bashku një tregim duke përdorur një mjet të ri online: inteligjencën artificiale (AI). Me ndihmën e saj, fëmijët zgjodhën zhanrin (horror), përcaktuan ngjarjen dhe personazhet, ndërsa mësuesja përpiloi sugjerimet e tyre në një kërkesë për sistemin e AI-së. Ky i fundit jo vetëm që gjeneroi tekstin, por edhe ilustrime për tregimin, duke i habitur e gëzuar fëmijët – një ushtrim i thjeshtë që sipas ekspertëve të edukimit mediatik, tregon se si Finlanda po mëson qytetarët e saj më të vegjël të bashkëveprojnë me inteligjencën artificiale.
Kjo qasje është pjesë e përpjekjeve të një vendi që prej kohësh renditet i pari në Europë për qëndrueshmërinë ndaj dezinformimit. Sipas Observatorit Europian të Medias Digjitale (EDMO), edukimi mediatik krijon qytetarë që janë “si kritikë, ashtu edhe digjitalisht të aftë”, duke i pajisur ata me mjete për të gjykuar më qartë informacionin që hasin online.
Një traditë e hershme në edukimin mediatik
Finlanda e nisi edukimin mediatik që në vitet 1970, fillimisht duke u mësuar nxënësve si të interpretonin programet e radios e televizionit. Ndryshimi më i madh erdhi në vitin 2014, vetëm pak muaj pasi Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë, gjë që solli një valë dezinformimi edhe në këtë rajon. Nga ajo kohë, programet shkollore përfshinë edhe rrjetet sociale dhe përdorimin e smartfonëve.
Koncepti kryesor është “multiletrariteti” – aftësia për të kuptuar, vlerësuar dhe analizuar burime të ndryshme informacioni, jo si një lëndë më vete, por si një aftësi jetësore që ndërthuret në çdo lëndë, nga matematika deri te historia. Rreth 100 organizata kontribuojnë sot me materiale e aktivitete që mbështesin mësuesit në këtë mision.
Lexo edhe: Nga 48€ në Shqipëri, te 3,789€ në Luksemburg, hendeku i mbrojtjes sociale në Europë
Qysh në moshën trevjeçare, fëmijët finlandezë nisin të njihen me mjedisin digjital duke hulumtuar imazhe apo tinguj që u duken argëtues. Në klasën e parë, ata mësojnë të gjykojnë nëse një informacion online është i besueshëm apo jo. Nga mosha nëntë vjeç, nxënësit mësojnë të hartojnë kërkime duke analizuar burime dhe perspektiva, ndërsa në lëndë si matematika, mësuesit u shpjegojnë se si funksionojnë algoritmet.
“Studentët kanë nevojë për aftësi për të kuptuar inteligjencën artificiale dhe mënyrën si ajo funksionon,” – shprehet Nina Penttinen, këshilltare në Agjencinë Kombëtare Finlandeze të Arsimit.
IA dhe sfida e “deepfake”
Një nga sfidat më të mëdha të kohëve të fundit janë videot dhe imazhet e manipuluara përmes AI-së – të njohura si deepfake. Këto materiale, shpesh të padallueshme nga realiteti, tashmë janë përdorur në fushata mashtruese që kanë prekur politikanë e figura të njohura, nga Marco Rubio te Taylor Swift.
“Nuk ka rëndësi sa shpejt zhvillohet teknologjia në sipërfaqe,” – thekson Leo Pekkala, zëvendësdrejtor i Institutit Audiovizual Kombëtar Finlandez, – “nevojitet ende një kuptim kritik bazë i mënyrës si funksionon media”.
Nxënësit po mësohen të dallojnë shenja që tregojnë se një material mund të jetë i rremë – për shembull kur një video shkakton një reagim emocional të ekzagjeruar. Në këto raste, ata udhëzohen të kontrollojnë burime të tjera për të verifikuar autenticitetin.
Një sfidë për të gjithë Europën
Përballë shpejtësisë marramendëse me të cilën po zhvillohet IA, sistemi arsimor finlandez ende përpiqet të përshtatet. Qeveria ka publikuar udhëzime të reja për përdorimin e IA-së në arsim, por ato nuk janë pjesë e detyrueshme e kurrikulës. “Procesi i rishikimit të plotë të kurrikulës bëhet çdo 10 vjet dhe ende nuk ka nisur,” thotë Penttinen.
Ndërkohë, eksperti i edukimit në BE, Kari Kivinen, po punon mbi një kornizë të re të përbashkët për edukimin mbi IA-në, që pritet të prezantohet në vitin 2026 dhe të përfshijë deri në 100 vende. Ajo do të përcaktojë se si nxënësit duhet të përdorin IA, si ta deklarojnë përdorimin e saj dhe si të arrijnë rezultate më të besueshme.
“Përdorimi i IA-së nuk është një problem vetëm për Finlandën,” thotë Kivinen. “Është një sfidë për gjithë Europën dhe botën. Sistemet arsimore nuk kanë arritur ende ta ndjekin ritmin. Na pret një detyrë gjigante përpara.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto