Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Universiteti i Tiranës u bëjnë thirrje studentëve të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi.
Në kuadër të projektit “AGROINNOECO, Ekosistemi i inovacionit ndërrajonal Balkan Med për maturimin dhe integrimin e ideve sipërmarrëse inovatore në sektorin agroushqimor”, të rinjtë u informuan rreth kësaj mundësie.
Gjithsej do të përzgjidhen 15 idetë më të mira, fituesit e të cilave do të trajnohen dhe pajisen me të gjitha aftësitë e nevojshme për të implementuar idetë e tyre në një biznes start-up.
Projekti do të ketë në fokus fazën e para-inkubimit në sektorin agroushqimor, si një hap i nevojshëm për plotësimin e hapësirave boshe që ekzistojnë ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe strukturave të zhvillimit, për të lehtësuar transferimin e inovacionit.
Profesor Rezart Prifti u bëri thirrje të rinjve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti i Tiranës, të aplikojnë me ide novatore në fushën e agropërpunimit dhe të bëhen pjesë e programit mbështetës.
Studentët parashikohet të orientohen nga pedagogët për planin e biznesit dhe të marrin mbështetje prej tyre për idenë e biznesit. Në fund të procesit, projekti do të shpallë idenë fituese.
Për mundësitë e përfitimit, të rinjtë u njohën edhe nga partnerët e projektit, Viola Xhindi, Drejtore e Departamentit të Projekteve pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Aida Kokalari, Koordinatore e Projekteve dhe Prof. Kozeta Sevrani e Tea Tavanxhiu, pedagoge në Universitetin e Tiranës.
Ky projekt, i financuar nga fondet e Bashkimit Europian dhe vendet partnere si Greqia, Qipro, Bullgaria dhe Shqiperia, ka për qëllim përmirësimin e inovacionit në sektorin e biznesit agroushqimor.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
