Aeroporti i Rinasit, historia dhe përpjekjet për zgjidhjen e një konflikti që vazhdon prej një viti - Business Magazine Albania

Aeroporti i Rinasit, historia dhe përpjekjet për zgjidhjen e një konflikti që vazhdon prej një viti

Aeroporti i Rinasit u prek nga fenomeni global i reduktimit drastik të punës në fillim të muajit mars, kur numri i fluturimeve ra ndjeshëm për shkak të masave shtrënguese që nisën të aplikojnë vende të ndryshme, mes të cilave edhe Italia, ku ishte numri më i madh i fluturimeve direkte nga Tirana.

Rënia e numrit të fluturimeve reduktoi njëkohësisht edhe të ardhurat e “Albcontrol”, një shoqëri aksionare në pronësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Statusi i shoqërisë aksionare do të thotë se të gjitha nevojat për shpenzime financiare, që nga ato logjistike më të thjeshta, e deri te pagat për punonjësit kompania duhet t’i plotësojë nga të ardhurat e veta.

Duke njohur vështirësinë me të cilën po përballet ky sektor në të gjithë Europën, Eurocontrol, ku bën pjesë edhe Albcontrol, sipas Sindikatës mbulon 50 për qind të pagave për kontrollorët shqiptarë, duke ja lënë gjysmën tjetër në dorë Albcontrol për ta plotësuar.

Por, në prill, bordi mbikëqyrës i Albcontrol ka marrë një vendim për përgjysmimin e pagave të kontrollorëve, që sipas ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku merrnin deri në 4400 dollarë në muaj, ndërsa sipas avokatit të kontrollorëve rreth 200 mijë lek në muaj.

Sindikata e Pavarur e Trafikut Ajror thotë përmes deklaratave që ka shpërndarë në një numër të kufizuar mediash, se vendimi i reduktimit të ndjeshëm të pagave është marrë më 24 prill 2020 dhe u është komunikuar privatisht e veç e veç të gjithë kontrollorëve në fund të muajit prill dhe me efekt prapaveprues, duke filluar nga data 1 prill.

“Kontrollorët e Trafikut Ajror janë njoftuar me e-mail se paga për muajin kalendarik prill 2020, paga e kaluar në llogaritë personale bankare është paga e përllogaritur sipas vendimit të sipërcituar të Këshillit Mbikëqyrës, duke i dhënë këtij të fundit fuqi prapavepruese”, thotë Sindikata.

Sipas Sindikatës pjesa e pagës është pjesa më pak shqetësuese e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Albcontrol.

“Pjesa më shqetësuese e vendimit të sipërcituar është riorganizimi i punës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror duke vendosur kalimin e tyre në regjimin “një muaj punë – një muaj pushim”, regjim i cili është totalisht në kundërshtim me rregulloret e sigurisë që janë në zbatim në këtë fushë”, pretendon Sindikata.

Sindikata pretendon se ka reaguar në rrugë institucionale që prej prillit të vitit të kaluar e deri më tani duke i ngritur shqetësimet dhe kërkesat e kontrollorëve në rrugë zyrtare përmes letrave drejtuar drejtorit të Albcontrol, Mina Kusta, këshillit mbikëqyrës e deri tek ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku dhe Ministria e Financave. Mes tyre është edhe një letër, që kjo sindikatë thotë se ja ka dorëzuar Kryeministrit Edi Rama më 19 qershor të vitit të kaluar.

Por, pse iu desh pothuajse një vit kohë Sindikatës dhe kontrollorëve që të përshkallëzonin protestën e tyre duke bojkotuar punën? Ndoshta e nxitur nga ideja se në prag të zgjedhjeve qeveritë janë më vulnerabël dhe të gatshme për të plotësuar kërkesat, Sindikata i është drejtuar më 22 shkurt Kryeministrit Edi Rama me një letër ku paralajmërohet përshkallëzimi i protestës deri në pezullim të punës.

LEXO: Anulohen fluturimet nga Rinasi, kontrollorët e trafikut ajror pezullojnë punën pas uljes së pagave

“Në rast se vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nuk do të shfuqizohet dhe pasojat e tij nuk do të revokohen, do të ndihemi të shtrënguar të procedojmë me mjete dhe forma që zëri ynë të dëgjohet”, thuhet në letrën që kjo Sindikatë i ka drejtuar Ramës.

Po në këtë letër, kontrollorët pretendojnë se janë të vetmit në të gjithë Europën të cilëve u është ulur paga në masën 72 për qind, megjithëse përgjatë 2020-ës, Shqipëria renditet vendi i dytë në Europë, pas Norvegjisë për nivelin e lartë të trafikut ajror.

Kontrollorët thonë gjithashtu se kanë mbështetjen e kolegëve të tyre europianë dhe Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të BE, që i kanë kërkuar Qeverisë dhe autoriteteve përgjegjëse shqiptare vlerësimin me seriozitet të kësaj situate duke propozuar arritjen e një marrëveshjeje me punonjësit e Albcontrol për të krijuar një plan zgjidhjeje afatshkurtër dhe afatmesëm mbi këtë çështje.

Pas kësaj letre kanë nisur negociatat mes Sindikatës dhe drejtuesve të kompanisë AlbControl, por pa rezultat. Sindikata akuzon se AlbControl është orientuar nga ana financiare duke shpërfillur anën e sigurisë në kundërshtim të plotë me misionin që ka.

Në fund të muajit mars, kur për Qeverinë dhe drejtuesit e AlbControl negociatat nuk ishin përmbyllur, Sindikata nisi sërish deklaratat publike për të ngritur shqetësimet e kontrollorëve, pa përmendur fjalën “grevë”, por duke e nënkuptuar atë.

“Ndihemi të shtrënguar të vëmë në dijeni opinionin publik mbi rrezikun e pamundësisë së garantimit të sigurisë së fluturimeve ajrore mbi dhe në Republikën e Shqipërisë, dhe rrezikun e mbylljes përfundimtare të saj për një periudhë kohore të papërcaktuar”, thuhet në deklaratë.

Në këto deklarata mohohej se pas kërkesave të tyre ishte politika. Megjithatë, Qeveria thotë se ka pasur një vullnet nga ana e kontrollorëve që të mos arrihet një marrëveshje.

Më 1 prill, fiks një vit nga koha ulja e pagës së tyre një përfaqësi e kontrollorëve priten nga Presidenti Ilir Meta. Në njoftimin zyrtar, kreu i shtetit thotë se takimi ishte mbajtur me kërkesë të kontrollorëve dhe i bën thirrje Qeverisë që të gjejë një rrugëzgjidhje.

“Qeveria Shqiptare dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol” sh.a., duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, i ka dërguar në mënyrë të përsëritur, duke orientuar edhe për zgjidhje konkrete në lidhje me rastin në fjalë”, thuhet në deklaratë.

Diskutimet dështuan dhe ditën e mërkurë, më 7 prill kontrollorët ndaluan punën duke firmosur në kolektiv një deklaratë “paaftësie për të punuar”, për të shmangur cilësimin si grevë të protestës së tyre, pasi duke qenë pjesë e sektorëve jetikë u ndalohet me ligj kjo formë proteste.

Qeveria u përpoq të ndërmjetësojë përmes ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si një njohëse e mirë e “Albcontrol”, pasi e ka drejtuar për disa vite. Pas takimit që pati me ta, ministrja doli në deklaratë për shtyp, ku e cilësoi protestën si grevë, grusht shtetit të nxitur nga Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Kontrollorët mohuan se pas protestës së tyre qëndrojnë motive politike. Por, Ministrja Belinda Balluku akuzoi se 4-5 persona me lidhje politika kanë marrë peng pjesën tjetër të kontrollorëve.

LEXO: Zhbllokohet Rinasi, zhvillimet e një dite të pazakontë

“Pashë gjatë takimit njerëz që kërkonin të qëndronin në mbledhje dhe punë. Por, pashë të tjerë që të mbulonin hapur shokët për t’i nxjerrë nga salla dhe për të dhënë që mbaruam dhe nuk plotësohen kërkesat tona”, deklaroi ajo.

Balluku paralajmëroi se është situatë e cila futet në cenimin e sigurisë kombëtare dhe cenimin e së drejtës së lëvizjes. “Nga ky moment do të ketë marrje masash ligjore dhe ndëshkim dhe u bëj thirrje të gjithë kontrollorëve që të kthehen në detyrë gjatë ditës së sotme që të rikthehen në punë”, u shpreh ajo.

Përgjatë të gjithë ditës së mërkurë përfaqësuesit e Qeverisë u bënë thirrje kontrollorëve që të rikthehen në punë. Thirrjet pasuan në mesnatë aksionet. Policia shoqëroi 25 kontrollorë dhe paraditen e së enjtes njoftoi arrestimin e tre prej tyre, si organizatorë të protestës.

Ministrja Balluku doli pak pas mesditës për të deklaruar se Rinasi ishte rikthyer në punë, ndonëse për momentin me fluturimet thelbësore, ndërsa të premten rikthehet normaliteti. Zgjidhja u gjet përmes marrjes së kontrollorëve të trafikut ajror turq.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0