Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e monitorimit të tregut të karburanteve, duke përqendruar vëmendjen tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë dhe me shumicë.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha kompanitë që operojnë në tregun e karburanteve janë aktualisht nën vëzhgim, ndërsa çdo luhatje e çmimeve që tejkalon ndryshimet e regjistruara në bursat ndërkombëtare do të shqyrtohet me seriozitet. Autoriteti deklaron se, në përputhje me ligjin nr. 9121/2003, do të ndërmarrë masat e nevojshme për të parandaluar sjellje jo konkurruese.
“Në tregjet ndërkombëtare, çmimet e karburanteve përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa dhe zhvillimet ekonomike apo gjeopolitike. Prandaj, luhatjet në tregun vendas duhet të jenë proporcionale dhe në harmoni me bursën. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë rritje e shpejtë apo më e theksuar, mund të tregojë praktika jo konkurruese,” njofton Autoriteti.
Lexo edhe: Shqipëria dhe Kosova në valën e shtrenjtimit global të naftës
Autoriteti thekson se nuk do të tolerohen asnjë formë koordinimi të çmimeve, abuzim me pozicionin dominues apo praktika të bashkërenduara midis operatorëve, duke synuar ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe stabilitetin e tregut të karburanteve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto