A po rrezikon Europa objektivat klimatike nga kostot e larta të energjisë? - Business Magazine Albania

A po rrezikon Europa objektivat klimatike nga kostot e larta të energjisë?

Kostot e larta të energjisë po ngadalësojnë tranzicionin e gjelbër të Europës dhe po e vendosin industrinë e kontinentit në një krizë të thellë konkurrueshmërie, paralajmërojnë ekspertët.

Sipas raportit më të fundit të Morningstar Electrification Observer, procesi i elektrifikimit; boshti kryesor i strategjisë së BE-së për uljen e emetimeve po ecën më ngadalë se sa kërkohet për të përmbushur objektivat klimatike. Edhe pse Bashkimi Europian ka investuar miliarda në subvencione dhe ka vendosur objektiva ambicioze, përparimi mbetet i kufizuar.

BE pritet të elektrifikojë vetëm 25% të konsumit total të energjisë deri në vitin 2030, shumë më poshtë pragut të nevojshëm prej 32%.

“Europa ndodhet në një pozitë të vështirë,” thotë Tancrede Fulop, analist i lartë i Morningstar. “Ajo mban një barrë të madhe në përpjekjet globale për dekarbonizim, por çmimet e larta të energjisë po frenojnë progresin. Teknologjitë si pompat e nxehtësisë mbeten të papërballueshme për shumë familje, ndërsa industritë energji-intensive, si kimikatet dhe çeliku, humbin terren përballë SHBA-së dhe Kinës.”

Industrinë e shtrëngon energjia, familjet ngecin

Çmimet e energjisë elektrike në Europë vazhdojnë të jenë dukshëm më të larta se në SHBA dhe Kinë, trend i intensifikuar pas turbullirave në tregjet energjetike pas vitit 2021.

Morningstar parashikon që konsumi i energjisë elektrike në BE të rritet me vetëm 1.1% në vit deri në 2030, një ritëm i ngadaltë, ndërsa SHBA pritet të arrijë 1.4%.

Faktorë strukturalë, si tarifat e rrjetit dhe taksat e larta, pritet të mbajnë çmimet e energjisë tepër të larta, duke dobësuar industrinë tradicionale europiane dhe duke zbehur interesin e familjeve për pajisje elektrike, pavarësisht nismave si zgjerimi i skemës së çmimeve të karbonit në ngrohjen rezidenciale nga viti 2027.

Një shembull ilustrues është përhapja e pompave të nxehtësisë: Morningstar vlerëson se deri në vitin 2030 do të instalohen vetëm 39 milionë njësi, larg objektivit prej 60 milionësh. Elektrifikimi rezidencial pritet të rritet vetëm nga 26% në 28%, duke sjellë ulje të emisoneve të CO₂ me 1.7% në vit.

Qendrat e të dhënave dhe makinat elektrike në rritje, por ndikim i kufizuar

Qendrat e të dhënave po shfaqen si burim i ri kërkese për energji, me konsum që pritet të rritet me 15% në vit deri në 2030, për të arritur 182 TWh. Kompanitë e shërbimeve publike, si EDP në Portugali, dhe prodhuesit industrialë si Schneider Electric, pritet të përfitojnë.

Por trenimi i modeleve të inteligjencës artificiale dhe zgjerimi i infrastrukturës “hyperscale” duket se do të vazhdojë kryesisht në SHBA, ku energjia është më e lirë. Edhe pse makinat elektrike pritet të përbëjnë 45% të shitjeve të reja në Europë deri në vitin 2030, elektrifikimi i transportit do të arrijë vetëm 5%. Si rezultat, emetimet nga transporti rrugor pritet të bien me vetëm 5% deri në fund të dekadës.

Lexo edhe: Tranzicioni i gjelbër, ja cili vend i BE-së po blen më shumë makina elektrike

Krizë në industrinë kimike dhe rënia e ambicieve për hidrogjenin e gjelbër 

Sektori kimik i BE-së, i goditur rëndë nga energjia e shtrenjtë, parashikohet të tkurret me 10% në pesë vitet e ardhshme.

Ndërkohë, prodhimi i hidrogjenit të gjelbër pritet të mbetet minimal: vetëm 0.6 megatonë deri në vitin 2030, shumë larg objektivit prej 10 Mt. Çmimet e larta të energjisë e bëjnë hidrogjenin e gjelbër jofitues në shumicën e vendeve.

Megjithatë, Morningstar vëren se disa kompani industriale mbeten të pozicionuara mirë: Atlas Copco përfiton nga kërkesa për efikasitet energjetik, gjigantët kimikë amerikanë si Dow mund të përfitojnë nga tkurrja europiane, ndërsa Air Liquide mbetet në qendër të përpjekjeve për dekarbonizim industrial.

Me rritjen e boshllëkut të elektrifikimit, presioni politik për të shtyrë ose zbutur politikat klimatike të BE-së pritet të rritet. Veçanërisht të diskutueshme janë heqja e alokimeve falas të karbonit në industri në 2026 dhe aplikimi i çmimit të karbonit për ngrohjen rezidenciale në 2027.

Edhe objektivi kryesor, ulja e emetimeve me 55% deri në 2030 krahasuar me 1990 duket gjithnjë e më i paarritshëm. Morningstar parashikon një rënie prej vetëm 43% me trendet aktuale.

“Europa është bllokuar në një pozicion të ndërmjetëm të pakëndshëm: paguan kostot e dekarbonizimit, pa arritur shkallën e elektrifikimit që sjell përfitime ekonomike,” shkruan Fulop.

Europa Veriore, Franca dhe gadishulli Iberik shfaqen si fitues relativë të tranzicionit të gjelbër, falë çmimeve më të ulëta të energjisë, kapaciteteve të forta të rrjetit dhe prodhimit të bollshëm të energjisë së pastër.

Këto rajone po tërheqin më shumë qendra të të dhënave dhe projekte industriale të gjelbra megjithëse, sipas analistëve, optimizmi i investitorëve në disa tregje, si ai spanjoll, mund të jetë i tepruar.

Në tërësi, Europa përballet me një realitet të vështirë: tranzicioni i shtrenjtë energjetik po ecën shumë ngadalë për të sjellë përfitimet e pritshme, duke rrezikuar të kthehet në një proces të kushtueshëm, politikisht të brishtë dhe ekonomikisht të pamjaftueshëm.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0