A po qeveris Donald Trump si një mbret? - Business Magazine Albania

A po qeveris Donald Trump si një mbret?

Nga Carla Norrlöf – Mbretërit sundojnë me lindje dhe bekim. Ata sundojnë edhe përmes frikës. Kur miliona protestues dolën në rrugë këtë muaj për të thënë “Jo Mbretërve”, Donald Trump publikoi një video të krijuar me inteligjencë artificiale ku shihej i kurorëzuar, për të theksuar, një ditë më pas, se ai nuk është mbret. Por cili është e vërteta?

Podkasteri i ri Brilyn Hollyhand e merr pyetjen fjalë për fjalë, duke kujtuar se Amerika nuk ka mbretër dhe se videot e Trump-it janë thjesht provokime ironike. Por pyetja reale është nëse ai po kërkon të ushtrojë llojin e pushtetit që në të kaluarën i takonte monarkëve.Pas vendimit të Gjykatës së Lartë në çështjen Trump kundër Shteteve të Bashkuara, presidentët gëzojnë imunitet absolut për aktet kushtetuese thelbësore dhe imunitet të supozuar për veprimet zyrtare të tjera duke e bërë gjithnjë e më të vështirë sfidimin e pushtetit ekzekutiv të përqendruar. Në këtë kontekst, kritikët thonë se Trump tashmë po qeveris si një mbret: po përpiqet të kontrollojë institucionet e pavarura, po zëvendëson stafin me njerëz besnikë, po ndëshkon në mënyrë të papritur përmes tarifave apo vendimeve të tjera, dhe po krijon një atmosferë frike.

Për mbështetësit e tij, këto veprime janë shembull i një lidershipi të fortë dhe vendimtar nga një president që, sipas tyre, fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e fundit. Ata e shohin si një drejtues që heq pengesat për të sjellë rezultate.

Megjithatë, edhe nëse Trump nuk është mbret në letër, mënyra e tij e qeverisjes kujton monarkë si Henri VII i dinastisë Tudor, i cili konsolidoi pushtetin duke dobësuar fisnikët rivalë, duke centralizuar financat dhe duke riformësuar administratën.

Lexo edhe: Trump urdhëron rifillimin e testimeve bërthamore pas 33 vitesh

Henri përdorte mënyra të fshehta për të mbledhur të ardhura taksa, gjoba dhe kontribute të detyruara – për të financuar prioritetet e tij pa kërkuar pëlqimin e të tjerëve. Në mënyrë të ngjashme, administrata Trump ka ngrirë miliarda dollarë ndihmë të huaj që ishin planifikuar të shpenzoheshin, duke ushtruar kështu një pushtet që në teori i përket Kongresit. Edhe pse një gjykatës federal urdhëroi lirimin e fondeve, Gjykata e Lartë lejoi që ngrirja të vazhdonte deri në fund të vitit fiskal.

Mbështetësit e Trump-it thonë se këto “pezullime” janë ligjore dhe i japin presidentit fleksibilitet për të ndalur shpenzime të panevojshme. Por kritikët theksojnë se administrata ka dobësuar mbrojtjet e shërbimit civil, ka transferuar pushtet nga ekspertët tek njerëzit e besuar, dhe ka zbehur transparencën në proceset e vendimmarrjes. Juristët e agjencive po rishkruajnë udhëzime, shkencëtarët po zbusin raportet mbi rreziqet, dhe zyrtarët e etikës po riformulojnë opinionet për t’u përshtatur politikisht.

Qëllimi i sistemit të meritës është të parandalojë që qeveria të funksionojë si një oborr mbretëror, ku besnikëria vlerësohet më shumë se aftësia. Por në shumë agjenci, vendet bosh po mbushen nga zyrtarë “në detyrë”, periudhat e konsultimeve publike janë shkurtuar, dhe transparenca po zbehet.

Kritikët shohin këtu një përqendrim të rrezikshëm pushteti, të ngjashëm me atë të monarkëve të dikurshëm. Ligji duhet të kufizojë fuqinë, por këto kufizime zbehen kur një president mund të mbrohet nga imuniteti, të falë aleatët dhe të ndjekë penalisht kundërshtarët. Edhe pse protestat mbeten të ligjshme, trajtimi i pabarabartë i aleatëve dhe kritikëve minon barazinë ligjore dhe ndikon në mënyrën se si bizneset, organizatat dhe zyrtarët lokalë sillen për të shmangur përplasjet.

Shtetet e Bashkuara ende kanë mbrojtje institucionale – gjykata që herë pas here i vënë kufij ekzekutivit, media që zbulon abuzimet, qytetarë që protestojnë dhe një Kongres që mund të ripohojë autoritetin e tij kushtetues. Por këto mekanizma dobësohen nëse neglizhohen. Ashtu si në Anglinë e Henrit VII, institucionet me emra të nderuar mund të boshatisen nga përmbajtja.

Megjithëse Trump ka fituar më shumë pushtet përmes vendimeve gjyqësore, ai ende nuk është “kurorëzuar”. Një president nuk mund të qeverisë pa zgjedhje, të shpenzojë pa miratim, të shpërbëjë gjykatat apo të fshijë autoritetin e shteteve. Por pyetja mbetet: a po shndërrohet presidenca në qendrën e vetme të vendimmarrjes kombëtare? Kjo është beteja që po zhvillohet tani – në buxhete, emërime dhe administratë.

Në fund, ajo që ka rëndësi nuk është nëse Trump e sheh veten si një mbret, por nëse Kongresi, gjykatat, komuniteti i biznesit dhe vetë zgjedhësit e shohin ashtu.

 

*Carla Norrlöf është profesore e shkencave politike në Universitetin e Torontos.

Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025/ www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0