A po e formëson Elon Musk Grok-un sipas botëkuptimit të tij? - Business Magazine Albania

A po e formëson Elon Musk Grok-un sipas botëkuptimit të tij?

A po e formëson Elon Musk Grok-un sipas botëkuptimit të tij?

Javën e kaluar, Grok,  chatbot-i i zhvilluar nga kompania xAI e Elon Musk  u vu sërish në qendër të vëmendjes, pasi iu përgjigj një pyetjeje në platformën X për dhunën politike, duke thënë se që nga viti 2016, më shumë raste dhune politike kanë ardhur nga e djathta sesa nga e majta. Përgjigjja nuk i pëlqeu Elon Musk. “Dështim i madh, pasi kjo është objektivisht e pavërtetë. Grok po përsërit narrativat e medias tradicionale,” shkroi Musk, edhe pse Grok kishte cituar burime zyrtare si Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare. Vetëm pak ditë më vonë, Musk njoftoi një përditësim madhor të Grok, duke deklaruar se do të “rishkruajë të gjithë korpusin e njohurive njerëzore” dhe u kërkoi ndjekësve të tij të dërgojnë “fakte përçarëse” që janë “politikisht të pasakta, por faktikisht të vërteta”, për t’u përfshirë në trajnimet e modelit.

“Të dhënat e pa korrigjuara kanë futur shumë mbeturina në çdo model bazë të AI,” shtoi ai. Të premten, Musk konfirmoi se modeli i ri, Grok 4, do të publikohet pas 4 Korrikut. Këto zhvillime kanë rritur shqetësimet në mesin e ekspertëve të inteligjencës artificiale, të cilët theksojnë se njeriu më i pasur në botë mund të jetë duke ndikuar zhvillimin e Grok që të pasqyrojë pikëpamjet e tij personale, gjë që mund të çojë në më shumë gabime, paragjykime dhe shpërndarje të informacionit të rremë. Duke qenë se Grok është pjesë e platformës X, një nga rrjetet më të mëdha sociale, ndikimi i këtij modeli është i pashmangshëm. “Ky është fillimi i një beteje afatgjatë për të përcaktuar nëse sistemet e inteligjencës artificiale duhet të japin informacione faktike apo t’u lejohet krijuesve të tyre t’i manipulojnë sipas preferencave politike,” thotë David Evan Harris, studiues i AI dhe pedagog në UC Berkeley, i cili më parë ka qenë pjesë e ekipit të AI të Përgjegjshëm në Meta. Sipas një burimi për CNN, këshilltarët e Musk i kanë bërë të qartë se Grok “nuk mund të formësohet thjesht sipas dëshirës së tij”, dhe ai thuhet se e kupton këtë. Kompania xAI nuk ka dhënë asnjë koment për këto zhvillime.

Grok dhe dyshimet për ndikim politik

Prej kohësh, përdoruesit kanë vënë në dyshim nëse Grok po ndikohet nga botëkuptimi personal i Musk. Në maj, Grok përmendi në mënyrë të papritur pretendime për “gjenocid të bardhë” në Afrikën e Jugut në përgjigje ndaj pyetjeve pa lidhje me temën. Në disa raste, ai tha se ishte “instruktuar të pranojë si të vërtetë ekzistencën e këtij gjenocidi.” Musk, i lindur dhe rritur në Afrikën e Jugut, ka shprehur publikisht pikëpamje të ngjashme më parë. Disa ditë më vonë, xAI sqaroi se një “modifikim i paautorizuar” kishte ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit (me orën e Paqësorit), duke bërë që Grok të jepte një përgjigje politike në kundërshtim me politikat e kompanisë. Ndërkohë që Musk kërkon riformatimin e Grok, themelues të tjerë të kompanive në fushën e AI – si bashkëthemeluesi i Cohere, Nick Frosst – shprehen se Musk po përpiqet të ndërtojë një model që përforcon botëkuptimin e tij. “Sipas meje, ai po përpiqet të krijojë një model që pasqyron bindjet e tij. Kjo do të kufizojë funksionalitetin e modelit për përdoruesit – përveç nëse ata duan thjesht t’u përsëriten të njëjtat ide,” tha Frosst.

Lexo edhe:Digjitalizimi i bobinave audio dhe video, si dëshmi e trashëgimisë historike dhe kulturore

Sa e vështirë është ri-trajnimi i një modeli?

Frosst thekson se kompanitë e mëdha si OpenAI, Meta apo Google i përditësojnë modelet e tyre vazhdimisht për të përmirësuar performancën. Por një ri-trajnim total i modelit, për të hequr çdo element që Musk nuk e pëlqen, do të ishte i kushtueshëm dhe i ngadaltë – dhe në shumë raste, do të dëmtonte përvojën e përdoruesit. “Një qasje e tillë do ta bënte modelin më të dobët,” tha ai. “Sepse do të hiqen shumë të dhëna dhe do të shtohen paragjykime të reja.” Një alternativë më e shpejtë është rregullimi përmes ‘prompteve’ dhe peshave të modelit – një mënyrë për të modifikuar sjelljen pa e ndryshuar të gjithë strukturën bazë. Dan Neely, CEO i kompanisë Vermillio që merret me mbrojtjen e figurave publike nga përmbajtjet e rreme të krijuara nga AI, thotë se xAI mund të bëjë ndryshime të synuara përmes etiketimit të të dhënave dhe peshave të modelit në fusha të veçanta. “Do të fokusohen në ato fusha ku shfaqen problematika të përsëritura, dhe do të thellojnë analizën dhe kontrollin mbi to,” tha Neely. Musk deri më tani ka treguar pak detaje për përditësimin e Grok 4, por ka pohuar se do të përfshijë një “model të specializuar për kodim.”

Paragjykimet dhe e ardhmja e AI

Musk ka deklaruar se Grok do të jetë “maksimalisht në kërkim të së vërtetës.” Megjithatë, çdo model i AI përmban një nivel paragjykimi të natyrshëm, pasi ndikohet nga zgjedhjet njerëzore mbi të dhënat me të cilat trajnohet. “AI nuk i ka të gjitha të dhënat që duhet të ketë. Edhe kur i ka, shumë nga përmbajtjet në internet tashmë janë të njëanshme, qofshin ato të pranuara apo të kontestuara,” thekson Neely. Në të ardhmen, përdoruesit mund të zgjedhin asistentët e tyre AI sipas botëkuptimeve që ofrojnë, por sipas Frosst, modelet me qëndrim ideologjik do të kenë më pak popullaritet dhe efikasitet. “Njerëzit nuk përdorin modele të AI për t’u dëgjuar ideologjia që ata tashmë besojnë – ata duan ndihmë për të zgjidhur një detyrë ose për të marrë një përgjigje,” shton ai. Megjithatë, Neely beson se burimet e besueshme dhe autoritative do të rikthehen si referenca kryesore. “Por rruga për të arritur aty është e ndërlikuar, e turbullt  dhe, në disa raste, përbën një kërcënim për demokracinë,” përfundon ai.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0