A mundet një “binjak digjital” të zëvendësojë ilaçet për diabetin dhe obezitetin? - Business Magazine Albania

A mundet një “binjak digjital” të zëvendësojë ilaçet për diabetin dhe obezitetin?

A mundet një “binjak digjital” të zëvendësojë ilaçet për diabetin dhe obezitetin?
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Teksa pacientët dhe punëdhënësit kërkojnë alternativa ndaj barnave të shtrenjta GLP-1 si Ozempic, një startup nga Silicon Valley po përdor Inteligjencën Artificiale dhe pajisje të veshshme për t’i ndihmuar njerëzit të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme.

Rodney Buckley, 55 vjeç, ish-zjarrfikës dhe aktualisht kryetar bashkie i Third Lake në Illinois, ka humbur 100 paund në më pak se një vit, jo falë barnave GLP-1, por me ndihmën e një “binjaku digjital”. Në mars të vitit të kaluar ai peshonte 376 paund. Kishte provuar dieta të ndryshme ndër vite, por gjithmonë i rikthente kilogramët e humbur. Kur punëdhënësi i bashkëshortes së tij filloi të ofronte një program nga startup-i Twin Health, vendosi ta provonte.

Me kërkesën në rritje për Ozempic dhe barna të ngjashme GLP-1, shumë kompani po përballen me kosto shumë të larta për mbulimin e këtyre trajtimeve. Me një çmim prej rreth 1.000 deri në 1.500 dollarë në muaj për person, këto medikamente po kthehen në një barrë gjithnjë e më të madhe për sistemet e sigurimeve shëndetësore. Pikërisht për këtë arsye, disa punëdhënës po orientohen drejt alternativave jo-mjekësore për t’i ndihmuar punonjësit të ulin përdorimin e GLP-1 ose t’i shmangin fare.

Twin Health, me qendër në Mountain View, Kaliforni, kombinon pajisje të veshshme, Inteligjencë Artificiale dhe këshillim shëndetësor në kohë reale për të ndihmuar njerëzit të menaxhojnë diabetin e tipit 2, paradiabetin dhe obezitetin. Përdoruesit marrin një paketë që përfshin sensor për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës, matës tensioni, peshore inteligjente dhe pajisje për gjurmimin e aktivitetit fizik. Këto pajisje mbledhin të dhëna mbi sheqerin në gjak, peshën, stresin, tensionin, gjumin dhe lëvizjen, duke i integruar në një aplikacion të vetëm.

Përmes një modeli parashikues me AI, aplikacioni krijon një “binjak digjital” të metabolizmit të përdoruesit, një kopje virtuale që simulon se si trupi i tij reagon ndaj ushqimit, aktivitetit fizik dhe zakoneve të përditshme.

Sipas një studimi klinik, programi i Twin Health ka ndihmuar persona me diabet të tipit 2 të kontrollojnë më mirë nivelin e sheqerit në gjak me më pak medikamente dhe të humbasin peshë. Kompania e menaxhimit të aseteve Blackstone ka raportuar kursime në shpenzimet për barna, ndërkohë që punonjësit pjesëmarrës në program kanë arritur rezultate konkrete në humbje peshe.

Lexo edhe: “Smells Like AI Spirit”: Një ditë që e sjell Inteligjencën Artificiale nga teoria në praktikë në Tiranë

Përdoruesit regjistrojnë ushqimet që konsumojnë duke skanuar etiketat, fotografuar vaktet ose duke i diktuar me zë. Aplikacioni i analizon ushqimet për nga vlerat ushqyese dhe i klasifikon me ngjyra: jeshile për zgjedhje të shëndetshme, të verdhë për ushqime neutrale dhe të kuqe për ato që duhen shmangur. Me përmirësimin e shëndetit metabolik, edhe klasifikimi i ushqimeve mund të ndryshojë.

Në bazë të të dhënave, aplikacioni parashikon reagimin e sheqerit në gjak ndaj ushqimeve të caktuara dhe jep rekomandime të personalizuara gjatë ditës, si p.sh. ndryshimi i porcioneve, kombinimi i ushqimeve apo një shëtitje e shkurtër pas vaktit. Rekomandimet përshtaten gradualisht me preferencat e përdoruesit. Përveç kësaj, përdoruesit kanë mundësi të komunikojnë me këshilltarë njerëzorë për pyetje specifike shëndetësore.

Për Buckley-n, ndryshimet kanë qenë të prekshme. Ai ka zëvendësuar ushqimet e gatshme me mëngjese të përgatitura në shtëpi, ka hequr dorë nga pijet e gazuara dhe ecën disa kilometra çdo ditë. Nga vështirësia për të ecur një milje, sot ai arrin mbi gjashtë kilometra çdo mëngjes. Ai ndjek me motivim edhe përmirësimin e treguesve shëndetësorë si përqindja e yndyrës trupore dhe tensioni i gjakut.

Në një studim të realizuar nga Cleveland Clinic, 71 për qind e pjesëmarrësve që përdorën Twin Health arritën të ulin nivelin e sheqerit në gjak nën pragun e diabetit me më pak medikamente, krahasuar me vetëm 2 për qind në grupin e kontrollit. Gjithashtu, pjesëmarrësit humbën më shumë peshë dhe një pjesë e madhe uli ose ndërpreu përdorimin e barnave GLP-1.

Ekspertët theksojnë se rekomandimet e vazhdueshme dhe të personalizuara në kohë reale janë një nga arsyet kryesore të suksesit të këtij modeli. Megjithatë, mbeten shqetësime për privatësinë e të dhënave dhe ndikimin emocional që mund të ketë monitorimi i vazhdueshëm tek disa persona. Twin Health deklaron se të dhënat individuale mbeten konfidenciale dhe se punëdhënësit marrin vetëm raporte të anonimizuara dhe të përmbledhura.

Sipas ekspertëve të pavarur të diabetit, teknologjia e “binjakëve digjitalë” përfaqëson një hap të rëndësishëm në shëndetin dixhital dhe mund të ndihmojë në parandalimin ose përmirësimin e hershëm të diabetit dhe obezitetit. Me rritjen e aksesit në këto teknologji, pritet që gjithnjë e më shumë njerëz të përfitojnë nga ndërhyrje të personalizuara për një jetë më të shëndetshme.

wired

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Mos bëj kompromis me veten, sepse je çdo gjë që ke.”
— Janis Joplin
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0