Ndërsa kompanitë e inteligjencës artificiale po promovojnë agjentët si “revolucionin e radhës” në vendin e punës, shumë ekspertë theksojnë se këto teknologji ende nuk janë gati për përdorim masiv. Agjentët e AI shpesh kanë vështirësi në marrjen e vendimeve të pavarura, krijojnë “haluçinacione”, nuk bashkëpunojnë mirë me agjentë të tjerë, nuk janë të vetëdijshëm për konfidencialitetin dhe integrohen dobët me sistemet ekzistuese.
Pionierët e industrisë si Andrej Karpathy dhe Ali Ghodsi kanë krahasuar zhvillimin e agjentëve me makinat autonome, duke theksuar se përfshirja e njeriut në proces është thelbësore për suksesin.
Një startup i quajtur Mixus po tenton ta zgjidhë këtë sfidë përmes një platforme të re për agjentë AI, që jo vetëm përfshin njerëzit në ciklin e punës, por u lejon përdoruesve të bashkëveprojnë me agjentët përmes email-it ose Slack-ut. “Po takojmë përdoruesit aty ku janë sot,” – thotë Elliot Katz, bashkëthemelues i Mixus, për TechCrunch. “Ku ndodhet çdo punonjës sot? Për shumicën, është në email. Dhe për faktin që ne mund ta bëjmë këtë përmes email-it, besojmë se kjo është një mënyrë për të demokratizuar aksesin ndaj agjentëve.” Nëse Mixus funksionon me besueshmëri, ai mund të zgjidhë një nga sfidat më të mëdha të industrisë: shumica e platformave të agjentëve ofrojnë ose asistentë të ndërtuar paraprakisht (si ChatGPT apo Gemini), ose kërkojnë nga zhvilluesit të ndërtojnë agjentët nga e para duke përdorur framework-e si LangChain, AutoGen apo CrewAI. I dalë nga Stanford në fund të vitit 2024, Mixus është ende në fazën beta, por ka siguruar 2.6 milionë dollarë në financim pre-seed dhe tashmë ka klientë të hershëm, përfshirë zinxhirin e dyqaneve Rainbow Shops, si dhe biznese në sektorin e financës dhe teknologjisë.
Lexo edhe:Amazon blen Bee AI – Pajisjen që dëgjon gjithçka që thuhet
Një mënyrë e re për të ndërtuar dhe përdorur agjentët AI
Mixus synon të dallojë me lehtësinë e përdorimit. Përdoruesit mund të krijojnë agjentë përmes komandave me tekst në një chat të integruar ose thjesht duke dërguar një email në agent@mixus.com. Platforma më pas krijon, ekzekuton dhe menaxhon agjentët, qoftë për detyra të vetme apo me disa hapa, direkt nga inbox-i i përdoruesit. Për shembull, një menaxher i suportit ndaj klientëve mund të kërkojë: “Krijo një agjent që të gjejë të gjitha detyrat e hapura në Jira në projektin mixus-dummy dhe më dërgo një raport për ato që janë vonuar. Harto email-e për të gjithë personat me detyra të vonuara, por më lejo t’i shqyrtoj para se të dërgohen. Formati të jetë i thjeshtë për email (pa bashkëngjitje). Pas verifikimit, dërgoji. Dhe bëje këtë çdo të hënë në orën 7 të mëngjesit PST.” Katz dhe bashkëthemeluesi i tij, Shai Magzimof, demonstruan për TechCrunch se si mund të vendosësh kontrolle njerëzore në çdo hap të procesit, duke përcaktuar kur një agjent duhet të kërkojë miratim. Për shembull, në një përdorim konkret, ata ndërtuan një agjent që analizoi gazetarë të TechCrunch përpara një propozimi për bashkëpunim. Agjenti gjurmoi lajmet më të fundit, analizoi temat dhe krijoi një raport. Më pas, ky raport u dërgua për verifikim te Katz, dhe pas miratimit, ai u dërgua te Magzimof.
Bashkëpunim dhe kujtesë e përbashkët
Një veçori tjetër që e dallon Mixus është mundësia për të përfshirë kolegët në të njëjtën bisedë, thjesht duke i taguar në chat apo duke i vendosur në kopje në email. Ndryshe nga shumë agjentë ekzistues që janë të dizajnuar për përdorues të vetëm, Mixus mbështet bashkëpunimin në kohë reale midis anëtarëve të skuadrës. Platforma gjithashtu ka ndërtuar një sistem të quajtur Spaces, ku çdo grup ose individ mund të ruajë kujtesë të përbashkët: agjentë, skedarë, komunikime dhe komanda. “Krijuam Spaces që çdo ekip apo individ të ketë kujtesën e vet të dedikuar,” – thotë Magzimof. “Kështu, të gjithë agjentët dhe skedarët mund të qëndrojnë në një hapësirë të veçantë.” Ndërsa platforma si ChatGPT dhe Claude ofrojnë kujtesë për përdoruesin, Mixus duket se shkon më tej duke e ndarë këtë kujtesë në nivel ekipi apo organizate.
Çfarë tjetër mund të bëjë Mixus?
Në një demonstrim një orësh, themeluesit prezantuan një gamë të gjerë përdorimesh. Mixus integrohet me mjete si Gmail dhe Jira, dhe agjentët mund të ekzekutohen menjëherë ose në orare të përcaktuara. Ata mund të modifikojnë dokumente dhe spreadsheets në kohë reale, të analizojnë kontekstin organizativ dhe të navigojnë autonomisht – një hap përpara në krahasim me mjetet aktuale që operojnë në ambiente të izoluara (sandbox). Mixus është ndërtuar mbi një kombinim të Claude 4 nga Anthropic dhe OpenAI o3, dhe agjentët kanë akses në internet për kërkime live apo monitorime, të cilat Magzimof i përshkruan si “Google Alerts në super fuqi.”
Një koleg digjital i vërtetë?
Mixus duket se synon më shumë sesa thjesht produktivitet: është një koleg digjital i palodhur, një përpjekje ambicioze për të rikrijuar mënyrën sesi AI ndërvepron me njerëzit. Nëse funksionon ashtu siç premtohet, kolegu yt i ardhshëm në punë nuk do të jetë njeri, por ndoshta do të përfundojë email-et më shpejt se ty.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.