Imagjino një kafaz kraharori njerëzor sa madhësia e një dhome që shfaqet përpara syve të tu. Me një lëvizje të dorës e zvogëlon në madhësinë e një pike, pastaj e rikthen në përmasa reale. E shtrin në pozicion horizontal dhe fillon t’i heqësh shtresat e lëkurës, muskujve dhe organeve, ndërsa tekste shpjeguese projektohen në ajër përmes një headset-i.
Kjo skenë, që dikur do të dukej si fantashkencë, sot është realitet në shumë universitete mjekësore në SHBA. Klasat e anatomisë po transformohen, duke kaluar nga tavolinat tradicionale të diseksionit drejt teknologjive që krijojnë trupa njerëzorë virtualë, të detajuar, të rikrijuar besnikërisht dhe të ndërveprueshëm me një prekje.
Për dekada, diseksioni i trupave të vërtetë ka qenë themeli i edukimit mjekësor. Studentët njiheshin me kompleksitetin e trupit njerëzor duke prekur organet, duke ndjekur rrjedhën e sistemit nervor dhe duke parë strukturat nga afër. Ishte një përvojë fizike, emocionale dhe, për shumëkënd, formuese. Por teknologjia po i shtyn kufijtë e mënyrës se si mësohet anatomia. Në disa klasa, tavolinat e diseksionit janë zëvendësuar me ekrane gjigante që shfaqin modele digjitale të trupave njerëzorë – të ngrirë, të skanuar në mijëra prerje dhe të ribërë në 3D me saktësi milimetrike. Sandra Brown, profesore në Jacksonville University në Florida, përdor vetëm kadaverë digjitalë në kursin e saj të anatomisë.
“Studentëve u duket sikur diseksioni merr jetë,” thotë ajo. “Është një mënyrë shumë vizuale për të mësuar. Dhe kjo gjeneratë e do këtë lloj qasjeje.” Studentët e saj mund të rrotullojnë modelin digjital, ta kthejnë trurin përmbys, ta shohin nga poshtë, të shtresojnë organet dhe t’i rikthejnë me një klik. Diçka e pamundur me trupin e vërtetë, i cili është shumë delikat për manipulime të tilla. “Asgjë nuk prishet,” shton ajo. “Nëse gabojnë, thjesht shtypin ‘reset’.”
Lexo edhe: Tirana Bank shpallet “Banka e Vitit në Shqipëri” nga The Banker (Financial Times)
Kompani të ndryshme po shtyjnë më tej kufijtë e inovacionit. Surglasses ka zhvilluar tavolinën Asclepius AI, e cila përfshin avatarë të inteligjencës artificiale të aftë të bisedojnë me studentët. Me një komandë zanore, asistenti digjital sjell imazhe, shpjegime dhe analiza shtesë. Studime të fundit tregojnë se asistentët inteligjentë rrisin përthithjen e njohurive, sidomos kur paraqiten me një figurë njerëzore që duket e besueshme. Megjithatë, jo të gjithë janë plotësisht të bindur. Saeed Juggan, asistent mësimor në Yale Medical School, mbështet përdorimin e teknologjisë, por mban një farë skepticizmi: “Po sikur studentët të bëjnë pyetje që nuk janë pjesë e databazës? Si duhet të përgjigjet një bot në ato raste?” Kjo pyetje hap një diskutim më të gjerë për kufijtë e inteligjencës artificiale në arsimin mjekësor.
Realiteti virtual dhe i shtuar po e transformojnë diseksionin në një përvojë tërësisht të re. Me headset-e VR, studentët hyjnë në një hapësirë digjitale ku trupi njerëzor qëndron përpara tyre si një hologram i gjallë dhe i komentuar në detaje. Gjatë pandemisë, studentët e Case Western Reserve University mbanin pajisje holografike që u shfaqnin modele anatomike në dhomat e tyre të gjumit, një laborator anatomik i sjellë brenda shtëpisë. Këto mjete u japin studentëve mundësi që nuk ekzistonin më parë: të manipulojnë çdo strukturë, të eksplorojnë të gjitha këndet dhe të mësojnë pa kufizime fizike.
Teksa më shumë shkolla po kalojnë drejt mjeteve digjitale, lind një pyetje thelbësore, a humbet diçka e pazëvendësueshme kur trupi i vërtetë njerëzor largohet nga klasa? Ezra Feder, student i vitit të dytë në Mount Sinai, e përmbledh dilemen kështu: “Diseksioni i një trupi të vërtetë të ekspozon ndaj realitetit të vdekjes. A ka vlerë kjo përvoja? A mban diçka më shumë se thjesht mësimin e strukturave anatomike? Nuk e di saktësisht.” Shumë pedagogë argumentojnë se kontakti me një trup real krijon një lidhje etike dhe emocionale me profesionin e mjekut – një mënyrë për të kuptuar përgjegjësinë e trajtimit të jetës njerëzore. Nga ana tjetër, teknologjia sjell akses, fleksibilitet, siguri, efikasitet dhe mundësi të pafundme eksperimentimi. Ende nuk ka një përgjigje të prerë. Por një gjë është e qartë: klasat e anatomisë nuk do të jenë më kurrë si më parë. Dhe brezi i ri i mjekëve do të formohet në kufirin mes botës reale dhe asaj digjitale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.