A mund ta shpëtojë AI Perëndimin nga borxhet në rritje? - Business Magazine Albania

A mund ta shpëtojë AI Perëndimin nga borxhet në rritje?

Nga Kenneth Rogoff– Nuk ka dyshim se inteligjenca artificiale po e ndryshon ekonominë botërore me një shpejtësi të paparë. Por a do të mund të shpëtojë vendet e pasura nga presionet në rritje të borxhit publik, sidomos ndërsa popullsia që plaket me ritme të shpejta po rrit kërkesën për programe përfitimesh sociale? Dhe nëse po, a do të mund të përballonin këto vende të operonin me deficite edhe më të mëdha, duke marrë hua nga gjeneratat jashtëzakonisht të pasura të së ardhmes?

Askush nuk duhet ta vërë bast gjithë fermën për këtë.

Sigurisht, një valë optimizmi për ndikimin e mundshëm të AI në rritjen ekonomike ka nxitur tregjet financiare drejt niveleve rekord gjatë viteve të fundit. Kjo është veçanërisht e dukshme në tregjet e aksioneve, të cilat vazhdojnë të ngjiten pavarësisht paralizës politike në Francë, mbylljes së qeverisë dhe sulmeve ndaj pavarësisë së bankës qendrore në SHBA, apo eksodit të talenteve të larta nga Mbretëria e Bashkuar.

Megjithëse kam argumentuar prej kohësh se AI do ta zgjidhë më në fund problemin e rritjes së dobët në ekonomitë e zhvilluara, kam paralajmëruar gjithashtu se disa pengesa të mundshme mund të ngadalësojnë këtë transformim. Ndër faktorët materialë, ligjorë, ekonomikë dhe shoqërorë që duhen marrë në konsideratë janë furnizimi me energji elektrike, të drejtat e pronësisë intelektuale, mungesa e specialistëve të kualifikuar në AI dhe nevoja për një kornizë të qartë që rregullon mënyrën si chatbot-et komunikojnë dhe shkëmbejnë informacion, përfshirë ndoshta një mekanizëm çmimi.

Kompanitë e AI-së kanë investuar shuma kolosale për të fituar dominim në treg, nëse qeveritë do ta lejojnë këtë, duke qenë të gatshme të humbasin para për të fituar përdorues dhe të dhëna. Por në një të ardhme jo shumë të largët, ato do të duhet të sigurojnë burime të qëndrueshme të ardhurash më së shumti përmes reklamave, ashtu siç ndodhi me kompanitë e rrjeteve sociale.

Lexo edhe: 4 startup-e që arritën vlerësim prej 1 miliard dollarësh për më pak se 2 vjet

Edhe pse administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale për të ecur “me shpejtësi të plotë” në drejtim të AI-së, çështje të ndërlikuara si mënyra si përfshihet gjykimi moral në modelet inteligjente, aktualisht në dorë të një grupi të vogël zhvilluesish do të përfundojnë në duart e Kongresit dhe gjykatave amerikane, si dhe të autoriteteve të vendeve të tjera. Megjithatë, rezistenca më e madhe pritet të vijë nga qindra milionë punonjës zyrash që do të zëvendësohen nga AI, dhe që pritet të bëhen kauza e re politike – ashtu siç ishin punëtorët e fabrikave dikur.

Çdokush që punon me kompjuter është i ekspozuar ndaj automatizimit. Ideja se disa kompani mund të zëvendësojnë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore pa shkaktuar trazira politike është një iluzion. Përveç nëse ndodh ndonjë kthesë autoritare dramatike, pakënaqësia është e garantuar. Kjo do të furnizojë me energji figurat politike si Zohran Mamdani, socialisti 33-vjeçar që pritet të bëhet kryetari i ardhshëm i Nju Jorkut, veçanërisht pasi AI po i heq vendet e punës brezave të rinj.

Një tjetër fakt shqetësues është se shumë nga aplikimet më të avancuara të AI-së janë ushtarake, gjë që mund të nxisë një garë të re armatimi dhe luftëra me ushtri dronësh e sisteme armësh të mbështetura nga AI. Konfliktet gjeopolitike dëmtojnë rritjen afatgjatë dhe më shumë pritet të ulin të ardhurat nga taksat sesa t’i rrisin ato. Për më tepër, AI mund t’u japë shteteve të vogla ose grupeve terroriste akses në ekspertizë të nivelit të lartë shkencor “me shtypjen e një butoni”.

Së fundmi, fakti që Trump, një mohues i hapur i ndryshimeve klimatike është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, nuk e zhduk rrezikun që paraqet ngrohja globale. Kostot e krizës klimatike do të rriten ndjeshëm në dekadat e ardhshme, përveç nëse, ndoshta, “zotërinjtë tanë të AI-së” gjejnë një zgjidhje – edhe pse ajo mund të përfshijë më pak njerëz në planet.

Ideja se ardhja e inteligjencës së përgjithshme artificiale do t’i zgjidhë të gjitha problemet e vendeve të pasura është thjesht ekzagjerim. Edhe nëse AGI e përshpejton ndjeshëm rritjen, ajo do të çojë në një ndarje më të madhe të të ardhurave në favor të kapitalit dhe në një pjesë më të vogël për punën. Tregjet e aksioneve po lulëzojnë pikërisht sepse kompanitë presin ulje të kostove të punës, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se fitimet më të larta do të përkthehen në rritje më të madhe ekonomike.

Kjo na kthen te borxhi publik. Nuk ka arsye të besohet se rritja e nxitur nga AI do të çojë në të njëjtën rritje të të ardhurave fiskale, siç mund të mendohej dikur. Kapitali është shumë më i vështirë për t’u taksuar se puna, sepse është më i përqendruar, më i fuqishëm politikisht dhe mund të zhvendoset lehtë përtej kufijve.

Sigurisht, ngritja e barrierave tregtare mund të ndalonte këtë “arratisje kapitali”, por një strategji e tillë do të ishte vetëshkatërruese. Prandaj, po, transformimi i AI-së po ndodh dhe tashmë ka ndezur një garë të re armatimi midis SHBA-së dhe Kinës. Por do të ishte e pamatur të mendohej se ekonomitë e zhvilluara mund të mbështeten te AI për të zgjidhur problemet buxhetore që politikanët njerëzorë nuk kanë arritur t’i zgjidhin.

*Kenneth Rogoff është ish-kryeekonomist i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe profesor i ekonomisë dhe politikës publike në Universitetin Harvard. Ai është fitues i Çmimit të Bankës Gjermane në Ekonomi Financiare (2011) dhe autor i librit Our Dollar, Your Problem (Yale University Press, 2025).

© Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0