Nga Anila Bashllari, trajnere
Ju ka ndodhur të ndiheni të mërzitur, të trishtuar dhe të pafuqishëm për të dalë nga një situatë negative? Jeni ndjerë të viktimizuar apo vetë-sakrifikikuar në pamundësi për t’i shpëtuar kthetrave të një presioni apo negativiteti të dikujt? Keni menduar me orë të tëra të njëjtat mendime negative duke u përfshirë në centrifugën e tyre, të paaftë për të dalë prej saj?
Nuk jeni i vetëm, pasi pjesa dërrmuese e njerëzve ndihen kështu në luftë me mendimet e tyre negative, në një mision që u duket i pamundur! E di që në këto momente do të dëshironi të ndaloni së lexuari në pritshmërinë e “kokrrës” apo shkopit magjik pa kuptuar ende që jeni ju vetë magjia, ose më saktë truri dhe mendja juaj! Arsyeja pse e them këtë, lidhet me biologjinë tonë dhe mënyrën se si funksionojmë edhe pse pjesa dërrmuese e njerëzve janë pothuajse të pavetëdijshëm për këtë.
Edhe pse shkenca është ende larg në njohjen e trurit të njeriut dihet se mendimet gjenerohen në trurin tonë duke përcaktuar mënyrën se si ndihemi. Nëse mendojmë pozitivisht do të ndihemi të tillë. Po aq e vërtetë është edhe e kundërta. Kur mendojmë negativisht do të ndihemi përsëri të tillë. Pra gjithçka ndodh brenda nesh, jemi ne “Zoti” i vetes tonë; nga ku mund të ndryshojmë perspektivën dhe kthehemi në kahet/rezultatet që dëshirojmë. Por absolutisht, për të arritur te këto stade të vëzhgimit, reflektimit dhe kontrollit të vetes duhet të krijojmë zakone të reja të të menduarit pozitivisht, natyrisht duke fituar edhe aftësinë e të vëzhguarit të mendimeve negative. Truri ynë do t’i prodhojë edhe mendimet pozitive, edhe ato negative. E rëndësishme në fillim është t’i vëzhgojmë dhe më pas të vendosim se ku duam të fokusohemi.
Duke u praktikuar do të arrijmë të vëzhgojmë dhe minimizojmë mendimet negative, ndjenjat shqetësuese si rezultat i tyre dhe krijimin e zakoneve të reja të të fokusuarit tek pozitivja. Ne të gjithë njohim njerëz që përdorin të kaluarën e tyre për të justifikuar modelet e sjelljeve negative. Nëse do të jemi të vetëdijshëm do të kapim mat edhe veten tonë në odisenë e mendimeve negative, duke luajtur rolin e viktimës kur situatat vështirësohen.
Por sot, dua të ndaj me ju disa mënyra konstruktive se si mund të krijojmë zakone të reja të të menduarit pozitivisht.
•Mos harroni se gjithçka rreth jush është një sinjal dhe reflekton botën tuaj të brendshme. Kur ndiheni kritik ndaj dikujt apo nuk ju pëlqen t’ju kritikojnë; fajësoni dikë tjetër dhe nuk merrni përgjegjësitë tuaja; ndiheni i/e gjykuar; i refuzuar apo nuk ndiheni pjesë e ambjentit ku ndodheni atëherë kujtohuni dhe thojini vetes “Ajo çfarë bota e jashtme shfaq është një reflektim i botës time të brendshme”.
Njerëzit synojnë të rregullojnë gjithçka rreth vetes së tyre duke harruar se kanë nevojë të fillojnë nga vetja. Atë që urreni ose nuk pëlqeni tek të tjerët është një thirrje brenda vetes për ta korrigjuar apo përmirësuar. Ne nuk jemi viktima të realitetit por të besimeve, bindjeve dhe perceptimeve tona. Nëse duam që bota jashtë nesh të jetë e bukur duhet të fillojmë nga brenda vetes. Natyrisht, ndryshimi i vetes është më i vështiri. Filloni duke vëzhguar veten tuaj dhe mendimet tuaja. Konstatoni sa herë mendoni negativisht dhe synoni t’i riformuloni mendimet tuaja duke i dhënë tone pozitive. Eshtë në dorën tuaj se si e shikoni realitetin.
•Praktikoni sa më shumë vetë-pranimin, sepse ndonjëherë ju vetë jeni personi i cili nuk e lini veten të arrijë majat që dëshiron. Kuptoni që është shumë e rëndësishme të njohësh dhe të pranosh, të mos mohosh dhe të shtypësh cilindo emocion të vështirë apo gjendje depresive që po hasni. Eshtë tendencë njerëzore të fokusohesh tek negativja, shpesh herë si shprehje e një nevoje të paplotësuar. Vetë-pranimi është hapi i parë drejt qetësimit brenda jush dhe momenti i parë i reflektimit drejt ndryshimeve që do të sjellësh në jetën tënde.
•Krijoni zakone të reja duke përdorur shprehje pozitive pasi ato do ju bëjnë të ndiheni mirë dhe më të motivuar. Shkruani një listë me pohime që t’ia thoni vetes çdo ditë dhe këtë listë ndryshojeni herë pas here apo shtoni thënie të reja pozitive. Për shembull mund të krijoni disa shprehje të tilla: Jeta është e bukur edhe pse në këto momente nuk po manifestohet plotësisht” “Jam mirë me shëndet dhe i/e aftë për të realizuar qëllimet e mia në jetë” dhe “Dështimi është pjesë e suksesist. Edhe njerëzit më të suksesshëm kanë dështuar”. Ju mund të gjeni shprehje pozitive në internet që ju përshtaten ose t’i shkruani vetë. Gjëja më e rëndësishme është që ju t’i ndjeni të vërteta këto pohime pozitive.
Lexo edhe:9 numrat e artë të një jete të shëndetshme
Provoni, mësoni dhe ndani me të tjerët, sepse nevoja është shumë e lartë për këtë proçes trekëndësh. Gjithçka që ju kaloni për të larguar negativitetin është hallkë e rëndësishme e zinxhirit të mendimit pozitiv në botë. Çdo gjë me të cilat provuat, humbët apo ia dolët të fitonit ju vlejnë si mësime të arta të marra nga jeta me anë të të cilave nesër do të jeni person më i fortë. Por ndarja me të tjerët e gjithçkaje, që keni përjetuar do ta përgatisë botën përreth të jetë më e fortë përballë negativitetit.
Mendimet negative mund t’ju bëjnë të dilni nga orbita e jetës tuaj unike, por ju, me dëshirë, përkushtim dhe forcë mos e lejoni të ndodhë kështu, sepse jeta juaj është skena nga ku do të prodhoni dhe të tregoni sublimitetin e qenies tuaj ndaj Universit. Qëndroni të kontrolluar, pozitivë dhe të paprekur nga emocione e përjetime të dëmshme për jetën tuaj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.