A është koha për një kapitull të ri në drejtimin e Apple? Analistët ngrejnë pikëpyetje mbi rolin e Tim Cook - Business Magazine Albania

A është koha për një kapitull të ri në drejtimin e Apple? Analistët ngrejnë pikëpyetje mbi rolin e Tim Cook

A është koha për një kapitull të ri në drejtimin e Apple? Analistët ngrejnë pikëpyetje mbi rolin e Tim Cook

Disa zëra të fortë në fushën e analizës teknologjike po sfidojnë lidershipin e Apple. Walter Piecyk dhe Joe Galone nga LightShed Partners, një firmë kërkimore me bazë në New York, kanë kërkuar një ndryshim të madh në drejtimin e kompanisë duke sugjeruar se është koha për një CEO të ri dhe jo çfarëdo, por një lider me vizion të fortë teknologjik.

Sipas tyre, Tim Cook, i cili mori drejtimin pas Steve Jobs në vitin 2011, ka qenë ideal për të fuqizuar zinxhirin e furnizimit dhe për të transformuar Apple në një gjigand prej 3 trilionë dollarësh. Megjithatë, në një epokë ku inteligjenca artificiale po revolucionarizon çdo industri, analistët e konsiderojnë të nevojshëm një lider më të fokusuar në produkt dhe inovacion. “Apple ka nevojë për një CEO të përqendruar te produkti, jo te logjistika,” thanë analistët në një analizë të datës 9 korrik. Ndërkohë që nuk ka sinjale konkrete se Cook do të largohet, shqetësimet po shtohen për rolin e dobët të Apple në fushën e AI-së. Kompania ka vonuar lançimin e versionit të përmirësuar të Siri-t, ndërkohë që konkurrentët si OpenAI dhe Google kanë nxjerrë agjentë digjitalë më të avancuar. Këto vonesa nuk janë vetëm çështje produktesh , për disa ekspertë ato reflektojnë një problem më të thellë në kulturën e inovacionit të Apple. “Ata kanë nevojë për një vizionar teknologjik,” thotë Ted Mortonson nga Baird. “Mendoj se janë në më shumë telashe nga ç’e pranojnë vetë.”

Lexo edhe:10 filma në Netflix që çdo sipërmarrës duhet t’i shikojë

Sfidat e Apple në vitin 2025

Apple po përballet me një sërë sfidash këtë vit: kërcënime të reja tarifore nga Presidenti Trump, kufizime të reja nga BE për App Store, si dhe një proces gjyqësor antitrust për dominimin e tregut të telefonave inteligjentë. Por mbi të gjitha, është ngadalësia në AI ajo që po ngre alarmin. Në konferencën WWDC të këtij viti, Apple u përpoq të qetësonte kritikët me njoftime për veçori të reja të “Apple Intelligence”, si përmbledhje e njoftimeve, transkriptim thirrjesh, përpunim i imazheve, etj. Por këto karakteristika janë kryesisht ndjekje e asaj që konkurentët kanë bërë më herët, jo hapa të parë në këtë garë. “Apple po lufton në frontin e AI-së sepse ajo është softuer, ndërsa Apple është tradicionalisht kompani harduerësh,” u shpreh Thomas Martin nga Globalt. Nën drejtimin e Cook, projekte të tjera të rëndësishme nuk kanë përmbushur pritshmëritë. Vision Pro, një pajisje me realitet të shtuar që kushton 3,500 dollarë, është ende një produkt i kufizuar në përdorim. Gjithashtu, në vitin 2024 Apple ndërpreu përpjekjet disavjeçare për ndërtimin e një makine elektrike,  një projekt që konsumoi burime të shumta pa rezultate konkrete.

A është kjo koha për ndryshim?

Tim Cook, tashmë 64 vjeç, ka një histori mbresëlënëse: nga një ekspert i zinxhirit të furnizimit në njeriu që trefishoi kapitalin e tregut të Apple. Apple Watch dhe AirPods janë shembuj të suksesshëm nën drejtimin e tij, duke e vendosur kompaninë si lider edhe në tregun e pajisjeve të veshshme. Megjithatë, analistët si William Klepper nga Columbia Business School besojnë se pas më shumë se një dekade, çdo CEO duhet të lërë vend për një “agjent ndryshimi”. “Kur kompania ndodhet në një pikë infleksioni si AI, nevojitet një lider që nxit valën e re,” thekson ai. Sandra Sucher nga Harvard Business School shton se zakonisht një CEO largohet për shkak të një skandali, krize ose mungese besimi  dhe asnjë nga këto nuk vlen për Cook. Por presioni për të vepruar është real. Në vend të një shkarkimi, analistët sugjerojnë që Apple të zgjidhë sfidat në AI përmes blerjesh të reja,  si startup-i Perplexity ose partneriteteve më të thelluara me liderë si OpenAI.

Në përfundim: një kthesë apo një krizë?

Apple nuk është në një krizë ekzistenciale, por sfida e AI-së po e teston seriozisht aftësinë e saj për të udhëhequr në një epokë të re teknologjike. Dhe ndërkohë që Tim Cook është pa dyshim një nga drejtuesit më të suksesshëm në historinë moderne të korporatave, pyetja mbetet: A është ai njeriu i duhur për të udhëhequr valën e dytë të inovacionit?

KTVZ

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0