A është FMN-ja gati për botën e re? Rishikimi i domosdoshëm i qeverisjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar - Business Magazine Albania

A është FMN-ja gati për botën e re? Rishikimi i domosdoshëm i qeverisjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar

A është FMN-ja gati për botën e re? Rishikimi i domosdoshëm i qeverisjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar

Nga Raghuram G. Rajan

Bota ka nevojë për një Fond Monetar Ndërkombëtar efektiv. Shtetet janë zhytur në borxhe të mëdha pas pandemisë së COVID-19 dhe rreziku i goditjeve të reja po rritet ndërsa bota ngrohet dhe shfaqen patogjenë të rinj. Rritja e proteksionizmit (shpesh i maskuar si interesa të sigurisë) po pengon rrugët tradicionale të zhvillimit. Ndërsa ekonomitë dobësohen, askush nuk dëshiron të përballojë fluksin e njerëzve të dëshpëruar që kalojnë xhungla të dendura, ose hipin në anije të mbipopulluara në kërkim të një jete më të mirë.

Na duhet një ndërmjetës i ndershëm që të ndihmojë vendet të negociojnë rregulla të drejta për shkëmbimin ndërkombëtar (duke përfshirë, më urgjentisht, rregullat për subvencionet), që të denoncojë shkelësit, kritikojë politikat e gabuara dhe të veprojë si kreditor i fundit për vendet në vështirësi. Për fat të keq, FMN-ja, pavarësisht cilësisë së lartë të menaxhimit dhe stafit të saj, po has gjithnjë e më shumë vështirësi për të përmbushur këto detyra. Problemet e institucionit qëndrojnë në qeverisjen e tij të vjetruar. Shumica e vendimeve kryesore, duke përfshirë ato mbi kreditë për vendet, merren nga bordi ekzekutiv i Fondit, ku anëtarët e G7-ës zotërojnë shumicën e fuqisë. Shtetet e Bashkuara kanë një veto “de facto” dhe fuqia e votës së Japonisë është më e madhe se ajo e Kinës, pavarësisht se ekonomia kineze e tejkalon atë të Japonisë. Fuqia e votës së Indisë është shumë më e vogël sesa ajo e Mbretërisë së Bashkuar apo Francës, ndonëse ekonomia e saj është më e madhe dhe po rritet më shpejt se të dyja.

Për shkak se fuqitë e dikurshme refuzojnë të heqin dorë nga ky dominim, vendet në zhvillim që po rriten shpejt vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuara. Njëkohësisht, nuk është më e qartë nëse fuqitë e vjetra kanë gjithmonë interesat globale në qendër. Në periudhën e pasluftës, Shtetet e Bashkuara, si e vetmja superfuqi ekonomike, mund të mbaheshin si autoriteti i rregullave globale. Por tani, ndërsa shqetësimi i saj për mbajtjen e dominimit është rritur, ajo ka kaluar nga roli i arbitrit në atë të një lojtari. Dikur kampione e idesë se hapja sjell përfitime për të gjithë, ajo gjithnjë e më shumë dëshiron hapje vetëm sipas kushteve të saj.

Gjithashtu, cilësia e vendimeve të huadhënies së Fondit ka gjasa të përkeqësohet. Sa herë që Fondi jep kredi, është e zakonshme që vendet me lidhje të forta politike të marrin më shumë lehtësi me kushte më të lehta. Ndërsa ndikimet politike kanë qenë gjithmonë të pranishme, ato kanë mundur të funksionojnë më mirë në të kaluarën falë ndihmës së jashtme nga anëtarët e fuqishëm të bordit, si në krizën e Meksikës në 1994, ku SHBA kontribuoi në një pjesë të madhe të paketës së shpëtimit.

Me burimet fiskale gjithnjë e më të kufizuara, madje edhe në G7, FMN-ja do të duhet gjithnjë e më shumë të rrezikojë kapitalin e saj teksa anëtarët e fuqishëm të bordit me më pak interesa të drejtpërdrejta drejtojnë kreditë ndaj miqve dhe fqinjëve. Për më tepër, një trajtim i tillë i veçantë mund të mos ndihmojë as përfituesit e huasë, të cilët shpesh kanë nevojë për masa të rrepta.

Për ta përmbledhur, struktura e qeverisjes së FMN-së do të dëmtojë gjithnjë e më shumë punën e Fondit. Por, a do të çonte rishpërndarja e fuqisë së votës në FMN për të reflektuar shpërndarjen aktuale të fuqisë ekonomike në kaos? A do të bllokonte Kina kreditë për çdo vend të lidhur me G7 dhe anasjelltas? A është një qeverisje jo funksionale më mirë se paraliza absolute?

Ndoshta, prandaj çdo reformë që ndikon në fuqinë e votës së vendeve duhet të shoqërohet me një ndryshim themelor në qeverisjen e FMN-së. Bordi ekzekutiv nuk duhet të votojë më mbi vendimet operacionale, përfshirë programet individuale të huadhënies. Në vend të kësaj, menaxhmenti i lartë i Fondit duhet të ketë liri për të marrë vendime operative për të mirën e ekonomisë globale, me bordin që vendos udhëzime të gjera dhe që periodikisht shqyrton nëse ato udhëzime janë zbatuar.

Më konkretisht, bordi ekzekutiv duhet të shndërrohet në një bord qeverisës, siç ndodh me korporatat. Ai do të caktojë mandatin operacional të organizatës, do të emërojë dhe do të ndryshojë menaxhimin dhe të monitorojë performancën e përgjithshme, por nuk do të kontrollojë vendimet e përditshme. Të gjitha vendimet operative duhet të depolitizohen. Në fakt, kjo është ajo që John Maynard Keynes do të kishte dashur të shihte në kohën e themelimit të Fondit. Duke pasur frikë nga ndikimi i tepruar i Amerikës, ai propozoi një bord jo-rezident, që në atë kohë do të nënkuptonte një bord jo-ekzekutiv dhe një menaxhim të fuqizuar.

Ka disa kundërshtime të parashikueshme ndaj këtij propozimi. E para është se vendet e fuqishme nuk do të pranojnë të angazhojnë burimet e tyre fiskale në Fond, përveç nëse mund të ushtrojnë kontroll të plotë mbi përdorimin e tyre. Por, kjo është pikërisht ajo që fuqitë dominuese të bordit tashmë presin nga pjesa tjetër e botës. Çfarë është mirë për njërin, duhet të jetë mirë për të gjithë.

Lexo edhe: Ja cilët janë Yjet e Hollywood-it dhe Botës së Sportit që mbështesin kandidatët në SHBA

Një kundërshtim tjetër është se fuqitë e reja si Kina mund të mos bien dakord për një ndryshim në strukturën e Fondit tani që ato vetë janë në prag të fitimit të pushtetit. Por, nëse ato nuk pranojnë asnjë ndryshim, as fuqitë e vjetra nuk do të pranojnë. Rishikimi i fundit i Kuotave të Përgjithshme të FMN-së nuk solli ndonjë ndryshim në shpërndarjen e fuqisë së bordit. Presim të njëjtën gjë nëse fuqitë e vjetra dhe të reja nuk arrijnë një marrëveshje të madhe.

Së fundmi, vendet mund të ndihen të pasigurta me shpenzimin e burimeve fiskale nga një menaxhim i paemëruar që mund të jetë i pandjeshëm ndaj nevojave të njerëzve të botës. Por, konsideratat politike do të luajnë ende një rol. Drejtorët e bordit, të emëruar nga qeveritë, do të caktojnë drejtuesit e lartë të FMN-së dhe do t’u japin udhëzime të gjera, bazuar në vlerësimet politike të qeverive të tyre. Për shembull, rregullat për huadhënien mund të bëhen më të lira nëse drejtorët e konsiderojnë të përshtatshme. Diferenca është se rregullat do të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet. Miqtë e fuqishëm të nevojtarëve ende mund të ndihmojnë, por duhet ta bëjnë këtë jashtë programit të Fondit, në vend që të deformojnë rregullat.

Tetë dekada pas krijimit të FMN-së, bota mund dhe duhet të ndjekë një marrëveshje të madhe për të reformuar strukturën e saj të qeverisjes dhe për t’u përballur me sfidat e reja. Alternativa është të bësh pak dhe të shohësh institucionin të zhduket në mosfunksionim.

project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0