A do të jetë Japonia lideri i ardhshëm global në Inteligjencën Artificiale? - Business Magazine Albania

A do të jetë Japonia lideri i ardhshëm global në Inteligjencën Artificiale?

A do të jetë Japonia lideri i ardhshëm global në Inteligjencën Artificiale?

Pesimizmi rreth inteligjencës artificiale (AI) është i përhapur në shumë vende të botës. Shumë njerëz frikësohen nga humbja masive e vendeve të punës, rritja e pabarazisë dhe madje edhe krijimi i makinave potencialisht të rrezikshme. Në Japoni, megjithatë, panorama është dukshëm më optimiste. Ne besojmë se AI do ta ndihmojë vendin tonë të përballojë mungesat e theksuara të fuqisë punëtore, të përmirësojë jetën e përditshme të njerëzve dhe të rikthejë lidershipin global teknologjik.

Sipas një sondazhi të Ipsos, vetëm një e katërta e japonezëve shprehen të shqetësuar për ndikimin e parashikuar të AI-së në jetën e tyre, përqindja më e ulët ndër 32 vendet e anketuara. Vetëm rreth një në dhjetë japonezë besojnë se AI do ta bëjë të ardhmen më të keqe, një kontrast i fortë me Shtetet e Bashkuara, ku mbi një e treta e qytetarëve janë pesimistë ndaj kësaj teknologjie.

Ky dallim shpjegohet nga disa faktorë, por një nga më të rëndësishmit është historia e gjatë e Japonisë në bashkëjetesë dhe bashkëpunim me makinat. Për ne është e natyrshme të imagjinojmë aplikacione dhe pajisje të fuqizuara nga AI që ndihmojnë njerëzit, dhe nuk i zëvendësojnë ata. Në një kohë kur fuqia punëtore e Japonisë po tkurret, rreth 30% e popullsisë është tashmë mbi 65 vjeç – kursimet në punë që ofron AI do të jenë vendimtare për rritjen e produktivitetit dhe mbijetesën e industrive kyçe.

Me këtë vizion në mendje, kompania ime, Rakuten, ka investuar në zhvillimin e modeleve të mëdha dhe të vogla gjuhësore të optimizuara posaçërisht për gjuhën dhe kulturën japoneze. Ne po përdorim AI për të transformuar shërbime kritike, siç janë rrjetet celulare. Ndryshe nga rrjetet tradicionale të mbyllura, të varura nga hardueri dhe furnitorët, rrjeti i Rakuten Mobile është fleksibël, u lejon operatorëve të kombinojnë komponentë të ndryshëm dhe minimizon konsumin e energjisë. Defektet raportohen, analizohen dhe rregullohen nga distanca; përditësimet e softuerit shpërndahen shpesh, ndërsa rrjeti “mëson” dhe vetëkorrigjohet në mënyrë autonome.

Lexo edhe :Paga reale mesatare sot vlen 140 euro më pak se në 2020-ën

Ky lloj inovacioni kërkon një mjedis rregullator mbështetës. Fatmirësisht, Japonia ka ndjekur deri tani një qasje “inovacioni në radhë të parë” në qeverisjen e AI-së. Ligji për Promovimin e AI-së, i miratuar vitin e kaluar, nuk vendos rregulla të ashpra apo penalitete që do të mund të frenonin adoptimin dhe eksperimentimin me AI, por përkundrazi krijon hapësirë për bashkëpunim të ngushtë mes sektorit publik dhe atij privat. Siç theksohet edhe në një dokument zyrtar të vitit 2024, synimi është që Japonia të bëhet “vendi më miqësor ndaj AI-së në botë”.

Kjo qasje bie në kontrast me Bashkimin Europian, i cili është fokusuar më shumë në zbutjen e rreziqeve, siç reflektohet në Aktin Europian të AI-së të vitit 2024, si dhe në rregulla që kufizojnë aksesin në të dhënat e nevojshme për zhvilluesit e AI-së. Edhe vende të tjera inovative mbeten pas Japonisë në krijimin e një mjedisi mbështetës: disa theksojnë stabilitetin social dhe inovacionin e drejtuar nga shteti, ndërsa të tjera janë bllokuar në beteja të gjata ligjore mes mbajtësve të të drejtave dhe zhvilluesve të AI-së.

Optimizmi japonez ndaj AI-së reflektohet edhe në politikat konkrete. Gjykatat japoneze e interpretojnë kuadrin e të drejtave të autorit në mënyrë që të lejohet përdorimi i veprave të mbrojtura nga palë të treta për trajnimin e modeleve të AI-së. Ky akses në të dhëna ka tërhequr kompani udhëheqëse amerikane të AI-së, si OpenAI, drejt bashkëpunimeve me kompani japoneze.

Natyrisht, Japonia e kupton rëndësinë e zhvillimit të sigurt të AI-së. Pikërisht nën presidencën japoneze, G7 lançoi “Procesin Hiroshima për AI-në”, i cili synon promovimin e një inteligjence artificiale të sigurt, të besueshme dhe të qëndrueshme në nivel global. Por ky kuadër nuk fokusohet te rregullimet ndëshkuese apo gjobat, por te ndihma për kompanitë në ndërtimin e mekanizmave efektivë të menaxhimit të riskut, transparencën dhe shkëmbimin e informacionit.

Megjithëse qasja miqësore ndaj AI-së po jep rezultate, Japonia duhet të shmangë disa kurthe. Së pari, duhet nxitur përdorimi më i gjerë i AI-së: aktualisht vetëm rreth gjysma e kompanive japoneze përdorin AI gjenerative, krahasuar me mbi 90% në SHBA, Kinë dhe Gjermani.

Po ashtu, Japonia nuk duhet të ngecë në adoptim të fragmentuar dhe në shkallë të vogël, duke humbur nga sytë objektivin madhor: krijimin e liderëve globalë të AI-së. Kjo kërkon forcimin e infrastrukturës energjetike dhe cloud, investime në prodhimin e energjisë – idealisht nga burime të pastra, dhe përshpejtimin e lejeve për ndërtimin e qendrave të të dhënave. Në vend të koncepteve kufizuese të “sovranitetit digjital”, Japonia duhet të inkurajojë bashkëpunimin e inovatorëve vendas me kompanitë udhëheqëse amerikane dhe ndërkombëtare.

Me një popullsi shumë të kualifikuar, një mjedis rregullator mbështetës dhe një qasje të hapur ndaj inteligjencës artificiale, Japonia është e pozicionuar mirë për t’u shndërruar në një lider global të AI-së. Tani mbetet që qeveria dhe komuniteti i biznesit t’i shndërrojnë këto avantazhe në rezultate konkrete.

Nga Mickey Mikitani, themelues, kryetar dhe CEO i Rakuten Group.

Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0