Drejtues të kompanive të teknologjisë, politikanë, shkencëtarë, akademikë dhe aktivistë janë mbledhur këtë javë në Indi, në AI Impact Summit, për diskutime në nivel të lartë mbi mënyrën se si bota duhet të orientojë revolucionin e inteligjencës artificiale në drejtimin e duhur.
Por Samiti ka nisur jo vetëm me radhë të gjata dhe konfuzion për disa pjesëmarrës, por edhe me raportime kontradiktore nëse folësi kryesor, Bill Gates, do të ishte i pranishëm apo jo. Raportet e natës sugjeronin se themeluesi i Microsoft-it – i cili ka qenë në qendër të vëmendjes pas përmendjes në dosjet Epstein, nuk do të mbante fjalimin e tij në Samit. Megjithatë, Fondacioni Gates i ka konfirmuar BBC-së se ai do të jetë i pranishëm dhe do ta mbajë fjalimin siç ishte planifikuar. Kjo situatë tregon se si synimet e këtij Samiti, njësoj si në takime të ngjashme më parë, rrezikojnë të mbulohen nga ngjarje anësore dhe polemika personale. Zërat më të fortë për inteligjencën artificiale vijnë zakonisht nga Perëndimi, veçanërisht nga SHBA dhe Europa. Prandaj, fakti që një takim i tillë po mbahet në Jugun Global është domethënës, një rajon që rrezikon të mbetet pas në garën globale të AI-së.
Në Samitin e vitit të kaluar, i quajtur atëherë AI Action Summit, shpërtheu një përplasje e fortë mes disa vendeve perëndimore për rolin udhëheqës. Fuqitë perëndimore konkurruan hapur për protagonizëm në Paris, ndërsa zëvendëspresidenti amerikan JD Vance mbajti një fjalim të ashpër, duke deklaruar se pozicioni udhëheqës i SHBA-së në këtë fushë ishte i panegociueshëm.
Këtë herë, në Delhi, pritet një atmosferë më e përmbajtur: në kryeqytetin e një vendi që ka ndihmuar në ndërtimin e bazave mbi të cilat mbështetet teknologjia e re, por që nuk po përfiton në të njëjtën masë si Perëndimi më i pasur.
India ka disa qendra të rëndësishme të AI-së, si Bengaluru, Hyderabad dhe Mumbai. Ajo ka një fuqi punëtore të madhe në teknologji dhe ka tërhequr investime të mëdha infrastrukturore nga kompani si Google, Nvidia dhe Amazon.
Në të njëjtën kohë, për vite me radhë punëtorë me paga të ulëta kanë kryer punën e padukshme dhe të lodhshme të kategorizimit manual të sasive të mëdha të të dhënave që përdoren për të trajnuar modelet e AI-së.
Në librin e saj Empire of AI, gazetarja Karen Hao përshkruan një kompani në Indi që ishte kontraktuar për moderimin e përmbajtjes së imazheve të gjeneruara nga AI. Sipas saj, punëtorët duhej të shikonin edhe imazhe tronditëse për të vendosur cilat duhej të bllokoheshin.
Sipas platformës së rekrutimit Glassdoor, paga mesatare e një trajneri të të dhënave të AI-së në Chennai është rreth 480,000 rupi në vit – më pak se 4,000 paund ose rreth 5,000 dollarë. Një rol thelbësor, por që bie në kontrast të fortë me faktin se OpenAI, kompania pas ChatGPT-së, vlerësohet në mbi 500 miliardë dollarë.
Lexo edhe:Ata që duhet ta kuptojnë fuqinë dhe rrezikun e AI-së, nuk po e kuptojnë ende
“Më shumë se teknologji” për Indinë
Raporti Ndërkombëtar për Sigurinë e AI 2026 thekson se, ndërsa “në disa vende mbi 50% e popullsisë përdor AI”, në pjesën më të madhe të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, normat e përdorimit mbeten nën 10%. Chatbot-et më të mëdha amerikane nuk funksionojnë në të gjitha 22 gjuhët zyrtare të Indisë, për të mos folur për qindra dialekte. ChatGPT dhe Claude mbështesin rreth gjysmën e tyre, ndërsa Google Gemini mbështet vetëm nëntë.
“Pa teknologji që i kupton dhe i flet këto gjuhë, miliona njerëz përjashtohen nga revolucioni digjital, veçanërisht në arsim, qeverisje, shëndetësi dhe shërbime bankare,” ka deklaruar profesori Pushpak Bhattacharyya nga IIT Mumbai për BBC-në. Për ta adresuar këtë, India po ndërton platformat e veta sovrane të AI-së, përmes asaj që qeveria e quan “AI Mission”. Por progresi është relativisht i ngadaltë. Ndërkohë që produktet amerikane – dhe ato kineze si DeepSeek apo ByteDance – po ecin me ritëm të shpejtë, shumë prej projekteve indiane janë ende në fazë zhvillimi. Buxheti prej 1.2 miliardë dollarësh i qeverisë indiane për këtë nismë duket i vogël krahasuar me xhepat e thellë të korporatave shumëkombëshe që investojnë dhjetëra miliarda. Një zyrtar indian më tha para Krishtlindjeve se India nuk është shumë e interesuar për luftërat gjeopolitike rreth AI-së. Fokusi i saj është përdorimi i teknologjisë për të nxitur zhvillimin e brendshëm. “Për Indinë, kjo është më shumë se teknologji. Ka të bëjë me transformim ekonomik, sovranitet digjital dhe ndërtim kapacitetesh në shkallë të gjerë,” thotë Rajan Anandan, drejtor menaxhues në Peak XV, një nga investitorët më të mëdhenj të teknologjisë në Indi. “Në vend ka një ndjenjë të fortë momentumi dhe vetëbesimi.”
Ndërkohë, SHBA mund të gjendet, ndoshta për herë të rrallë, në një rol më pak dominues. Dhe kjo nuk është diçka që i pëlqen lehtë.
“Shtetet e Bashkuara do të kenë më pak ndikim në një Samit që propozon një qasje ‘nga poshtë-lart’, të orientuar drejt Jugut Global, me fokus te njerëzit, planeti dhe progresi,” thotë profesorja Gina Neff nga Queen Mary University London. “Na duhen qeveri që të veprojnë së bashku për të ndërtuar një vizion më gjithëpërfshirës, demokratik dhe të orientuar nga njerëzit për AI-në, përballë fuqisë së paparë të korporatave,” thekson Jeni Tennison, drejtoreshë ekzekutive e think tank-ut Connected by Data.
“S i ‘fuqia e mesme’ më e madhe në botë, India mund ta bëjë këtë të mundur,” shton ajo. Eksperti i AI-së, Henry Ajder, shpreson në hapa pragmatikë për të kaluar nga një mozaik rregullash të copëzuara drejt një konsensusi real për adresimin e dëmeve që sjell AI, qofshin ato të qëllimshme apo jo.
Ndërsa Amanda Brock, drejtoreshë ekzekutive e OpenUK, mendon se zgjidhja është t’u kërkohet kompanive të AI-së të hapin mënyrën se si funksionojnë produktet e tyre, në mënyrë që të tjerët të mund të ndërtojnë versione të veta, t’i përmirësojnë dhe t’i shqyrtojnë me transparencë.
“Nëse ky Samit do të ketë ndikim real për Jugun Global, duhet akses i barabartë në AI, dhe kjo arrihet vetëm duke e hapur teknologjinë,” thotë ajo. Ka pasur disa hapa në këtë drejtim, por shumë gjigantë të AI-së vazhdojnë t’i mbajnë sekret elementë kyç, si të dhënat me të cilat trajnohen modelet e tyre.
Disa ekspertë të AI-së shprehen privatisht të shqetësuar se siguria dhe përgjegjësia po zënë gjithnjë e më pak vend në axhendë. Pas Samitit të parë për Sigurinë e AI-së në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2023, fjala “siguri” u hoq në heshtje nga titulli i eventit. Një ekspert më tha se këtë vit ka vendosur të mos shkojë fare në Delhi, pasi nuk ka besim se do të dalë diçka konkrete nga ky takim.
Edhe profesorja britanike Dame Wendy Hall do të jetë e pranishme në Samit, por pranon se ndan të njëjtin shqetësim: ajo ka frikë se nuk do të ketë “asgjë domethënëse” për mënyrën se si të minimizohen rreziqet që vijnë nga inteligjenca artificiale. “Është e rëndësishme të jemi aty, por pritshmëritë e mia për rezultate konkrete janë shumë të ulëta,” përfundon ajo.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto