E vërteta lëndon, por të rrit

E vërteta lëndon, por të rrit

Disa vite më parë, mora pjesë në një garë organizuar nga UK-Albania Tech Hub. Një aktivitet tipik që gjithmonë i thoja jo. I ftuar nga një mik, fakti që nuk kërkonte shumë kohë, i thashë po.

Kurdo që vendos të merrem me diçka, mundohem t’i jap vlerë kohës, ndaj mund të më mendoni si ai nxënësi i mirë që ulet gjithmonë në rreshtin e parë. Mes shume trajnerëve, ishte edhe Eduardo. Nuk kërkova në Google për emrin e tij, por ndodhi që para se të fillonim trajnimin, të uleshim ngjitur në kafe. Shkëmbyem disa shaka, më pyeti për kafetë më të mira në Tiranë dhe përmendi disa rekomandime, që një mik shqiptar i kishte dhënë në Londër.

Lexoni: Artistët janë të parët

Klasa filloi. Eduardo nuk kishte përgatitur ndonjë PowerPoint, tipike për trajnerët e tjerë, fakt që e bëri dukshëm nervoze organizuesen e Ambasadës Britanike. “Nuk është mënyra ime” shpjegoi dhe le të themi që e zotëroi menjëherë klasën. Pyeti të gjithë sipërmarrësit për emrat e kompanive dhe tha që do dëgjonte dy prezantime. I gjithë trajnimi do ishte me propozime konkrete rreth përmirësimit te këtyre prezantimeve.

“OK, le të dëgjojmë Green Leaf (tregoi nga unë) dhe Dentem”. Ngrihem duke menduar se do ishte e thjeshtë, filloj prezantimin 3-4 minuta dhe në përfundim shikoj nga trajneri duke pritur për komentin. “Kjo është historia më kot që kam dëgjuar ndonjëherë” e shoqëruar nga disa të qeshura nën zë në dhomë.

Papritur, ndjej tensionin të ngrihet, pasuar nga një përzierje ndjenjash. Ballkanasi brenda meje më shtynte t’i thoja “F*ck off”, por nuk e di pse më doli “Të lutem më ndihmo, çfarë mund te përmirësoj”. Me dha disa këshilla praktike mbi prezantimin, por më e rëndësishmja më rekomandoi të lexoja Positioning nga Al Ries, dhe Good Strategy, Bad Strategy. Shkurtimisht më shpjegoi se çfarë bëra, mund të jetë mirë për në Shqipëri, ndoshta Ballkan, por nuk kisha asnjë shans në tregje si Londra.

Gjëja e parë që bëra ishte blerja e librave, që përfundova së lexuari brenda një fundjave. E dyta ishte të kërkoja në Google emrin e tij, Carlos Eduardo Espinal, dhe pashë që ishte CEO i Seedcamp. N.q.s. nuk ju thotë asgjë, janë investitorët e parë në kompani si Revolut, Transferwise, UI Path dhe shumë të tjera.

Lexoni: 12 Startupe do të ndjekin programin e akselerimit të Uplift Albania

Jam i lumtur që e dëgjova këshillën e tij para se ta dija kush ishte dhe më duhet të them që të paktën Positioning duhet lexuar patjetër. Nuk është i rëndësishëm vetëm për drejtimin e një kompanie apo start-upi, por edhe për jetën. Tek e fundit secili nga ne ka “brand”-in e tij, dhe si pozicionohesh në jetën e përditshme apo një kompani bën diferencën.

Arsyeja pse Green Leaf u nda në dy kompani është kjo eksperiencë. Një startup teknologjik shqiptar, që quhet Green Leaf krijon shumë konfuzion. Shumë nga partneret ishin skeptikë, duke bërë që fjalia hapëse e imja të ishte “mos kini merak, nuk shesim bar (stereotipi tipik i kombinimit të emrit Shqipëri me Gjethe Jeshile). GReg lidhet me platformën tonë analitike që më së shumti përdoret në industrinë Reg Tech. AiLend është një platformë kredi-dhënie digjitale që ndihmon njerëzit të kuptojnë Bankat, por dhe Bankat të kuptojnë njerëzit.

Çdo gjë ndodh për një arsye, dhe të dëgjosh dikë që të thotë “sa kot është historia jote” mund të jetë gjëja më e mirë që i ndodh asaj historie.

Në Londër, si i përzgjedhur mes kompanive shqiptare

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0