Kazinotë do të rikthehen në kryeqytet dhe do të gjenden në zemër të tij. Një vendim i qeverisë i miratuar në datën 2 shtator, i cili u publikua dje në fletoren zyrtare, përcakton se qendra e Tiranës do të jetë zona ku do të pozicionohen kazinotë në kryeqytet.
Sipas kësaj VKM-je parashikohet se lojërat e fatit të tipit kazino do të pozicionohen brenda perimetrit të Rrugës së Barrikadave, ‘Urani Pano’, ‘Dedë Gjo Luli’, ‘Ibraim Rugova’, ‘Xhorxh Bush’ dhe Bulevardit ‘Zhan D’ark’.
Ky vendim i qeverisë shoqërohet me një tjetër që përcakton kriteret për të lejuar ushtrimin e lojërave të fatit të tipit kazino, ku kryesorja është se duhet të ketë një kapital prej 1.2 miliardë lekësh ose rreth 12 milionë dollarë.
Dy vite më parë qeveria mbylli të gjitha lojërat e fatit që operonin në Shqipëri, nën argumentin se këto lloj biznesesh shërbejnë për të pastruar paratë e krimit.
Tashmë, aktivitetet që i mbylli vetë qeveria është duke i rihapur në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit, ku vitet e fundit po lulëzojnë edhe ndërtimet shumëkatëshe.
“Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendës ose i huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Kazino”, duhet të përmbushë kriteret minimale, si më poshtë vijon:
- a) të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati, sipas llojit të lojës që kërkohet;
- b) shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë;
- c) të deklarohet burimi i kapitalit, që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e “Kazinosë”;
ç) të kenë përvojë në fushën e lojërave të fatit;
- d) të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë e aplikantit për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla;
- dh) të paraqesë garancinë pasurore, së bashku me aplikimin dhe me kushtet e sekuestrimit të kësaj
garancie;
- e) të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit;
ë) të ngrejë serverin, në të cilin do të jape informacion të plotë mbi çdo transaksion që do të kryhet midis subjektit dhe lojtarëve, xhiron dhe fitimin, si dhe çdo të dhënë që do të kërkohet nga AMLF-ja në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti. AMLF-ja do të ketë akses në kohë reale te ky server” thuhet në vendim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.