“Think Globally, Eat Locally”, janë fjalët që lexon në përparëset e të rinjve dhe të rejave, që punojnë tek Mrizi i Zanave. Ato nuk janë vetëm të shkruara, por reflektohen në mënyrë të mrekulleshme nga sytë dhe zemrat e tyre. E duan me zemër punën që bëjnë.

Ne tek BusinessMag e kemi shumë përzemër promovimin e Shqipërisë dhe produkteve lokale, prandaj në kuadër të konkursit “Hajde n’Shqipni”, një prej partnerëve tanë është Mrizi i Zanave, i cili në fokus të kuzhinës ka produktet e zonës.
Videoja, që do të marrë më shumë pëlqime, komente dhe shpërndarje në faqen e BusinessMag në Instagram, do të fitojë një natë për dy persona, në Mrizin e Zanave.
Pse duhet ta vizitoni Mrizin?
Mrizi i Zanave gjendet në Fishtë të Zadrimës, në qytetin e Lezhës. E sapo lexon Fishtën, të vjen në mendje At Gjergj Fishta dhe vepra e tij e papërsëritshme. Me gjithë vlerat historike, kulturore dhe bukuritë natyrore të Fishtës, pjesa më e madhe e banorëve e kanë braktisur atë, kryesisht për arsye ekonomike. Por e kundërta ka ndodhur me vëllezërit Prenga, të cilët kanë ndërtuar Mrizin e Zanave.

Askush nuk e mendonte se pas 10 vjetëve të larguar nga Shqipëria, do vinte një moment që familja Prenga do të kthehej në Fishtë, por këtë herë ndryshe. Gjithcka filloi nga e para. Dy djem të rinj që donin të sillinin fymë europiane, por me bukë, kripë e zemër prej shqiptari. Njëri nga vëllezërit tregon se kur banorët e Fishtës e pyesin se cfarë ishin duke ndërtuar, ata e kishin të vështirë të përgjigjeshin për shkak të mentalitetit të zonës dhe ia kthenin: “Një stallë dhish.”
“Një stallë dhish”, që sot është kthyer në një histori suksesi dhe frymëzimi për të gjithë banorët e Zadrimës, Lezhës, Shqipërisë dhe më gjerë. Shumë prej jush e njohin Mrizin e Zanave dhe e duan për sepse ruan kulturën dhe kulinarinë shqiptare. Tanimë Mrizi i Zanave nuk i përket më vetëm familjes Prenga, por i përket edhe atyre që punojnë çdo ditë për të, edhe atyre që e vizitojnë dhe e duan Mrizin.

Mrizi i Zanave angazhon rreth 400 familje të prodhojnë dhe të grumbullojnë produkte, të cilat shërbehen për vizitorët e Mrizit. Rreth 70 të rinj e të reja e bëjnë Mrizin të gumëzhijë nga energjia e tyre dhe me po të njëjtën energji ata do t’ju presin bashkë me traditën vendase. Vera që shërbehet prodhohet atje, lëngu i thanës, vaji, bulmeti, pastërmaja, frutat, perimet etj. Të gjitha janë produkte bio të Shqipërisë, kryesisht të zonës së Lezhës.

Ushqimi nuk është vetëm shije, është edhe kulturë, histori dhe emocion. E nëse ka një vend ku të gjitha këto janë të harmonizuara me njëra tjetrën, ai është Mrizi i Zanave. Gjithcka është një eksperiencë e jashtëzakonshme reale dhe e prekshme. Mund të shikosh nga afër jetesën e banorëve në zonat rurale, shkëlqimin në sytë e tyre, mund të njihesh me bimët dhe kafshët që rriten aty, mund të shijosh ushqimin natyral nga kuzhina e Mrizit dhe mund të kalosh një natë fantastike në Kullën e Arnume.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto