Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një komunikim online së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se shkollat do të hapen në shtator, duke respektuar protokollet e caktuara anti-COVID.
Teksa prezantoi rezultatet e sondazhit të shpërndarë nga Ministria e Arsimit për prindërit dhe nxënësit, ministrja Shahini tha se 87 për qind e tyre mendojnë se nxënësit duhet të kthehen në shkollë. Vetëm 13 për qind ishin për vijimin e mësimit online.
Ministrja Shahini sqaroi se skenarët janë të ndryshëm varësi të shkollave ndërsa shtoi se mësimi do të bëhet me turne, në rastin e klasave me numër të madh nxënësish në mënyrë që të ruhet distancimi social.
“Ne kemi bërë një pilotim të shkollave. Ne mund të ruajmë shëndetin, duke i hapur shkollat me kujdes. Gjermania dhe Zvicra i hapën shkollat pa bërë shumë ndryshime pasi ato kanë klasa me numër të vogël nxënësish. Ne duam të hapim shkollat sipas specifikave, por duke i kombinuar me mësime që zhvillohen në kushte shtëpie”, tha ministrja.
Ajo kërkoi nga bashkitë që të nisin me përgatitjet për nisjen e vitit shkollor duke filluar nga pastrimi i ambienteve të shkollave e deri tek pajisja me mjetet e nevojshme higjieno-sanitare nga higjienizuesit tek maskat.
Ndërsa ministrja Manastirliu u shpreh: “Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim për detajimin e protokolleve të sigurisë, për të garantuar kufizimin e përhapjes së virusit. Transmetimi i sëmundjes në shkolla është i rrallë dhe me masat e duhura, ka pak gjasa të jenë mjedise të shtimit të transmetimit të virusit.
Kemi eksperiencën e deritanishme me hapjen e çerdheve dhe kopshteve, ku ka pasur raste sporadike të infeksionit dhe jo shpërthime. Do të vijojmë të mbajmë të informuar qytetarët. Shëndeti vjen gjithmonë i pari”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto