Nga Ergys Dollomaja
Ndryshe nga shekujt e tjerë, në shekullin e 21 kemi një zhvillim teknologjik të shpejtë dhe me shumë volum. Sigurisht që ky zhvillim do të kishte ndikimet e veta në mekanizmat shoqërorë dhe në mënyren e jetesës të çdo individi. Le të përqëndrohemi më shumë tek zhvillimi personal, që na mundëson arritjet dhe suksesin në shumë fusha të jetës. Si fillim lind pyetja:
Si është e mundur që në shekullin e 21 përqindja e njerëzve, që duan të kenë sa më shumë sukses është shumë herë më e lartë sesa në shekujt e kaluar?
Do të marrim për bazë një prej psikologëve humanistë siç është Abraham Maslow, i cili njihet më shumë për “Teorinë e hierarkisë së nevojave”. Kjo teori edhe pse është publikuar në vitin 1943, na jep një pasqyrim të qartë të rritjes së dëshirës për sukses tek njerëzit në shekullin e 21.
Në shkallën e parë ndodhen nevojat fiziologjike si ajri, ushqimi, uji dhe gjumi. Në shkallën e dytë ndodhet nevoja për siguri ndaj rreziqeve të mundshëm, që mund të vijnë nga jashtë. Kjo siguri përfaqëson sigurinë familjare, etike, shendetësore, ekonomike por edhe sigurinë e vendit të punës. Në shkallën e tretë kemi nevojat sociale siç janë dashuria dhe të qënurit pjesë e një familje, shoqërie dhe të kemi intimitetin tonë personal. Në shkallën e katërt ndodhet vetëvlerësimi. Aty bëjnë pjesë respekti, besimi dhe vlerësimi që kemi ndaj vetes dhe të tjerët kanë ndaj nesh duke u bazuar në arritjet dhe statusin, që ne kemi në shoqëri.
Ndërsa në shkallën e fundit ndodhet vetaktualizimi. Pra të arrish në nivelin më të lartë të potencialit tënd duke nxjerr në pah gjithë talentin dhe aftësitë personale. Ajo çka vlen të përmendet është se njeriu pa plotësuar nevojat e një shkalle nuk mund të kaloj tek një shkallë më lart. Kjo nuk do të thotë që duhet të plotesohen të gjitha plotësisht në maksimum, por mjafton që ato të jenë prezente dhe të kenë ndikim pozitiv të konsiderueshëm në jetën tonë.
Arsyeja përse mora për bazë këtë teori është për të treguar se sa shumë ka ndikuar teknologjia në përmbushjen e nevojave tona që në shekuj ose dekada më përpara kanë qënë një harxhim i madh energjie dhe kohe. Mund të vihet re fare lehtë që shkallët e fillimit si nevojat fiziologjike, nevoja për siguri, por edhe nevojat sociale plotësohen shumë më lehtë në këtë kohë në të cilën po jetojmë.
Lexoni: Network marketing, forma e shitjes që po i mbijeton kohës
Disa dekada ose shekuj më përpara nuk mund të flisnim dot për nevojat bazë të njeriut. Arsyeja kryesore ishin luftrat e shumta, sëmundjet, varfëria dhe shumë probleme të tjera. Sigurisht që edhe në ditët e sotme këto problematika vazhdojnë ende, por janë minimizuar dhe numri i vendeve, që hyjnë në kategoritë e vendeve të zhvilluara dhe të vendeve në zhvillim e sipër ka qënë në rritje.
Shtetet ligjore dhe produktive duke patur politika sociale efektive arrijnë që të sigurojnë nevojat fiziologjike dhe të përmbushin nevojën për siguri për shtetasit e tyre. Gjithashtu urbanizimi në rritje dhe popullimi i vazhdueshëm i qëndrave kryesore të banimit ka bërë që një individ gjatë jetës së tij të jetë në kontakt me më shumë persona, gjë e cila ndikon në socializimin e individit dhe përmbushjen e nevojave sociale që ndodhen në shkallën e tretë.
Këto zhvillime do të ndikonin pozitivisht në jetët tona duke bërë që të kishim një rritje të konsiderueshme të numrit të personave që arrinin shkallët më të larta të kësaj hierarkie. Shumë prej jush mund ta gjejnë veten në shkallën e katërt në të cilën vlerësimi, arritjet dhe statusi që ne kemi në shoqëri ka uljet dhe ngritjet e veta duke u ndikuar nga shumë faktorë të jashtëm, por edhe nga vetë mendimet tona.
Esenca jetike për të patur sa me shumë arritje, vlerësime dhe status dominant në shoqëri gjendet tek suksesi. Sfida më e madhe qëndron tek fakti se suksesi ka nje standard vlerësimi, që ndryshon dita ditës dhe ndikohet nga ambjenti në të cilin ndodhemi. Kjo është një prej arsyeve kryesore se përse kemi një oreks në rritje për sukses dhe nuk mjaftohemi më me arritje të vogla.
Njeriu në momentet e para të jetës së tij merr si model personat e familjes në të cilën bën pjesë. Më pas kalon në një ambient më të gjerë socializimi siç është shkolla, shoqëria, aktivitetet e ndryshme sportive dhe artistike tek të cilat shikon një shumëllojshmëri rol modelesh, që i japin mundësinë të zgjerojë vizionin. Kjo shumëllojshmëri rol modelesh është një sukses i qartë i teknologjisë dhe vecanërisht i një prej produkteve të saj siç është interneti.
Interneti duke qenë një burim kryesor informacioni na ka sjellë më afër me shumë histori suksesi të njerëzve të ndryshëm në fusha të ndryshme të jetës. Këta njerëz janë kthyer në model për këdo, që gjen veten tek ata dhe dëshiron një të ardhme të mbushur me sukses. Me ndihmën e këtyre rol modeleve kemi zbuluar anën konstruktive të njeriut dhe secili në mënyrën e vet, jep kontributin e tij në shoqëri.
Ne frymëzohemi, motivohemi dhe marrim forcë për të vazhduar përpara duke qënë të bindur që një ditë do ja dalim. Kjo shpresë që na jep fuqi për suksesin në të ardhme vjen si produkt i besimit që rrjedh prej faktit që ka patur të tjerë përpara nesh që ja kanë dalë me sukses.
Mund të marrim shembull malin Everest. Nëse do të na thuhej që askush nuk ka arritur deri më sot të ngjitet deri në pikën më të lartë shumica prej nesh do të dorëzohej. Le të mendojmë mundësinë tjetër, ku ne jemi në dijeni që prej shumë vitesh organizohen grupe të ndryshme që shkojnë në pikën më të lartë të malit Everest. Atëherë brenda nesh do të shfaqej besimi se ne mund t’ja dalim ashtu si gjithë të tjerët.
Histori suksesi të cilat janë reale na serviren çdo moment nga bota e internetit, të cilën e kemi bërë pjesë të jetës tonë. Këto shembuj kthehen në një stimul që na bën më të vendosur në rrugëtimin tonë drejt suksesit, i cili bëhet akoma më i thjesht falë kohës së fituar prej teknologjisë, që na lehtëson sigurimin dhe përmbushjen e nevojave jetike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.